Pse PDK dhe LDK po e kundërshtojnë kryeministrin Kurti për marrëveshjen në Ohër? - NACIONALE

Pse PDK dhe LDK po e kundërshtojnë kryeministrin Kurti për marrëveshjen në Ohër?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pranimi i propozimit të Bashkimit Evropian dhe arritja e marrëveshjes për zbatimin e tij nga kryeministri, Albin Kurti më 18 mars në Ohër, është mashtrim dhe humbje historike.

Kryetarë e këtyre dy partive, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku në vazhdimësi kishin shprehur rezervat e tyre për këtë plan.

Tash kur Kurti është pajtuar që të zbatohet marrëveshja që ka dalur nga propozimi i BE-së, Krasniqi e Abdixhiku përsëri kanë kritikuar shefin e ekzkutivit.

“Dështim i madh politik”

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka parë si dështim të madh politik, pranimin për zbatimin e marrëveshjes nga ana e kryeministrit, Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kurti pranoi në Ohër gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte.

Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta.” – ka shkruar ai.

Më tej, ai ka thënë se Kosova për vite me radhë “do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë” dhe se marrëveshja është e pamjaftueshme.

Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.” – ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se mungesa e njohjes reciproke në marrëveshje, është dështim që do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë.

Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë.” – ka theksuar ai.

“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”

Në anën tjetër, lideri i dytë opozitar, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pajtimi dhe marrëveshja është një “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë më 18 mars ka përfunduar një kauzë politike e rremë, që sipas tij Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë.

Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike - ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë - që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë - përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë. Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më.” – ka shkruar Abdixhiku.

"Do ta nënshkruaja"

Ndërkaq, i vetmi që ka përkrahur, Qeverinë Kurti në raport me propozimin e BE-së, është Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. Edhe në intervistën për Nacionalen, z. Haradinaj ka thënë se edhe ai do ta nënëshkruante.

Unë realisht herët i kam dhënë përkrahje këtij procesi, i falënderoj aleatët tanë të sigurisë, veçanërisht ato të Amerikës, për mënyrën që m’kanë mbajtë të informuar, m’kanë bë pjesë dhe i kanë shqyrtu shqetësimet e mia për këtë marrëveshje. Mendoj që kam një kontribut për këtë marrëveshje…Duke qenë kështu, po do ta nënshkruaja” – theksoi Haradinaj.

Ndryshe, Kurti dhe Vuçiq pas një takimi gati dymbëdhjetë orësh në Ohër të shtunën, kanë rënë dakord për një aneks zbatues të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme