Qeveria e Kosovës: Kurti e ka njoftuar Ramën që nuk do të shkojë në takim për shkak të vizitës në Greqi
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht se kryeministri, Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në takimin joformal me kryeministrat e tjerë në Tiranë, të organizuar nga kryeministri, Edi Rama. Kurti aktualisht ndodhet në Greqi ku po merr pjesë në një konferencë.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se para një javë, kryeministri Kurti është ftuar nga Rama për drekë jofromale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se Kurti e ka njoftuar Ramën që nuk mund të marrë pjesë në drekë pasi Kurti më parë kishte konfirmuar se do të shkojë në Greqi për një konferencë, ku sipas Kryeziut, paneli për Ballkanin Perëndimor është në ditën e njejtë.
Ai ka lënë të kuptohet se Kurti do të marrë pjesë vetëm në Samitin e Procesit të Berlinit, dhe jo në takime tjera rreth këtij samiti.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023.” – ka shkruar Kryeziu.
Ndërkohë të dielën, Zyra e Kryeministri, ka lëshuar njoftim për medie ku ka bërë të ditur se Kurti ka udhëtuar në Greqi.
Ai do të marrë pjesë në në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nga sot po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar. Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit. Ky edicion i sivjetëm titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Ëhich Ëorld in 2030? Addressing the Icarus Syndrome). Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.” – thuhet në njoftimi.
Ndërkaq, Kosova do të mbetet e pa përfaqësuar në takimin në Trianë, për shkak se siç mëson Nacionale, takimi mbahet vetëm në nivel të kryeministrave dhe Kosova nuk mund të përfaqësohet me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Çka është takim në Tiranë?
Ky takim pritet të mbahet në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Procesit të Berlinit, i cili pritet të mbahet në tetor në Tiranë.
Para një jave, kryeministri Rama për t’u përgatitur për Samitin Procesi i Berlinit, bëri disa vizita në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Rama për vizitë ishte edhe në Kosovë, por që nuk u takua me kryeministrin, Albin Kurti, por veç me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.



