“Marrëveshja për targat, çështje orësh”: Mimoza Kusari i “çudit” edhe Albin Kurtin e Besnik Bislimin - NACIONALE

“Marrëveshja për targat, çështje orësh”: Mimoza Kusari i “çudit” edhe Albin Kurtin e Besnik Bislimin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Çështja e targave është në fokusin e diplomacisë amerikano-evropiane. Një udhëtim në Bruskel dy ditë më parë i Besnik Bislimit, kryenegociator i Kosovës, duket të ketë “shtruar” shtratin drejt një rrugëdalje nga ngërçi i targave. Mëgjithatë, sipas kryeministrit Albin Kurti, i cituar nga REL, negociatat për targat po vazhdojnë.

Ndërsa Mimoza Kusari, shefe e Grupit Parlamentar të LV-së, ishte edhe më e qartë. Sipas saj, zgjidhja për targat është “çështje orësh”.

“Sa i përket marrëveshjes për targat unë jam e informuar që janë duke e marrë shumë seriozisht, dhe që ka pasur shkëmbime mes Besnik Bislimit, si kryenegociator me ndërmjetësit të BE-së në raport me hapat e radhës. Po besoj që është çështje orësh ndoshta të mos them ditësh, se kanë mbetur pak ditë që do të dilet me një zgjidhjeje për të cilën do të ketë ose besojmë që do të ruhet edhe stbailiteti, por natyrisht edhe ligjshmëria.”- ka thënë Kusari në një panel të organizuar nga KDI, transmeton Nacionale.

Për dallim nga zonja Kusari, z.Kurti nuk dha ndonjë afat kohor, gjersa akuzoi Serbinë për qasje destruktive. Ndoshta Kurti, që po qëndron në Estoni për vizitë zyrtare, mund të mos i ketë informacionet e njëjta si Kusari.

“Jemi duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat e reja”, ka thënë Kurti në një konferencë të bashkët me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.

Kurti sërish konfirmoi qëndrimin e tij se nevojitet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.

Se marrëveshja është kaq afër nuk e ka thënë as Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës, i cili e dha një intervistë dje, ku foli për targat.

Çka tha dje Besnik Bislimi?

Ndryshe, në një intervistë për Tëvë 1, Besnik Bislimi foli disi çuditshëm dhe pakuptueshëm, duke mos e sqaruar mjaftueshëm deklaratën e tij. Ai tha se Kosova e ka dërguar me shkrim mënyrën se si e shohin zhvillimin nga java e ardhshme ose muajt në vijim.

“Këto zbardhen në fund kur të kemi dakordim. Ne jemi ende në kontakt me z.Lajçak, sot e kemi dërguar me shkrim mënyrën se si e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e në muajt në vijim. Në atë moment që kemi dakordim, e bëjmë publike”, ka thënë ai.

Gazetarja e televizionit insistoi të kuptonte më shumë nëse një nga modalitetet e propozuara ishte zgjatja e afatit të qortimeve.

“Modalitete janë 20 sosh...”, tha z.Bislimi që vetëm se e turbulloi deklaratën e parë.

Gazetarja insistoi edhe më tutje për një qëndrim, duke e vendosur z.Bislimin në një pozicion të vështirë, që për rrjedhojë e bëri edhe më të pakuptueshëm dyshin e Qeverisë Kurti II.

“Në 20 mund të jetë secili, për të cilin kemi diskutuar ne dhe të cilin e kemi suportu është diçka tjetër”, vazhdoi sërish kryenegociatori.

Kujtojmë që ShBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar në vazhdimësi që të shtyhet afati i zbatimit të reciprocitetit për targa. Madje Gjermania e cilësoi si absurde të rrezikohet një konflikt i dhunshëm për targa, ndërsa Italia e quajti budallallëk një këmbëngulje të tillë nga ana e Qeverisë Kurti.

Dje, krejt papritmas, 9 deputetë të Listës Serbe u betuan në Kuvendin e Kosovës, të cilin regjistrim e quajtën thjesht një vendim strategjik për të penguar Kurtin për të ndryshuar Kushtetutën.

Lajme të ngjashme