'Qortimi' në orët e fundit, Kurti niset për Bruksel, Vuçiqi me gjuhë të ulët, Bislimi pret përgjigje
Tashmë është zyrtare se krymeinistri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë sot për në Bruksel duke qenë se afati për fazën ‘qortuese’ të targave është orët e fundit. Por, cilat janë pozicionet e palëve?
Qeveria e Kosovës tashmë e ka konfirmuar larjmin se kryeministri do të udhëtojë për në kryeqytetin belg, Bruksel, për t’u takuar me presidentin e Serbisë.
“Kryeministri Kurti udhëton sot për në Bruksel, ndërkaq takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe z. Vuçiq është konfirmuar për nesër, ditë e hënë,” - u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Presidenti serb Vuçiq në anën tjetër, në një adresim për mediet serbe ka bërë të ditur se takimi do të mbahet në orën tetë të mëngjesit.
21 nëntori
Frika nga përshkallëzimi i mëtejmë i situatës në veri vazhdon të jetë e lartë. Kryeministri nuk ka përfillur kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës për shtyrjen e afatit të zbatimit për targa për 10 muaj.
Në vend të kësaj, ai kishte vendosur për përshkallëzim të zbatimit të vendimit, që e bën 21 nëntorin datë shumë të rëndësishme.
Prej nesër, qytetarët serbë me targa ilegale nuk do të marrin fletëqortime por gjoba në vlerë të 150 eurove. Ka frikë se kjo mund të rris zemërimin e tyre, çka mund të çojë në zhvatje të kësaj ndjesie nga ana e strukturave ilegale që operojnë në veri të Kosovës.
Çka tha Vuçiqi?
Fjalët e Vuçiqit nuk ishin aspak shpresëdhënëse, dhe si gjithnjë teatrale.
Ai e quajti situatën si “më të vështirën në 10 vitet e fundit, dhe se nuk bëhej fjalë vetëm për targat”. Vuçiq shtoi se po nisej për në Bruksel por se nuk ishte aspak optimist se do të arrihej një marrëveshje.
“Nëse do të kishte dashur ta shtynte vendimin (për targa ilegale) do ta shtynte më herët,” – tha Vuçiq.
“Tash serbët e kanë kuptuar se nuk ka marrëveshje me atë njeri,” – vazhdoi më tej.
Pozicioni i Kosovës
Qeveria Kurti nuk ka treguar shenja të zmbrapsjes përkundër presionit të shtuar ndërkombëtar ditëve të fundit.
Zëvendësi i Kurtit në Qeveri dhe dialog, Besnik Bislimi, u shpreh edhe qortues ndaj BE-së dhe ShBA-ve për këtë çështje në dy intervista që pati para disa ditësh në vend.
“Kur unë pyes (BE-në) se çka ndodh në gusht të vitit 2023 (pas përfundimit të shtyrjes 10 muajshe), nuk ka pasë përgjigje,” – kishte thënë ai.
Nuk dihet nëse ky qëndrim i Zëvendëskryeministrit Bislimi nënkupton se pala kosovare po pret ndonjë garanci nga BE-ja dhe ShBA-ja se vendimi do të hynte në fuqi pas shtyrjes së radhës.
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka bërë një varg deklaratash në anën tjetër ku është zotuar se nuk do të ketë shtyrje të re, dhe se veprimi i ndërmarrë prej tij përbën thjesht dhe vetëm sundim të ligjit.


