Protestë para ambasadës serbe në Tiranë për situatën në veri të Kosovës: "Jo asosacioneve"
Një protestë është mbajtur sot para ambasadës së Serbisë në Shqipëri për shkak të situatës në veri të vendit.
Dhejtëra protestues mbajtën në duar pankarta me “Mitrovica është Shqipëri”, “Ne jemi një”, “Të gjithë trojet shqiptare janë me ty Kosovë”, “Jo asosacioneve në tokat shqiptare”, e të tjera.
Po ashtu, protestuesit kanë bërë thirrje “Kosova është Shqipëri" dhe kanë shprehur kundërshtim për Asociacioni.
“Në mënyrë paqësore ata kërkojnë që Serbia të heqë dorë nga provokimet.”, raporton Top Channel.
Kujtojmë se sot janë bërë 18 ditë që nga vendosja e barrikadave në komunat veriore të Kosovës.
Ndërsa gjatë orëve të para të së martës bandat kriminale kanë vendosur edhe dy barrikada të reja, një në Mitrovicën Veriore dhe një në Zveçan.
“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda. Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kershi i Dudes.”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në anë tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për mediumin boshnjak ka thënë se në veri të vendit janë të vendosura 11 barrikada.
Kryeministri, ndër të tjera tha se këto barrikada do të largohen brenda disa ditëve, që nuk do të jenë javë apo muaj. Madje, sipas kryeministrit, nëse këtë gjë nuk e bën KFOR-i, do ta bëjnë autoritetet e Kosovës.
“Nëse këtë nuk e bënë KFOR-i, do ta bëjmë ne. S’mund të zgjasin për muaj. As për javë, por vetëm disa ditë”, ka thënë Kurti.


