“Pse s’po më arrestojnë atëherë?”: Qysh nisi e qysh u bënë për pesë pare dy serbët kyçë në Qeverinë e Kurtit - NACIONALE

“Pse s’po më arrestojnë atëherë?”: Qysh nisi e qysh u bënë për pesë pare dy serbët kyçë në Qeverinë e Kurtit

1 javë më parë

nga NACIONALE

“Nëse qenkam angazhuar në veprimtari e sjellje të dyshimta, pse nuk jam arrestuar? Jam në dispozicion të autoriteteve”.

I bindur se ka punuar “në të mirën e qytetarëve dhe qeverisë kosovare”, kështu i kundërpërgjigjet Radoica Radomiroviq, ish-shefit politik të tij, Nenad Rashiq, i cili dje në konferencë për shtyp dha arsyet se pse e shkarkoi.

Njëherë Rashiq tha se “e kam lutur Zyrën e Kryeministrin ta shkarkojë” për të vijuar një minutë më vonë se “Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi më njoftuan për sjellje të tij të dyshimta”; çka përbënte kundërthënie në vete.

Retrospektivë...

Që nga largimi i Listës Serbe nga institucionet kosovare – tash e dy vjet më parë – Nenad Rashiq dhe Radoica Radomiroviq ishin dy serbët që zunë vend në qeveri.

Si obligim kushtetues Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjeti Rashiqin për të mbushur boshllëkun qeveritar që krijohej; ndërsa ky i fundit solli Radomiroviqin.

Nacionale pati raportuar për profilin skajshmërisht kontraverz të Radoica Radomiroviq – prej pjesëmarrjes së tij në armatën serbo-jugosllave në luftime në Vukovar të Kroacisë e deri te të qënit pjesë e administratës ushtarake të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë.

Rashiq – edhe Kurti – e mbrojtën publikisht me arsyetimin se “nuk ka marrë pjesë në operacione luftarake”.

Tek ditë më vonë raportuam se i biri i tij, Nikolla Radomiroviq, u emërua Drejtor në Komunën e Leposaviqit e cila po udhëhiqej nga Lëvizja Vetëvendosje dhe po asistohej nga Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe Ministria e Pushtetit Lokal.

Nikolla Radomiroviq kishte bërë një kapërcim gjigant: deri pak para se të emërohej nga Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi në kabinetin e Lulzim Hetemit ai kishte qënë ushtar në Ushtrinë e Serbisë në Rashkë.

Askush s’kishte reaguar: Prej i uniformuar nga Rashka në drejtor në një komunë të Republikës së Kosovës. Përkundrazi ishte reaguar në mbrojtje të tij edhe nga vetë Xhelal Sveçlai kur Radomiroviq ishte arrestuar në Serbi duke e quajtur “serb lojal ndaj Kosovës, shtetit të tij”.

Radoica i shkarkuar, dhe veriu

Rashiqi s’ishte dikush që kishte autoritet në veri; veriu s’ishte zonë e tij e influencës. Këtu hynte ish-vartësi i tij; i cili ndonëse në numra të pakët arrinte të gjente serbë që s’ishin nën patronazhin e Listës Serbe.

I tërë profili i tij në Facebook ishte plot e përplotë denoncime të Listës Serbe – çdo ditë lume nxirrte kontratat e dyshimta të Listës Serbe kur këta kishin qenë në qeverisje: prej atyre në institucionet e Republikës së Kosovës në qeverisjet e mëhershme e deri te ato të komunave të paligjshme paralele serbe.

Radimorviq paraqitjes si dikush i pakompromistë ndaj Listës Serbe deri në nivel konfrontimi edhe fizik.

Qysh një ditë pas Bansjkës, Radoica Radomiroviq – pa u dhënë konstatimet nga autoritetet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës – ai e dinte pa-një-pa-dy se ku duhej kërkuar kryerësin e sulmit paraushtarak dhe terrorist në Zveçan: Lista Serbe.

