Protestë kundër 'apartheidit'? Çka dihet për ngujimin 28 ditor të Lulzim Hetemit, kryetarit të Leposaviqit - NACIONALE

Protestë kundër 'apartheidit'? Çka dihet për ngujimin 28 ditor të Lulzim Hetemit, kryetarit të Leposaviqit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është dita e 28 prej që Lulzim Hetemi u fut në zyren e tij në ndërtesën komunale në Leposaviq. Çka dihet për këtë vetëngujim saktësisht?

Në orët e para të 29 majit, ditë e hënë, kryetari i zgjedhur i komunës së Leposaviqit që vjen nga radhët e Vetëvendosjes u fut brenda zyres së ndërtesës komunale. Megjithëse u mor vesh se u fut, sidoqoftë nuk dihej se ai nuk do të dilte prej aty pasi ta përfundonte orarin e punës.

Bashkë me Hetemin u raportua se ishte futur edhe deputeti Salih Zyba. Por megjithatë, ai do të dilte disa ditë më pas.

Qysh u mor vendimi për ngujim?

Një ditë para nisjes së ngujimit - më 28 maj, ditë e diele - Lëvizja Vetëvendosje e kishte mbajtur një mbledhje partiake në orët e mbrëmjes. Besohet se ky kishte qenë momenti dhe vendi ku ishte marrë një vendim i tillë.

Nuk dihet nëse i pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Dhe nuk dihet se si shërben në “shtrirjen e sovranitetit” një veprim i tillë.

Hyrje-dalje

Lulzim Hetemi megjithatë nuk ka qëndruar vetëm në komunë. Siç e thamë më lart, bashkë me të për disa ditë qëndroi deputeti Salih Zyba. Ndërsa, ka pasur vizita edhe nga zyrtarë të tjerë, siç ishte rasti i Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi.

Ndërkohë, së fundi u mësua që edhe zv. ministri Arbër Vokrri kishte qëndruar për nëntë ditë me kryetarin. Për një gjë të tillë Vokrri njoftoi vetë përmes një postimi në Facebook, por të cilin si duket e ka fshirë.

Nga kjo kuptojmë se zyrtarë të VV-së – të paktën dy prej tyre – e kanë shoqëruar e madje edhe e kanë kaluar natën me Hetemin.

Vetëvendosje nuk ka qenë transparente për të treguar se cilët zyrtarë të saj e kanë bërë një gjë të tillë. Dhe pse duhej të ndodhte. Sidoqoftë, se ka ndodhur kjo tashmë dihet.

“Çka s’i thonë”

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka provuar që ta portretojë Hetemin si një “qëndrestar shembullor” megjithëse ka shumë boshllëqe në këtë tregim. P.sh. meqë mund të hyjnë e të dalin zyrtarët tjerë – si ministri Elbert Krasniqi – atëherë a mund të hyjë e të dalë pa u ngujuar edhe kryetari Hetemi?

Një status i Kurtit megjithatë kishte treguar se ka dinamika tjera në lojë.

Ai e njoftonte popullin se Hetemi po merrte shumë kërkesa që të dilte nga zyra e tij. “Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo me të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës.”

Kurti nuk kishte treguar se kush po i kërkonte Hetemit që të dilte nga zyra e tij. Në anën tjetër, ishte publike kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë që z. Hetemi ashtu edhe si z. Atiq nga Mitrovica e Veriut të punonin nga zyre alternative.

Pse ky ngulmim nga Kurti?

Kurti nuk ka elaboruar gjatë për ngujimin e Lulzim Hetemit. Çështja mbetet mjaft e errët. Por, në mbledhjen e LI të Këshillit të Përgjithshëm të partisë që drejton ai mund të ketë zbuluar kauzën e madhe për ngujim.

“Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë se në ndërtesat në komunat në veri të Kosovës kryetari të jetë veçse serb. Dhe veçse serbët të hyjnë në ato ndërtesa... Ndërtesat vetëm për një etni janë segregacion, janë apartheid,” – kishte thënë ai.

Kjo bën që ngujimi i Hetemit të kuptohet si protestë me qëllimin që të luftohej segregacioni serb sipas këndvështrimit të kryeministrit Kurti.

Lajme të ngjashme