Liderët institucionalë optimistë për takimin e Ohrit: Delegacioni udhëton me besim të mirë - NACIONALE

Liderët institucionalë optimistë për takimin e Ohrit: Delegacioni udhëton me besim të mirë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Liderët institucionalë të Kosovës janë shprehur optimist për takimin e nesërm të Ohrit. Pas takimeve që kanë pasur emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, ata kanë shprehur besimin e tyre se takimi do të sjellë rezultate konkrete për Republikën e Kosovës.

Një ditë para takimit, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamenatri Glauk Konjufca në deklarimet e tyre kanë përmendur njohjen reciproke, por nuk kanë treguar nëse do të insistohet në takim për ketë çështje.

Sipas tyre, delegacioni kosovar udhëton për Ohër me vullnet dhe besim të mirë.

Në një konferencë të përbashkët për media me diplomatin amerikan, presidentja Osmani ka thënë se Republika e Kosova do të vazhdoj të angazhohet me dialog me përkushtim të plotë dhe me qasje konstruktive.

Ne besojmë se një marrëveshje të drejtë e gjithëpërfshirëse ku përfshihemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqen afatgjate, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresën për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për të penguar këtë rezultat nëpërmjet kushtëzimit mund ta dëmtoj pastaj tërësisht procesin e dialogut”, është shprehur Osmani.

Ajo ka treguar pritshmëritë që ka për takimin.

Pritshmëria nga ana ime si presidente është që marrëveshja të sjellë rezultate konkrete, të prekshme për Kosovën, do të sigurojë integrimin e Kosovës në proceset euroatlantike, integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Kjo do të rezultojë më pas me shpërbërje të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale serbe. Po ashtu kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat do ta shtrojnë rrugë drejt njohjes reciproke”, ka deklaruar Osmani.

Më tej, e para e shtetit të Kosovës ka vlerësuar se marrëveshja duhet ta respektojë Kushtetutën e Kosovës.

Është me rëndësi që rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti si dhe funksionaliteti i brendshëm i Republikës së Kosovës të ruhen me çdo kusht. Është thelbësore që çdo marrëveshje të jetë e zbatueshme dhe të mbështetet nga i gjithë populli, si dhe të miratohet në Kuvend në mënyrë transparente dhe efektive”, ka theksuar Osman.

Emisari amerikan një takim të gjatë ka zhvilluar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit, nuk ka pasur deklarime për medie.

Kurse, Zyra e Kryeministrit ka lëshuar një komunikatë në të cilën thuhet delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë.

U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim. Ai falënderoi z. Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.

Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Pas takimit, Konjufca ka vlerësuar se me mysafirin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe për hapat e mëtejme të dialogut Kosovë-Serbi.

Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të mira nga Ohri pret edhe Escobar

Optimist për takimit e Ohrit është shprehur edhe emisari amerikan Gabriel Escobar. Në konferencën e përbashkët për medie me presidenten Osmani, ai ka thënë se pret lajme të mira nesër nga Ohri.

Ne kemi si qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësinë për Kosovën dhe Serbinë për tu bërë pjesë e komunitetit euroatlantik. Dhe mendoj që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, mundëson një mundësi të jashtëzakonshme për marrëdhënie paqësore, të qëndrueshme dhe produktive nëpërmjet dy vendeve të rëndësishme”, ka thënë Escobar.

Ai ka thënë se një marrëveshje në mes të dy vendeve do të ndikonte.

Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funskionoj për Kosovën, dhe jo vetëm për Kosovën po për rajonin”, është shprehur Escobar.

Escobar nesër do të jetë pjesë e takimit në Ohër ku do të takohen kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq. Ambasada amerikane në Shkup ka treguar se Escobar do të jetë në cilësinë e vëzhguesit në takim.

Një ditë më parë, diplomati amerikan ka takuar edhe liderët e partive politike opozitare. Deri me tani për takimin e mbrëmshme nuk janë deklaruar PDK-ja dhe LDK-së, të cilat kanë shprehur rezerva për Planin e BE-së.

Kurse, AAK-ja ka treguar se e mbështet planin.

Pa asnjë mëdyshje e kemi vlerësuar se është një marrëveshje që brenda vetes ka njohjen "defakto" të shtetit të Kosovës dhe që është interes nacional i yni! I kemi dhënë mbështetje këtij projekti pa kurrfarë kalkulimi partiak apo elektoral. Prandaj përpjekja e disa individëve, apo grupimeve të caktuara që këtë qëndrim të interesit nacional e shtetëror të Aleancës, ta vendosin në mozaikun e shkurtpamësisë së tyre, s'është gjë tjetër përpos mjerimi i tyre!”, është thënë në komunikatën e AAK-së pas takimit me diplomatin amerikan.

Në takimin e Ohrit pritet që palët të diskutojnë për aneksin e zbatimit të Panit të BE-së, për të cilën palët janë pajtuar në takimin e 27 shkurtit.

Lajme të ngjashme