Haradinaj i qartë: Do ta nënshkruaja marrëveshjen evropiane, nuk e prek sovranitetin e Kosovës - NACIONALE

Haradinaj i qartë: Do ta nënshkruaja marrëveshjen evropiane, nuk e prek sovranitetin e Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka mbetur edhe një ditë para takimit mes Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiqit, president i Serbisë, në Ohër. Në lidhje me takimin e nesër dhe marrëveshjen evropiane, ka folur sot Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. Edhe në intervistën për Nacionalen, z. Haradinaj ishte i qartë, duke theksuar se takimi i nesërm është pjesa e dytë e takimit të 27 shkurtit.

Ish-kryeminstri kosovar tregoi se pret finalizim të pjesës zbatuese, pra aneksit.

“Kjo është pjesa e dytë e një takimi të rëndësishëm, të atij që ndodhi në ma herët në Bruksel. Pra jemi në pjesën e dytë. Mendoj që në pjesën e parë janë marrë obligimet si për planin bazë, ashtu edhe për aneksin implementues. Mirëpo jam i bindur që nesër do të finalizohet edhe pjesë implementuese” – tha z. Haradinaj për gazetën Nacionale.

Sipas Haradinajt, arritja e kësaj marrëveshje nuk ka qenë e lehtë.

“Nuk ka qenë lehtë të arrihet të ky propozim pasë parasysh menaxhimin shumë të dobët të dialogut e proceseve të brendshme, po flas për interesin e Kosovës, nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës. Ju kujtohet koha e tabelave” – theksoi tutje Haradinaj.

I pyetur nga gazetari Berat Buzhala se pse e përkrah këtë marrëveshje, Haradinaj vlerësoi se përmes kësaj marrëveshjeje nuk preket sovraniteti e as integriteti territorial i Kosovës.

“Ajo që m’ka gëzu çdo herë është që ruhet sovraniteti, ruhet tërësia territoriale, ruhet kushtetutshmëria e vendit dhe nuk ka një kompensim për këtë marrëveshje me Serbinë. Ndërsa Serbia, përveç që e njeh de facto Kosovën, e njeh edhe de jure pavarësinë e Kosovës në planin ndërkombëtar” – vlerësoi Haradinaj.

I pari i AAK-së e përmendi si arritje edhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në “Parneritetin për paqe” të NATO. Megjithatë, Haradinaj ishte kritik ndaj mënyrës se si ka dialogur Kurti, duke thënë se e ka menaxhuar dobët procesin e dialogut. Tutje, Haradinaj vlerësoi se zbatimi i Asociacionit parashihet përmes kësaj marrëveshjeje.

“Tani e ka menaxhu shumë dobët dialogun, duket se ka qenë në një luftë me veten, të kaluarën e tij, mirëpo i gjithë ky process është serioz, përmban të gjitha obligimet përfshirë Asociaiconin.” – ishte i qartë Haradinaj.

Ish-kryeministri Haradinaj ishte i bindur se do të ketë pasoja për cilëndo palë që nuk e nënshkruan marrëveshjen.

“Pasojat do të jenë të mëdha për këdo që s’i merr përgjegjësitë.” – deklaroi z. Haradinaj.

Ndërsa, ai tha se do ta nënshkruante këtë marrëveshje.

“Unë realisht herët i kam dhënë përkrahje këtij procesi, i falënderoj aleatët tanë të sigurisë, veçanërisht ato të Amerikës, për mënyrën që m’kanë mbajtë të informuar, m’kanë bë pjesë dhe i kanë shqyrtu shqetësimet e mia për këtë marrëveshje. Mendoj që kam një kontribut për këtë marrëveshje…Duke qenë kështu, po do ta nënshkruaja” – theksoi Haradinaj.

Ndryshe, liderët Kosovës, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, janë deklaruar optimistë në lidhje me pritshmëritë nga takimi i Ohrit.

Zyra e Kryeministrit ka lëshuar një komunikatë në të cilën thuhet delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim. Ai falënderoi z. Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.

Lajme të ngjashme