Pushteti me ‘sulm’ karikaturesk ndaj KFOR’it: “Nuk po sheh, nuk po nin, nuk po flet”
Në lidhje me ngjarjet e fundit në veri ku tre policë kufitarë u rrëmbyen nga shteti serb (Kosova pretendon thellë në territor të saj, Serbia pretendon ‘arrestim’ thellë në territor të saj), eksponentë të pushtetit me në krye Albin Kurtin, kanë gdhendur gjuhën ndaj misionit paqeruajtës të NATO’s në Kosovës, KFOR’it. Madje, tash e kanë vënë në funksion një maksimë piktoriale të famshme japoneze “nuk shoh, nuk nij, nuk flas”; kuptimi origjinal i së cilës mëveshë parimin e urtisë: “mos shih keq, mos nij keq, mos flit keq”. Por, megjithatë, karikatorët e medias së afërt me ta, mund ta kenë ngatërruar (ose qëllimisht ndërruar) kuptimësinë e kësaj proverbe.

Kësaj “fushate” shkëndijën ia dha kryeministri kosovar, Albin Kurti, duke folur nga foltorja e Kuvendit të Kosovës. “Janë bërë 30 orë e KFOR’i asgjë”, tha ai dje para deputetëve t’u ketë prostuar ambasadorëve të shteteve të QUINT’it. Fjalën e kishte për mosreagim dhe mosshpjegim nga ana e KFOR’it.
“Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare, që ishte dashur ta përmbushë efektivisht”, tha ai.
Mjaftoi që të udhëheqte këtë llokomotivë kritikash, që të nesërmen të pasonin vagonët partiakë të amplifikimit të saj. Megithatë, alegoritë e metaforat në politikë, janë jo rrallëherë të pasakta dhe mund të interpretohet në kahun e kundërt nga ç’është paramenduar.

Çfarë figure?
Albulena Haxhiu, me mëngjes, në rrjetin e saj në Instagram postoi një fotografi në formë karikature me KFOR’in. Tre ushtarë (ose 1) duke i mbyllur shqisat e të parit dhe të dëgjuarit. Por edhe “shqisën” kryesore, atë të të folurit.

Çfarë shënjon kjo origjinalisht: Ka kuptime të ndryshme që i atribuohen tre majmunëve (sy/vesh/goj mbyllur) dhe fjalëve së urta, duke përfshirë lidhjet me të qenit me mendje të dëlirë, fjalë dhe veprime - negacion i të keqes. Shprehja në këtë rast u vu në funksion të përçimit të mesazhit subjektiv të tyre: s'po shohin, spo flasin, s'po nijnë (për ne).
Por, pse? KFOR’i para mëse dy javësh ka thënë se veprimet e fundit të qeveris kosovare janë bërë pa dijeninë dhe pa konsultim e koordnimin me KFOR’in; kështu duke lënë të kuptohet se as qeveria kosovare s’ka dashur të “dëgjojë, shoh e flas” me misionin paqeruajtës. Pse dhe si?
Shpjegimi i Komandatit të KFOR’it për tensionet në veri dhe dhunën ishte kësisoji para mëse dy javësh: për shkak të vendimit “të dytë të njëanshëm” të qeverisë kosovare “për të përdorur forcën pa u konsultuar me ne”.
Ristuccia do të tregonte saktësisht për “kokëfortësinë” e kohëve të fundit, sipas tij, të treguar nga qeveria kosovare.
“Kokëfortësia e autoriteteve vendore shqiptare për të mos vepruar sipas indikacioneve të marra nga partnerët perëndimorë, indikacione që shërbejnë për të lehtësuar dialogun veçanërisht në dritën e progresit të bërë me marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër, ka dobësuar shumë ekuilibrin”, i tha ai ditë më parë gazetës italiane “la Repubblica”.
Njëjtë do të shprehej edhe në intervistën e tij të fundit të dhënë mbrëmjen e së shtunës. “Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”.
Tash ai do t’u binte toneve që pasqyrojnë dritën reale të gjendjes në terren: “Për të qenë edhe më i saktë, them se nëse sot nuk jemi këtu për të mbajtur zi për të vdekurit në mesin e popullatës serbe apo në mesin e policëve shqiptarë etnikë, kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë”.
Çfarë tha dje KFOR’i duke mos u përgjigjur?
Në (mos)përgjigjen e KFOR’it, kishte edhe gjëra që mund të lexoheshin si përgjigje implicite.
Nuk i referohej si “kidnapim” ose “rrëmbim” por vetëm si arrestim.
Por, as edhe një gjë tejet kyçe – nuk thanë që ky arrestim ndodhi as në territor të Kosovës e as në të Serbisë. Këtë pjesë e kaluan heshtazi.
Tjetra gjë që s’e thanë, ishte që ato ishin pjesë e njësive speciale ushtarake “Kobra”. Thanë thjesht Polici e Serbisë.
Në një përgjigje për Nacionalen, KFOR-i përgjigjet kështu; thënë përmbledhtazi: Nuk ishim aty.
“Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR’i, nuk ishte në atë zonë kur tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga Policia e Serbisë”, tha KFOR’i.
“KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”./Nacionale/.

