Sulmi brutal i Robellit ndaj Escobarit: Qysh po shihet nga politologët dhe analistët?
Gazetari që mbështet Vetëvendosjen Enver Robelli sulmoi parmbrëmë në mënyrë brutale përfaqësuesin e administratës Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarin. Ky sulm ishte ‘i paralajmëruar’ qysh më herët, pas sulmeve që i ishin bërë edhe diplomatëve të administratës Trump nga mbështetësit e Vetëvendosjes. Pse ndodhi ky sulm?
Fillimisht, të merremi me atë që tha z. Robelli me anë të një statusi në Facebook. Duke u shërbyer me një artikull të vitit 2010 nga gazeta serbe Vreme, ai aludoi se ish ambasadori amerikan William Montgomery ishte i lidhur me krimin e organizuar serb.
Ku është problemi? Gabriel Escobar kishte punuar para dy dekadash në ambasadën amerikane në Beograd, e prandaj ai mund të ishte i lidhur me krimin e organizuar serb po ashtu. Dhe të kishte qëndrime pro-serbe.
Një akuzë edhe më direkte, ishte se Escobar kishte punuar kundër pavarësimit të Malit të Zi, duke “i bartur akuzat e Montgomeryt për Gjukanoviqin dhe Gjingjiqin”.
Për çudi, Nacionales i rezulton se presidenti malazez Gjukanoviq nuk ka ndonjë problem me Escobarin siç pretendon Robelli përmes Vremes. Jo më larg se para disa muajsh, Gjukanoviq kishte folur në telefon me Escobarin në mënyrë “shumë përmbajtësore” për luftën në Ukrainë.
Madje, ata ishin takuar edhe fizikisht në raste tjera me njëri-tjetrin, duke qenë mjaft miqësor.
Zoran Gjinqjiq në anën tjetër, fatkeqësisht, është vrarë në vitin 2003 dhe nuk mund të ketë pasur kontakte me diplomatin amerikan për të cilin po ashtu gazetari në fjalë pretendon se “barti akuza”. Përveç, nëse ky gazetar – i dënuar për shpifje sipas raportimeve nga një gjykatë në Cyrih të Zvicrës – mendon se nuk është vrarë?!
Cili ishte reagimi për sulmin brutal të Robellit?
Politologu dhe sociologu Shkodran Ramadani i tha gazetës Nacionale pak a shumë se ky ishte një sulm i paralajmëruar. Pra, dihej se do të ndodhte. Dhe arsyet ishin politike.

“Sulmet e Vetëvendosjes ndaj Escobarit nuk kanë të bëjnë fare me rolin e tij në dialog. Nuk janë të drejtuara as ndaj tij si individ.” – nisi fjalën e tij Ramadani. Por, ndaj kujt atëherë?
“Këto sulme nxjerrin në pah një gënjeshtër dhe një të vërtetë. Gënjeshtra që zhveshet është kjo: “Vetëvendosja nuk ka problem me Amerikën, por me Donald Trumpin dhe Richard Grenellin”. Ndërkohë, e vërteta që del në pah është se sulmet e Vetëvendosjes ndaj Amerikës nuk nisën e as nuk përfunduan në kohën e Trumpit.” – argumenton më tej ai.
Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se sulmet ndaj Grenellit në veçanti, ndonjëherë eskalonin në sharje personale e të papranueshme edhe mbi orientimin e tij seksual.
A është edhe këtu fajtor Albin Kurti?
“Albin Kurti deri më tash ka pasur problem me çdo president e administratë amerikane. Ka qenë kundër politikës së Clintonit, Bushit, Obamës, Trumpit e tash edhe kundër politikës së Biden. Pra bëhet fjalë për një vizion gjoja anti-imperialist që ushqen këtë qasje infantile, por të rrezikshme të Albin Kurtit ndaj Amerikës dhe për një model të cilin ai e zbaton në çdo proces tashmë e 23 vjet, në rrugë, jashtë institucioneve, në opozitë e në pushtet. Pra, problemi nuk është thjesht një mosmarrëveshje specifike me një administratë amerikane apo me një emisar të saj, por me Amerikën dhe gjithçka që ajo përfaqëson në përgjithësi, sidomos në raport me Kosovën.” – përfundoi ai.
Tjetërkush?
Aktivisti i shoqërisë civile, Petrit Zogaj, i ka përmendur atij dënimin me vendim gjykate.
“Kur jemi te teoritë konspirative, më së shumti besoj tek njerëzit që janë dënu nga gjykata për këso marifetesh edhe atë jo nga gjykatat e Kosovës, por e ndonjë vendi evropian. Pra, njeri konspirativ me vendim gjykate, çka do më shumë.” – tha ai.
Edhe më i ashpër në sarkazmën e tij ishte analisti Agon Maliqi,
“Flitet se në vitin 2008, në ditën kur u shpall pavarësia, Bideni ka qenë duke pirë raki me fqinjin e tij serb dhe, në momentin e shpalljes, i ka ngritur tre gishta duke bërtitur “Zhiveli Srbija!” – tha z. Maliqi në profilin e tij në Facebook.
