S’ka panelistë: Kurti vetëm para Ermal Pandurit në Debat Plus, 'i ndryshon' edhe orarin e emisionit
Marrëdhënia e kryeministrit Albin Kurti, me mediat në Kosovë të cilat i ka shpërfillur për një kohë të gjatë, duket se po merr kahje tjetër. Shefi i Qeverisë, sot paraqitet në një intervistë në Debat Plus. Si do të realizohet kjo?
Pas një prej zhvillimeve më të rëndësishme gjatë viteve të fundit - marrëveshjes me Serbinë - e që informatat për gazetarët vendorë ishin shumë të mangëta, Kurti ka vendosur që të dalë para mediave që funksionojnë në vendin që ai drejton.
Kryeministri i Kosovës mbrëmjen e së mërkurës pritet që të japë një intervistë, pas shumë paraqitjeve që bëri nëpër media të huaja, duke injoruar ato vendore.
Qysh do të paraqitet?
Jo para panelistëve. Jo para atyre që edhe mund ta kritikojnë. Kurtin do ta shohim në Debat Plus sonte nga ora 20:00, ndonëse ky emision fillon zakonisht nga ora 20:30, dhe përballë, do ta ketë vetëm prezantuesin Ermal Panduri.
Këtë, na e konfirmoi vetë ky i fundit në një bisedë.
“Formati i njëjtë, si me Ramush Haradinajn, si me Lumir Abdixhikun, si Enver Hasanin.” – tha ai.
Megjithatë, Panduri nuk tregoi se i kishte ndryshuar orari i emisionit te tij.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të dy i nisën intervistat nga ora 20:30, ashtu siç rëndom fillon emisioni.
Para disa ditësh, gazeta Nacionale ka raportuar edhe për takimin “pa telefona” të kryeministrit Kurti me disa prej gazetarëve kosovarë – a u vendos aty që të mbahet kjo intervistë?
“Jo as që është diskutu.” – tha Panduri për Nacionalen, kur u pyet në lidhje me këtë çështje.
Vlen të përmendet, se panelistë në Debat Plus janë edhe Visar Ymeri, ish-kryetar i VV-së dhe analisti Imer Mushkolaj, dy figura këto që e kanë kritikuar dukshëm punën e Kurtit.
Ndërkohë, siç raportuam edhe më herët, Nacionale ka mësuar se kryeministri Kurti mund të paraqitet për intervistë gjatë ditëve në vijim edhe në Rubikon të Klan Kosovës, ndërsa gjatë javës tjetër, pritet që edhe në televizionin T7.
“Si erdhi” deri këtu?
Në fakt, kjo gatishmëri e Kurtit, jo e parë shpesh, për t’u dalë përpara në intervistë gazetarëve kosovarë, mund të jetë planifikuar në takimin e mbajtur para disa ditësh në Zyrën e Kryeministrin.
Nacionale duke cituar burime të afërta me takimin, kishte raportuar se qysh në fillim të tij, përfaqësuesve të mediave u janë marrë telefonat personalë.
Vlen të theksohet, se disa prej mediave të lartpërmendura ku Kurti do të shkojë për intervistë, dikur nga vetë ai cilësoheshin si të “oligarkëve” e të “Klanit Pronto”, e të cilat media, respektivisht drejtuesit e tyre, edhe sot e kësaj dite sulmohen personalisht nga njerëz të partisë ose qeverisë.
Për fund, vlen të përmendet edhe një herët raporti i Qeverisë me mediat në Kosovë, që u përmend edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Raportime kredibile ngulmuan që zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe religjioze provuan të intimidojnë përfaqësues të mediave,” – shkruhej mes tjerash në hyrje të këtij raporti.
“Gazetarët janë ankuar po ashtu se pronarët e mediave i kanë parandaluar ata që të raportojnë për korrupsionin e nivelit të lartë qeveritar,” – thuhej tutje në raportin e DASh.


