“Asociacion Plus”: LDK e ashpër kundër Kurtit dhe e befasuar pas marrëveshjes së Ohrit - NACIONALE

“Asociacion Plus”: LDK e ashpër kundër Kurtit dhe e befasuar pas marrëveshjes së Ohrit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka kundërshtuar me një ashpërsi të madhe pranimin që i ka bërë kryeministri Kurti Aneksit të Zbatimit të Propozimit Evropian. Çka po thonë nga kjo parti politike?

I pari që foli ishte edhe i pari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku. 24 pas mesnate, ai do të shkruante se marrëveshja në fjalë ishte “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”.

“Një marrëveshje pa njohje, jofinale dhe me Asociacion Plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot.” – komentoi lideri i LDK-së.

Paraprakisht, kryeministri i vendit e kishte pranuar se Propozimi nuk e përmbante njohjen de jure por kishte insistuar se megjithatë e kishte “njohjen de fakto” që po shihet gjerësisht si një tjetër mashtrim i tij.

Asociacionin Plus e përmendi edhe Jehona Lushaku Sadriu nga kjo parti politike.

Ajo konsideroi se Kurti me VV-në i kishin bërë koncesionet më të mëdha ndonjëherë.”

“Arritën një marrëveshje që siguron nivel të ri vetëmenaxhimi të komunitetit serb – Asociacion Plus! Pa njohje, por me tejkalim të së kaluarës e status të kishës serbe.”argumentoi ajo.

I aderuari i fundit në këtë parti, Berat Rukiqi, ka denoncuar argumentimin e VV-së se presidenti serb Vuçiq nuk e ka nënshkruar marrëveshjen. “Me gjasë, nuk paskan arritur mjaftueshëm të lexojnë dhe të kuptojnë që marrëveshjet mund të pranohen dhe zbatohen edhe pa qenë të nënshkruara.” – u shpreh ai.

Në fakt, këtë argument e ka përdorur edhe kryeministri Kurti duke thënë se po të ishte marrëveshja e mirë për Serbinë, Vuçiqi do ta nënshkruante. Vetëm Armend Muja nga VV duket se po e kupton një gjë të tillë, pasi me anë të një statusi e pranoi se për marrëveshje ndërkombëtare nuk ishte i domosdoshëm nënshkrimi.

Vuçiq ishte tallur po ashtu sot, duke thënë se “i dhimbte dora” dhe për atë arsye nuk nënshkruante.

Kujtojmë se Partia Social-Demokrate ka paralajmëruar protestë për të shtunën e ardhshme (25 mars) kundër kësaj marrëveshjeje duke i kërkuar edhe dorëheqjen kryeministrit Albin Kurti.

Lajme të ngjashme