Djegia e Kuranit nga politikani në Suedi, protestohet në Stamboll - NACIONALE

Djegia e Kuranit nga politikani në Suedi, protestohet në Stamboll

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në përgjigje të djegies së një kopjeje të Kuranit nga një politikan danez në Suedi, ka shpërthyer një protestë edhe në Stamboll, pranë ambasadës suedeze.

Djegia e Kuranit nga Rasmus Paludan, një politikan nga partia daneze e ekstremit të djathtë Stram Kurs (Hard Line), gjatë një proteste të mbajtur në Stockholm, u dënua ashpër nga Turqia e cila e konsideroi “një akt të poshtër”.

Megjithatë, ajo që duket se e ka mërzitur më shumë Turqinë është që autoritetet suedeze e kanë lejuar Paludan të digjte Kuranin, ndërsa aty ishte policia e mediat.

Pas këtij akti, Ankaraja ka anuluar një vizitë të ministrit suedez të Mbrojtjes që kishte për qëllim të ndihmonte në heqjen e kundërshtimeve të Turqisë për anëtarësimin e vendit në aleancën ushtarake të NATO-s së bashku me Finlandën.

Por duket se në Suedi, ka edhe nga ata që nuk duan që vendi të bashkohet, pasi vetëm pak orë pas provokimit të djathtë, në Stockholm u zhvillua edhe një protestë kundër NATO-s.

Është bërë e ditur se disa nga demonstruesit ishin refugjatë kurdë dhe protesta ishte organizuar nga Qendra e Shoqërisë Demokratike Kurde.

Kujtojmë se, Turqia i konsideron një numër prej tyre terroristë dhe i ka bërë thirrje Suedisë që të ndalojë mbrojtjen e tyre si çmimin për të marrë bekimin e Ankarasë për pranimin në NATO.

Lajme të ngjashme