Vuçiq: Po shkoj në Bruksel të bisedoj me Kurtin veç për një arsye, marrëveshje nuk pres - NACIONALE

Vuçiq: Po shkoj në Bruksel të bisedoj me Kurtin veç për një arsye, marrëveshje nuk pres

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka dhëne një intervistë për mediat serbe në prag të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në përpjekjen 'e fundit' për të shmangur tensionet në veri të Kosovës për çështjen e targave ilegale në prag të 21 nëntorit.

Vuçiq, ka deklaruar se takimi do të behët nesër në orën tetë në Bruksel.

Sipas presidentit serb, situata është më e rëndë se sa që duket, pasi që nuk behët fjalë vetëm për targat. Vlen të theksojmë që kryeministri Kurti e kishte akuzuar Vuçiqin se po e maskonte refuzimin për planin franko-gjerman përmes tensioneve të shkaktuara në veri të vendit.

‘’Nuk ka dyshim se situata është më e vështirë se në 10 vitet e fundit dhe nuk bëhet fjalë vetëm për targat," tha Vuçiq.

Sipas Vuçiq, kryeministri i Kosovës, për të njëqindtën herë ka deklaruar se nuk do të formojë Asociacion për Komuna me Shumicë Srbe si dhe do të respektojë vetëm ato marrëveshje të cilat i pëlqejnë atij.

“Në Berlin, Kurti, për të njëqindtën herë, tha se nuk do të formojë Asociacionin. Kjo do të thotë se Marrëveshja e Brukselit vlen për të vetëm për pjesën që i pëlqen. E dyta konfiskimi i automjeteve nëse nuk ri-regjistrojnë ato si dhe e treta shkarkimi i Nenad Gjuriqit. Tani serbët e kanë kuptuar se nuk ka marrëveshje më atë njeri," - tha Vuçiq

Sipas Vuçiq, Kurti nuk i do serbët në Kosovë.

"Nëse do të kishte dashur ta shtynte vendimin(për targa), do ta shtynte më herët... Kurti ka treguar se nuk i do serbët në Kosovë," - pretendoi Vuçiq.

Presidenti serb, deklaroi se e vetmja arsye pse është duke shkuar në Bruksel, edhe pse nuk është optimist se çfarë do të ndodh në ketë takim, është që të mos kenë arsye të mjaftueshme për të akuzuar Serbinë se nuk dëshiron të bisedojë.

Lajme të ngjashme