"I kam pagu dy gjoba", "S'e kam fitu pozitën në lloto": Kotësia e Besnik Bislimit u shpërfaq qartë dje
Zv. Kryeministri Besnik Bislimi gjatë ditës së djeshme zhvilloi dy intervista në dy televizione të ndryshme në Kosovë. Por, ashtu si intervista horroriale në qershor këto dy intervista ishin absolutisht tmerruese. Çka tha tash?
Të ndalemi fillimisht te Besnik Bislimi virtual. Ani pse është hiç më pak se njeriu i dytë më i pushtetshëm në Qeveri, e ndoshta edhe në Kosovë, Bislimi ndiqet nga vetëm 6 mijë e 100 njerëz në Facebook – rrjetin social dukshëm më popullor në Kosovë.
Në intervistën e fundit të publikuar prej vetë atij, dhënë për RTK Prime, ai deri tash (13:01) i mori vetëm 83 pëlqime. Por, ‘trishtimi’ nuk ndalet këtu: numri i shikimeve të intervistës së tij ku po fliste pak a shumë për fatin e kombit është vetëm rreth 420.
Shumica dërmuese e zyrtarëve të Vetëvendosjes, jo vetëm që s’e kanë shpërndarë por madje as nuk e kanë pëlqyer atë që Bislimi ka thënë. Madje, ata del se nuk pëlqejnë as postimet tjera të zyrtarit më të pëlqyer e më të besueshëm të liderit të tyre, Albin Kurtit.
Çka tha Bislimi?
Të dyja intervistat, z. Bislimi i zhvilloi në zyren e tij dhe jo në studiot e televizioneve respektive. Dhe, në të dyja intervistat, ai fliste në mënyrë të paqartë e absurde derisa shfaqte edhe arrogancë ndaj gazetareve.
Ja çka tha në një moment duke shpjeguar fazën e gjobave për zbatimin e vendimit për targat ilegale.
“Unë jam zv. Kryeministër por i kam pagu dy gjoba vetëm këtë vit – bile njërën as s’e di pse e kam pagu... Dmth nuk ka qytetarë të imunizuar ndaj gjobave.” – tha ai.
Duhet të shpresojmë që këtë argument nuk do ta përdor në Bruksel ku shërben si kryenegociator i Kosovës.
Ai më pas, vazhdoi të kritikonte mos-zbatueshmërinë e marrëveshjeve.
“Nuk ka asnjë marrëveshje të Brukselit që nuk mund të mos atakohet për elementet e veta, por edhe si të tilla janë bërë edhe më të këqija përmes mos-implementimit,” – tha Bislimi, megjithëse Vetëvendosje – partia në të cilën bën pjesë – është zotuar të mos zbatojë por të rishikojë këto marrëveshje.
Më pas, ai përmendi marrëveshjen problematike për energjinë. Elektrosever – operatori serb – kishte shkelur afatet e vëna për plotësim të kushteve, por z. Bislimi duket se nuk e shihte si gjë problematike.
Më beson Albini
Më pas, për shkak të zgjedhjes së gabuar të fjalëve ai vuri në pikëpyetje vetë pozicionin e tij duke kërkuar besim për “ato që i di” në lidhje me atë që pritet të ndodh më 21 nëntor (mundësisë së tensioneve).
“Këto pozita nuk i kemi fitu në llotari... me zgjedhje të lira ka fitu Lëvizja Vetëvendosje, por kjo ulëse nuk është fitu në zgjedhje (pozita e Zv. Kryeministrit), këtë ulëse ma ka besu kryeministri (Kurti).”
Besnik Bislimi nuk kishte marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 si kandidat për deputet, e nuk kishte marrë pjesë as në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Por, kjo s'ka rëndësi. Rëndësi ka që në fakt në një formë (jobukfale) ai e ka fitu pozitën në llotari. Zv. Kryeministër ishte edhe Haki Abazi. Zv. Kryeministre është edhe Emilja Rexhepi. Të papërgatitur aq sa dhemb thjesht të merresh me ta..
Por, pavarësisht argumente të çala ai nuk ngurroi në mënyrë arrogante të sulmonte edhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, ShBA-të dhe BE-në.
“Kur unë pyes se çka ndodh në gusht të vitit 2023, nuk ka pasë përgjigje,” – thotë z. Bislimi duke kritikuar Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kërkesën që afati për targat të shtyhej për 10 muaj.
Bislimi po ashtu u bë një zëdhënës i madh i konfidencialitetit në proces, një eufemizëm për mostransparencën dhe për gënjeshtrat e shumta që mund t’i thuhen popullit për një çështje që prek fatin e tyre në mënyrë direkte.
“Nuk është aq e rëndësishme a është Albin Kurti transparent, apo Besnik Bislimi transparent. Është e rëndësishme epilogu final,” – tha ai.
Plani franko-gjerman
Besnik Bislimi kishte pasur fjalë të tjera prej atyre të shefit të tij në planin franko-gjerman. Ai kishte thënë që ishte “më afër Serbisë” pasi nuk përmbyllte procesin. Çka tha tash?
“Ne i kemi dërguar pesë faqe me qëndrime tona për këtë plan. Janë propozime tona për me ndryshu planin. Plani është fillimi pastaj fillojnë negociatat, ne përpiqemi që t’i fusim të gjitha rekomandimet tona por nuk varet nga ne kjo, ne nuk e dimë as cilat janë kërkesat e Serbisë në këtë proces,”
Pra, me fjalë të tjera s’tha asgjë.
Në fakt, Bislimi nuk tha asgjë relevante në lidhje me asnjë çështje të rëndësishme.

