Raporti i komisioneres së KiE-së: Shqetësime serioze, të respektohet vendimi për Manastirin e Deçanit - NACIONALE

Raporti i komisioneres së KiE-së: Shqetësime serioze, të respektohet vendimi për Manastirin e Deçanit

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Autoritetet e Kosovës duhet ta respektojnë pa vonesa vendimin për Manastirin e Deçanit dhe përderisa ndodhë e kundërta, ngritet në pikëpyetje respektimi i ligjit në vend. Kështu thuhet në raportin e fundit të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës, nga gjetjet e Komisioneres për të Drejtat e Njeriut në këtë institucion, Dunja Mijatoviq.

Më 12 maj të vitit 2022 Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pak ditë më vonë, më 30 maj, vendin e vizioi komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq.

Gjetjet e saj gjatë qëndrimit në Kosovë, deri më 3 qershor, janë publikuar në një raport të martën.

Vendimi për Manastirin e Deçanit të respektohet pa vonesa

Fillimisht, komisionerja Mijatoviq gjatë vizitës u fokusua në çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me drejtësinë, lirinë e mediave dhe çështje që lidhen me të drejtat e grave e barazinë gjinore.

Gjatë misionit të saj, komisionerja e KiE-së u takua me krerët shtetërorë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave. Ajo po ashtu zhvilloi takim me një anëtar të Manastirit të Deçanit.

Për Manastirin e Deçanit, Mijatoviq ka publikuar gjetjet të përmbledhura në tri pika të raportit.

Pika 59 thotë se komisionerja shpreh keqardhjen që autoritetet në Kosovë nuk e kanë implementuar ende vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, ku konfirmohet pronësia e Manastirit për mbi 24 hektarë tokë përreth.

“Komisionerja shpreh keqardhjen që autoritetet ende nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga maji 2016, duke konfirmuar të drejtat pronësore të Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë në afërsi të tij. Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese njoftoi Kryeprokurorin e Shtetit për moszbatimin e aktgjykimit të vitit 2016. Përderisa Manastiri ka posedimin material të kësaj toke, autoritetet lokale deri më tani kanë refuzuar regjistrimin e pronësisë në librat kadastralë”, thuhet në raport.

Në pikën e 60 të raportit, thuhet se përveç shqetësimeve serioze, komisionerja ka dëgjuar dyshimet e autoriteteve të Manastirit në lidhje me ndërtimin e një rruge përmes zonës mbrojtëse, ndërsa përmendet se “Europe Nostra” e përfshiu në listën e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë.

“Krahas shqetësimeve serioze për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjatë vizitës së saj në Manastirin e Visoki Deçanit, Komisionerja dëgjoi dyshimet e klerit në lidhje me ndërtimin e planifikuar të një rruge ndërkombëtare përmes zonës së posaçme mbrojtëse të Manastirit të Deçanit, e cila ngriti çështje serioze për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisit. Në këtë kontekst theksohet se Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 2004. Në vitin 2021, Manastiri u përfshi në listën e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë nga Europe Nostra, me nominimin nga e ardhmja për trashëgimi fetare, Rrjeti evropian për vendet historike të adhurimit”, shkruan në raport.

Pika e fundit ku flitet për këtë çështje, kërkon që vendimi për Manastirin e Deçanit të respektohet pa vonesa, pasi në të kundërten, ngriten pikëpyetje rreth asaj se a respektohet ligji në Kosovë.

“Siç u diskutua me autoritetet, Komisionerja konsideron se moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast shtron pyetje të rëndësishme në lidhje me respektimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në pikën 61 të raportit.

Edhe SHBA-ja ripërsëriti qëndrimin

Gjatë javës së kaluar, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier u deklarua rreth çështjes së Manastirit të Deçanit.

Ai në një intervistë për “RTV KIM”, ishte i qartë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet, dhe se nuk duhet të ketë diskutime e negociata rreth kësaj.

“Mendoj se kemi qenë shumë të qartë, bashkë me partnerët tanë të QUINT-it, në këtë çështje. Ne besojmë se kjo është çështje e ligjit, është kaq e thjeshtë. Ne besojmë që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Nga këndvështrimi ynë, siç kemi bërë thirrje publikisht gjatë së kaluares, vendimi duhet të zbatohet. Kjo nuk është diçka që duhet të negociohet apo diskutohet në këtë moment. Kjo ka ndodhur më herët, por gjykata ka vendosur. Në demokraci, duhet t’i ndiqni vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Para një jave, kryeministri Albin Kurti kërkoi dialog me autoritetet fetare të Manastirit të Deçanit, por shtoi se këta të fundit nuk kanë pranuar.

“Unë kam kërkuar që të takohem me ata por me refuzojnë. Ne besojmë që mund të përfshihemi në dialog dhe mund të zgjidhim të gjitha problematikat që i kemi. Ne duam ta ruajmë dhe ta mbrojmë Manastirin e Deçanit e cila është trashëgimi kulturore e të gjithë qytetarëve”, tha ai.

Kurti në vazhdimësi ka lënë të kuptohet se nuk do ta respektojë një vendim të tillë.

Për këtë, shefi i ezkekutivit kishte marrë përgjigje publike nga autoritet e Manastirit të Deçanit.

“Dyert e Manastirit tonë janë të hapura për të gjithë dhe shpresojmë që kryeministri Kurti më në fund të na sjellë letrën kadastrale që vërteton zbatimin e vendimit të gjykatës”, thuhej në një reagim në rrjetin social Twitter.

Më shumë rreth aplikimit në KiE

Në maj të këtij viti, kryediplomatja Donika Gërvalla kishte dërguar kërkesën për aplikim në Këshillin e Evropës, por pranimi si shtet nuk është bërë ende.

Shqyrtimi i aplikimit të Kosovës, me shumë gjasë nuk do të diskutohet deri në vitin tjetër.

Aplikacioni duhet të shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pasi të shikohet gjendja në Kosovë, voton Asambleja Parlamentare.

Për t’u pranuar, Kosova duhet të marrë 2/3 të votave të shumicës. Mundësitë që shteti kosovar të pranohet janë konsideruar të mëdha, sidomos pas përjashtimit të Rusisë më 16 mars të këtij viti.

Këshilli i Evropës, i cili është themeluar në vitit 1949, është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Lajme të ngjashme