Raportohet se djegia e Kuranit në Suedi është financuar nga një gazetar i lidhur me Kremlinin - NACIONALE

Raportohet se djegia e Kuranit në Suedi është financuar nga një gazetar i lidhur me Kremlinin

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Incidenti i dënuar gjerësisht nga bota islame i djegies së Kuranit në Stockholm, që ka kërcënuar edhe përpjekjen e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n, është financuar nga një gazetar i ekstremit të djathtë me lidhje me mediat e mbështetura nga Kremlini.

Mediat suedeze kanë raportuar se leja e protestës së Paludan ishte paguar nga një ish-kontribues në kanalin RT të mbështetur nga Kremlini, Chang Frick, i cili tani bën reklama të rregullta në media për Demokratët e Suedisë së ekstremit të djathtë.

Sipas The Guardian, vetë Frick ka konfirmuar se ka paguar për lejen për të mbajtur protestën, megjithatë ai ka mohuar se i ka kërkuar dikujt që të djegë librin e shenjtë të myslimanëve.

Kujtojmë se, libri i shenjtë u dogj të shtunën e kaluar pranë ambasadës së Turqisë në Stockholm nga një politikan i ekstremit të djathtë dhe provokator anti-islam, Rasmus Paludan, një shtetas i dyfishtë danezo-suedez, me reputacion për kryerjen e akteve të ngjashme edhe më parë.

Ky akt ka ngjallur kritika në të gjithë botën islame dhe ka ndryshuar qëndrimin e Turqisë lidhur me aplikimin e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n, e cila kërkon miratimin e të 30 vendeve anëtare.

“Ata që lejojnë një blasfemi të tillë para ambasadës sonë nuk mund të presin më mbështetjen tonë për anëtarësimin e tyre në NATO”, - është shprehur presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan,pas djegies së librit.

Ndërkohë, Frick, një ish-zyrtar i demokratëve suedezë, është themeluesi i një faqe interneti të ekstremit të djathtë që fokusohet në imigracionin në Suedi. Duke folur për New York Times në vitin 2019, ai kishte bërë shaka për lidhjet e tij me presidentin rus Vladimir Putin, teksa kishte tregur një tufë kartëmonedhash rubla nga një udhëtim i fundit në Rusi.

Ai kishte thënë: “Këtu është shefi im i vërtetë! Është Putin!”

Bëhet e ditur se, Frick gjithashtu ka një shfaqje të rregullt në një kanal mediatik të lidhur me Demokratët e Suedisë së ekstremit të djathtë, i cili ka një marrëveshje për të mbështetur koalicionin tre-partiak të Suedisë, megjithëse nuk është pjesë e qeverisë.

Lajme të ngjashme