Kurtit i ‘refuzohet' kërkesa për dialog edhe nga ambasadori amerikan: Vendimi për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet - NACIONALE

Kurtit i ‘refuzohet' kërkesa për dialog edhe nga ambasadori amerikan: Vendimi për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdimësi ka deklaruar se duhet të ketë dialog që të zgjidhet çështja e Manastirit të Deçanit. Një kërkesë të tillë e pati edhe gjatë javës së kaluar në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Megjithatë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e qartë të shtetit që ai përfaqëson sa i përket kësaj teme.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë ka thënë se çështja e Manastirit të Deçanit është e thjeshtë, këtë sipas tij, e ka vendosur ligji.

Hovenier në një intervistë për “RTV KIM” ka theksuar qartë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi 24 hektarë tokë është marrë dhe se i njëjti duhet të zbatohet, derisa shtoi se kjo nuk duhet të negociohet as diskutohet.

Në fund të përgjigjes rreth kësaj çështje, ambasadori tha se “në demokraci, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të ndiqen”.

“Mendoj se kemi qenë shumë të qartë, bashkë me partnerët tanë të QUINT-it, në këtë çështje. Ne besojmë se kjo është çështje e ligjit, është kaq e thjeshtë. Ne besojmë që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Nga këndvështrimi ynë, siç kemi bërë thirrje publikisht gjatë së kaluares, vendimi duhet të zbatohet. Kjo nuk është diçka që duhet të negociohet apo diskutohet në këtë moment. Kjo ka ndodhur më herët, por gjykata ka vendosur. Në demokraci, duhet t’i ndiqni vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Kurti kërkoi dialog, por u refuzua

Para një javë, kryeministri Kurti kërkoi dialog me autoritetet fetare të Manastirit të Deçanit, por shtoi se këta të fundit nuk kanë pranuar.

“Unë kam kërkuar që të takohem me ata por me refuzojnë. Ne besojmë që mund të përfshihemi në dialog dhe mund të zgjidhim të gjitha problematikat që i kemi. Ne duam ta ruajmë dhe ta mbrojmë Manastirin e Deçanit e cila është trashëgimi kulturore e të gjithë qytetarëve”, tha ai.

Veç kësaj, shefi i ekzekutivit foli dhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se “ka disa lëndë administrative në lidhje me këto prona”.

“Në rastin e Manastirit të Deçanit janë 24 hektarë të cilët ju dhanë asaj para 25 vitesh nga ana e regjimit të Millosheviqit. Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese por, po ashtu ka disa lëndë administrative në lidhje me këto prona. Unë besoj që kjo çështje do të zgjidhet dhe jam optimist mirëpo, është me rendësi që të kemi një dialog në mes Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve fetare në Manastirin e Deçanit”, ka thënë kryeministri.

Pas kësaj deklarate, Kurti mori reagim nga autoritet e Manastirit të Deçanit, të cilët i kërkuan atij që “ta sjellë me vete letrën kadastrale që vvërteton zbatimin e vendimit të gjykatës”.

“Dyert e Manastirit tonë janë të hapura për të gjithë dhe shpresojmë që kryeministri Kurti më në fund të na sjellë letrën kadastrale që vërteton zbatimin e vendimit të gjykatës”, thuhej në një reagim në rrjetin social Twitter.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje - ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit - zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Në vendimin për moszbatimin e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese theksoi se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por u tha se një vlerësim i tillë i takon prokurorit të shtetit, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të lejojë Manastirin e Deçanit të regjistrojë në kadastër 24 hektarët tokë dhe pyje.

Lajme të ngjashme