Intervista e Kurtit në Dukagjin: VV-ja i “mobilizon” online aktivistët në Kosovë e diasporë - NACIONALE

Intervista e Kurtit në Dukagjin: VV-ja i “mobilizon” online aktivistët në Kosovë e diasporë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Që nga mesdita, ndër temat kryesore të ditës është intervista e paralajmëruar e kryeministrit Albin Kurti në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit. Pa panelist, pas një kohe të konsiderueshme e me orar të ndryshuar, Kurti do të intervistohet (pa analistë) për punën e tij si kryeministër gjatë dy viteve të fundit. Për këtë çështje, ka njoftuar edhe vetë Kurti, por edhe Lëvizja Vetëvendosje, partia që ai e udhëheq që nga themelimi, përjashtimisht tri vite kur kryetar ishte Visa Ymeri.

Në ora 14:57, ishte vetë Kurti që njoftoi për intervistën e tij në RTV Dukagjini, që është paraparë të fillojë prej orës 20:00. Sigurisht, tashmë ekipa e VV-së, përkrahësit e militantët e saj, janë përgatitur mirë. E kjo vërehet edhe në postimin e Kurtit, ku mund të dallohet një “mobilizim” online më i madh, që të sjell në kujtesë deklaratat e Florin Krasniqit, ish-deputet i VV-së, për “sobat”.

“E kanë sistemin. Kur jam kanë unë aty i kanë pasë nja 20 kompjutera të vjetër. Edhe i thosha çka janë këta? Tha këta janë për media. E veta njanin aty që e kam pasë më shok, tha jo more këta shajnë gjinë, bajnë postime. A din, e kanë pasë renin, dy rena, ni sobë t’gatë e kanë pasë për media a din? Tash i kanë bo tri (soba) e kanë bo sallën e madhe, e kanë sistemin, e kam pa me sytë e mi.” – deklaronte z. Krasniqi muaj më parë.

Andaj, Kurti për 2 orë ka marrë mbi 6 mijë pëlqime (saktësisht 6 mijë e 400), përfshirë mbi 630 komente e 155 shpërndarje në momentin e këtij shkrimi. Njëjtë shumë pëlqime (më shumë se zakonisht), mori edhe njoftimi i LVV-së për këtë. Edhe aty kishte mbi 55 shpërndarje, e 47 komente.

Kush qysh veproi?

Shumë deputetë, aktivistë të rëndësishëm, por edhe qytetarë, i shpërndanë këto dy njoftime. Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, bashkë me zëdhënësin e VV-së, Arlind Manxhuku, e pëlqyen postimin e z. Kurtit. Por ky i fundit u tregua më i devotshëm, duke e shpërndarë njoftimin e intervistën së Kurtit.

Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së VV-së, ishte po ashtu shpërndarës besnik i njoftimit të Kurtit për intervistë. Natyrisht, Luan Dalipi, shef i kabinetit të Kurtit, e bëri të njëjtën gjë, ndoshta edhe për shkak të pozicionit që e mban aktualisht në Qeverinë Kurti II.

Në pëlqime, u pa edhe emri i deputetes së VV-së, Arjeta Fejza, e çuditërisht edhe i hoxhës Fahrush Rexhepi, zyrtar në BIK. Aspak e befasishme që edhe Tomë Gashi, avokat dhe përkrahës i Kurtit, ishte në mesin e njerëzve që e pëlqeu postimin.

Edhe degët e VV-së e aktivistët e saj në diasporë u moblizuan për këtë paraqitje të Kurtit në një emision, që duket të jetë pritur si “ngjarje” e shënuar. Madje, disa degë të saj në diasporë e shpërndau njoftimin, si p.sh. dega e VV-së në Koln e Austri.

Por edhe dega e VV-së në Norvegji, nga vjen edhe bashkëshortja e Kurtit, i hyri vallës së shpërndarjes, siç mund të shihet në fotografinë e mëposhtme.

Entuziazmi i mobilizimit online e preku edhe një aktivist të VV-së në Amerikën e largët. Valët e gatishmërisë për shpërndarje e kapën edhe z. Edi Pruthin, kryetarin e VV-së për ShBA, i cili e bëri "sharë" postimin e VV-së për intervistën e Kurtit.

Ndryshe, siç ka raportuar gjatë ditës Nacionale, Kurti sonte do të paraqitet i vetëm, pra jo përball analsitëve, të cilët edhe do të mund ta kritikonin për qeverisjen e tij dy vjeçare. E kjo vjen pas një takimi “pa telefona” të Kurtit me pronarët e disa mediave, që dikur i kritikonte ashpër.

Lajme të ngjashme