Dembelia e Gjykatës Kushtetuese, 22 muaj pa përgjigje për “orkestrimin” e votimit nga Lista Serbe
Në prill të 2021, Veton Berisha, kryetar i Partisë Egjiptiane, dorëzoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me dyshimet për orkestrimin e votimit nga ana e “Romani Iniciativës”, në vendbanimet me shumicë serbe. Ndonëse kanë kaluar gati dy vite, Berisha, që dikur ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, është ende në pritje të një vendimi.
Gjykata Kushtetuese thotë se po e shqyrton lëndën, ndërsa njohësit e së drejtës kushtetuese vlerësojnë se Kushtetuesja i ka tejkaluar të gjitha afatet e arsyeshme për të vendosur për këtë lëndë. Në fakt, gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Kushtetuese, duke e pyetur për rrjedhën e lëndës dhe për mosrespektimin e afateve të parapara ligjërisht.
Në përgjigjën e tyre, Kushtetuesja ka theksuar se po e trajton çështjen në fjalë.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar dhe Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Gjykata i trajton të gjitha kërkesat në bazë të procedurave standarde të parashikuara për shqyrtimin e tyre dhe kohëzgjatja e vendimmarrjes në kërkesat e parashtruara nuk varet detyrimisht nga koha e regjistrimit të tyre, por nga kompleksiteti i çështjes që mund të ngërthejë një rast konkret.” – theksoi Kushtetuesja.
Organi që interpreton Kushtetutën e Kosovës, vlerësoi se është duke e trajtuar me seriozitet çështjen e ankesës së Berishës.
“Si çdo kërkesë individuale, Gjykata është duke e trajtuar edhe këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni.” – përfundon Kushtetuesja në përgjigjën e saj.
Ndërsa Berisha, që ushtroi këtë shkresë në Kushtetuese, thotë se çuditet me faktin se Kushtetuesja ende nuk ka vendosur për këtë lëndë edhe pas dy viteve.
“Po bëhen dy vite që e kemi dorëzu ankesën, po bëhen dy vite që kjo lëndë i ka tejkalu krejt afatet e mundshme logjike, për faktin se sipas tyre kjo është kërkesë individuale, nuk e kanë ndonjë afat. Por nuk nënkupton që lënda aq e ndieshme, të lihet pa afat. Gjatë kësaj periudhe janë duke u shkel shumë të drejta të njeriut, si e drejta e votës, e drejta e përfaqësimit, mohimi i qasjes së barabartë në drejtësi. Gjykata Kushtetuese nuk i kushton rëndësi fare kësaj pune. Jam tepër i zhgënjyer, ngase kam besuar në drejtësi në Kosovë, në Gjykatën Kushtetuese, nuk po e prijudikojë vendimin, unë besoj se ne jemi në të drejtën tonë. Unë çuditem qysh Kushtetuesja me zgjat dy vite lënda.” – vazhdoi ai.
I pyetur nëse mendon se ka ndikim politik në këtë lëndë, z. Berisha tha se i shkon mendja në gjithçka.
“Prej natyrës nuk jam me paragjyku, por në këtë fazë ku jam, unë kam humbur shumë besimin në atë Gjykatë dhe më shkon mendja në gjithçka” – deklaroi ai.
Tutje, Berisha vlerësoi se ndaj tij i është bërë padrejtësi.
“Sipas meje është një nga lëndët më të ndieshme për faktin se ka pasur një ndërhyrje në të dretjën e votës nga Lista Serbe për orkestrimin e votave dhe pastaj pas vendimeve të gjykatave, të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme, është bërë një padrejtësi e madhe ndaj neve se janë përdorë dy standarde” – përfundoi ai.
Ndërsa Durim Berisha, ekspert i së drejtës kushtetuese, vlerësoi se pretendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk qëndrojnë, duke shtuar se rasti i ankesës së Berishajt do të duhej të trajtohej me urgjencë.
“Nuk qëndron deklarimi i GJK-së nuk ka afate kushtetuese apo ligjore për procedimin e ankesave individuale kushtetuese… Ky rast do duhej të trajtohej me prioritet dhe të zgjidhej brenda pak ditëve, pasi rrezikojmë të shpallet jokushtetues konstituimi i Kuvendit, 2 vite pas zgjedhjes së tij. Ështe absurd i llojit të vet kjo që ndodhë ne Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.” – theksoi fillimisht z. Berisha.
Tutje, Berisha, që dikur ishte këshilltar në Kushtetuese dhe në kabinetit e Kurtit gjatë Qeverisë Kurti 1, citoi ligjin i cili, sipas tij, parasheh afatet ligjore për shqyrtimin e ankesave kushtetuese.
“Ligji per Gjykatën Kushtetuese përcakton në nenin 22 afatin dhe rrjedhen e shqyrtimit të ankesave kushtetuese. Fillimisht janë 60 ditë në dispozicion për përgjigjet e palëve në procedurë dhe plotesimin e ankesave. Në paragrafin 5 parashihet se pas përfundimit të këtij afati, gjyqtari raportues ka 30 ditë afat për të pergatitur raportin paraprak për kolegjin shqyrtues. Kjo nënkupton se përpos procedurave kur ligji parasheh afate me të shkurta, një ankesë duhet trajtuar brenda 90 ditëve. Kur merret parasysh në njërën anë se Gjykata Kushtetuese në mesatare pranon 150 ankesa në vit dhe nga to rreth 97% nuk i pranon fare në shqyrtim dhe numrinne gjyqtarëve dhe këshilltarëve që punojne aty ne anën tjetër, e vetmja arsye për këto vonesa është neglizhenca dhe dembelia.” – përfundoi ai.