“Lista Serbe i ka armatosur”, na pati thënë Radomiroviq në cilësinë e Zëvendës Ministrit për Komunitete dhe Kthim, dhe se tre të vrarit serbë në Bansjkë “janë të afërmit e tyre”.

Thirreni (ish-Kryetarin e Leposaviqit, Zoran)Todiqin dhe (Nënkryetarin e Listës Serbe, Igor) Simiqin, ata mund t'ju japin informacione të sakta pasi i kanë armatosur vet. U vranë njerëz shumë të afërt”, pati thënë Radomiroviq për Nacionalen mëngjesisn e 25 shtatorit të vitit të kaluar, vetëm një ditë pas Banjskës; ndërsa ende s’ishim dhënë as kualifike e as konstatime zyrtare nga institucionet e sigurisë kosovare.

Dhe ashtu doli: sulmi qe udhëhequr nga Nënkryetari i asokohe i Listës Serbe, Milan Radojçiq, ndërsa Lista Serbe mbajti zi, i përkujtoi dhe nderoi sulmuesit paraushtarak dhe terroristë serbë të rënë në luftimet me Policinë e Kosovës.

Radomiroviq, tash i shkarkuar

Po më akuzon si bashkëpunëtor të shërbimeve serbe, BIA-s, është absurde...unë kam hyrë në konfrontim me shtetin serb”.

Kështu thotë tash Radomiroviq në kundërpërgjigje të Rashiqit, ndërsa shprehet i kujdesshëm të shpjegojë se me ministrin Sveçla dhe Krasniqi ka pasur bashkëpunim “korrekt dhe profesional”.

Kam punuar në interes të Qeverisë së Kosovës, ata deshtën të integrojnë veriun”, thotë Radomiroviq.

Por pse s’mendon kështu ish-shefi i tij, Rashiqi?

Ky i fundit, që e solli vetë në qeveri tash thotë se “që nga fillimi, ju mediat e dinit, që ka qenë person kontraverz”; anipse kur kontroverzialiteti i tij ishte raportuar, kishte bërë ç’mos që ta përgënjeshtronte secilin raportim.

Por, prishja mes tyre, kupton Nacionale nga burimet e saj – del të ketë qenë çështje interesi monetar e aspak parimore e politike.

Edhe Radomiroviq kryekëput e jep të ketë qenë çështje fondesh – dhe mungesës së fondeve nga Ministria për veriun.

Radomiroviq i kërkon Rashiqit “përballje televizive”.

Një emër del në këtë mes: Millan Dabiq, zyrtarisht “ekspert i jashtëm” në MKK, tha Nenad Rashiqi në pyetjen e gazetares së Nacionales, Anita Nikaj.

Për Radomiroviqin “është ky njeri i cili i merr krejt paratë e ministrisë “ dhe se “është alfa dhe omega i parave”.

Ky i fundit nuk është përgjigjur në pyetjet e Nacionales rreth pretendimeve të ngritura ndaj tij nga Radomiroviq.

Arsyetimi i Rashiqit..

Sa i përket ish/zëvendësit Radomiroviq. Kam qenë i informuar nga Sveçla e Krasniqi, për një sjellje të dyshimtë politike të Radomiroviqit. Dhe nga ana e ministrisë e kemi vërejtur një sjellje, performancë jo të kënaqshme”.

Kështu u shpreh dje në një konferencë për shtyp ministri Nenad Rashiq, i cili tha se qysh para dy jave i ka kërkuar dorëheqjen Radimoriviqin, për çka ky i fundit e quan “gënjeshtër”.

Më është dashur ta lusë zyrën e kryeministrit që ta shkarkojë, për shkak të punës jo të mirë, edhe për shkak të gjithë mundin që e kemi bërë si qeveri, si Kosovë, për t’iu ndihmuar të gjithëve në nevojë. Edhe ju edhe ne, e dini se që nga fillimi, Radomiroviq ka qenë person kontrovers, edhe unë e kam ditur nga fillimi se nuk e ka kapacitetin e sjelljeve dhe karakterin e duhur për ta përfaqësur qeverinë tonë në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh mes tjerash Nenad Rashiq.

Lajme të ngjashme