Qysh po shndërrohet aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës në histori trishtimi?
Gati një vit pas aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, skepticizmi mbetet i lartë për vendosjen në agjendën e takimit të ardhshëm. Deri tash nuk janë parë shumë lëvizje për anëtarësimin e vendit në organizatën më të vjetër politike në Evropë. Kush i ka fajet? Qeveria, më konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme që nuk po angazhohet mjaftueshëm. Çka na thanë njohësit rreth kësaj çështje?
Më 12 maj të vitit të kaluar, Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Deri më tani, në takimet që janë mbajtur nuk është parë që ky aplikim të jetë vendosur në agjendë.
Gati një vit më pas, në maj pritet që Komiteti i Ministrave të mbajë takimin e radhës i cili me shumë gjasë, do të organizohet në Reykjavik të Islandës.
Kosova?
Gjasat që Kosova të vendoset në agjendë janë të vogla, vlerësojnë njohësit e çështjes.
Drejtori i Organizatës Joqeveritare “Qendra Evropiane për të Drejtat e Njeriut” në Strasburg, Isuf Halimi, për Nacionalen rënditi tri prej pengesave të mëdha të Kosovës në këtë proces.
“Çështja e Kosovës për me u vendosë në agjendë është pak e komplikuar. Për arsye të ndryshme, arsyeja e parë është se MPJ nuk ka trup koordinues, nuk ka grup punues për çështjen e Kosovës. Gjëja e dytë, nuk ka plan të veprimit, nuk ka strategji. Qëto tri janë pengesat e mëdha. Islanda, Irlanda, Lituania shtete që janë në udhëheqje, janë shtete që nuk kanë kontakt me Kosovën.” – tha ai.
Z.Halimi tutje na tha se Qeveria nuk po punon mjaftueshëm për këtë, deklaratë të cilën e arsyetoi si vijon: “Këta munden me thënë që po punojnë, duhet me u arsyetu, le t’i japin dy argumente për punën përveç takimeve me ambasada, dreka e darka. Këshillin e Ministrave nuk e bëjnë ambasadat, por shtetet anëtarë të Këshillit të Evropës. Ambasada e Francës mundet me u taku, me pi kafe, me dalë 20 herë në ditë, por vendosë Macron”.
Drejtori i kësaj qendre, që thotë jetë i informuar nga afër me procesin, thotë se ambasadat e Kosovës në Strasburg e Paris “kanë mungesë të koordinimit mes vete”.
“Nuk është vetëm ShBA-ja ka shtete në BE, që nuk dua t’i përmend emrat, por disa ambasadorë kanë bërë presion në Qeveri e te kori diplomatik që të mos shtyhet agjenda për arsye të dialogut.” – tha ai për Nacionalen.
Megjithatë, Halimi thotë se shpreson që në momentin e fundit, njëra nga shtetet anëtare të kërkojë që Kosova të vendoset në agjendë.
Por, ai shton se këtë nuk mund ta bëjë as Shqipëria madje, për shkak që “mund t’i prishë marrëdhëniet me vendet e tjera”.
“Por një gjë që mundet me qenë pozitiv, që një shtet anëtar mundet në momentin e fundit që të kërkojë që Kosova të vendoset në agjendë, pasi të përfundojë mbledhja e Këshillit të Evropës. Por këtë askush s’e bën, as Ambasada e Shqipërisë se i prishë marrëdhëniet me shtetet e tjera.” – na tha ai.
Ndërkohë, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, vlerëson se anëtarësimi i vendit në KiE do të ishtë arritje e rëndësishme për vendin, ndonëse, nuk dihet nëse kjo do të ndodhë këtë vit.
Ai i ka thënë Nacionales se për vendosjen në agjendë, duhet shumë koordinim dhe nga Qeveria, nuk është parë kjo.
“Për të arritur deri në atë pikë të procesit, duhet shumë koordinim, dhe nga qeveria nuk kemi parë fokusin dhe angazhimin shumedimensional të domosdoshëm që kërkon ky proces anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme.” – ka thënë Murtezaj.
Në fund, ish-zëvendësminisri tutje na tha se “ekziston një ndërlidhje edhe me dialogun Kosovë-Serbi”.
Çka do të fitonte Kosova?
Nuk dihet se kur do të ndodhë, por në rast të anëtarësimit, Kosova do të përfitonte në disa fusha duke pëfshirë aspektin politik, juridik dhe ekonomik.
Anëtarësim në këshill do të ndikonte në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Veç kësaj, anëtarësimi rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme në vendet jashtë Kosovës e që janë anëtare të KE-së. Gjithashtu, shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nëse konsiderojnë se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre nga ndonjë institucion shtetëror i Kosovës, apo cilido shtet anëtar i KE-së.
Po ashtu, Kosovës do t’i mundësohej që të ketë qasje në mekanizma të shumtë të monitorimit dhe vlerësimit, të tilla si GRECO, MONEYVAL, ECSR, CEPEJ, CPT, GRETA si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.
Ndryshe, Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër politike në Evropë.
E themeluar më 5 maj të vitit 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.


