Brohorima, fishkëllima, duartrokitje, kërkesa për fshatin: Qysh shkoi mbledhja LI e VV-së?
Shumë duartrokitje frenetike u bënë gjatë mbledhjes së LI të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Shumë falenderime u dhanë. Dhe, shumë fjalë u folën. Cili është mësimi që mund ta nxjerrim prej saj?
Këshilli i Përgjithshëm është organi më i lartë i Vetëvendosjes. Natyrisht, nëse nuk numërojmë asnjë organ trupor të personit Albin Kurti, që është edhe kryetar i saj.

Mbledhja u udhëhoq nga kryesuesja Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, që i dha një duzinë falenderimesh. Për policinë, për kryetarët në veri, çudërisht edhe për gazetarët dhe natyrisht më së shumti për aktivistët. Sidoqoftë, më i veçanti ishte ky si vijon:
“Dua të përgëzoj dhe falenderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës me në krye kryeministrin Kurti për qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen me çdo çmim të interesave të Republikës.” - tha Nagavci dhe nisi të duartrokiste, ashtu siç nisi edhe Albin Kurti dhe e gjithë salla. Me një entizuazëm të madh, u pa derisa duartrokiste edhe aktivistja e shumëpërfolur nga Shqipëria, Dejona Mihali.
Përveç duartrokitjeve pati edhe fishkëllima, brohorima dhe ngritje në këmbë.
Ku i kemi parë këto pamje?
Më pas, derisa po fliste për pikat e rendit të ditës duke lexuar nga një faqe a4, Nagavci qesh vetëmevete. Ndonjë shaka mes vete? (ang. Inside joke) Kushedi!

Çka tha Kurti?
Pranë një flamuri kuq-e-zi, Kurti nisi të lexonte nga një letër fjalimin e tij të gjatë, shumë të gjatë, që i mori 41 minuta kohë në një ditë të diele me shi.
“Nuk e harrojmë rëndësinë e historisë dhe të bashkimit, sepse duam të ecim përpara të gjithë, fuqishëm.” – u shpreh Kurti, megjithëse nuk dihet nëse fjalën e kishte për Bashkimin Kombëtar të harruar tashmë.
“Angazhimi për bindjet individuale më shumë prodhon analistë se sa aktivistë,” - tha tutje Kurti, pa elaboruar më tej për të shpjeguar se ku ishte e keqja e bindjeve individuale.
Më pas ai nisi të ligjëronte gjerë e gjatë për aktivistin, por pa përmendur se shumë prej tyre punonin me rrogë në partinë e tij derisa edhe më të tjerë kishin marrë pozita të larta shtetërore.
“Edhe më tej na vazhdon rrita. Nuk na ndalet ajo!” - tha tutje Kurti, duke e përsëritur një gjë të tillë edhe në pjesë tjera të fjalimit.
Ai u shpreh megjithatë paksa kritik ndaj aktivistëve të Rinisë së Vetëvendosjes, duke sugjeruar që të shpeshtoheshin aktivitetet me filma e me libra, në mënyrë që të kuptohej më mirë realiteti.
Forcimi i fshatit
Kryeministri shpalosi edhe një ide tjetër në këtë mbledhje, duke kërkuar forcim të fshatit.
“Ne nuk duhet ta mendojmë veten vetëm si lëvizje urbane... unë e di se kemi aktivistë nga fshatrat e qytezat... e di se kemi plot aktivistë që nuk e braktisin fshatin... është tërësisht e arsyeshme të synojmë dhe të arrijmë një forcim të fshatit edhe brenda strukturave të lëvizjes tonë.” – tha Kurti.
Ai inkurajoi aktivistët – përfshirë ministrat dhe deputetët – që të shkonin më shumë nëpër pika e qendra për të treguar për sukseset e Qeverisë, që sipas tij “nuk po dalin aq shumë në media.”
Qeveria
Kurti listoi edhe ato që i konsideron si të arritura, përfshirë edhe zhvillimin ekonomik dhe luftimin e korrupsionit.
“Kemi shkatërruar 14 laboratorë të drogës, tetë në veri.” – tha mes tjerash Kurti, duke përsëritur raportimet e Policisë së Kosovës.
Veriu
Kryeministri tha se tensionet në veri ishin “reaksion” i luftës së krimit dhe korrupsionit në atë pjesë.
Kurti tha se kishte pasur përpjekje për shembje të institucioneve të Kosovës, por se kjo përpjekje kishte dështuar.
“Ndërtesat e komunës duhet të jenë për kryetarët e komunave,” – u shpreh z. Kurti, duke vazhduar të ngulmonte për qëndrimin e tij.
“Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë se në ndërtesat në komunat në veri të Kosovës kryetari të jetë veçse serbë. Dhe veçse serbët të hyjnë në ato ndërtesa.” – vazhdoi tutje kryeministri, duke adresuar kritikat e ShBA-ve por duke i dredhuar ato.
Kjo përbën zgjatim të qëndrimit të tij, deritash të mangët, që kryetarët të punonin nga zyrat në ndërtesat komunale dhe jo administrative siç kërkon ShBA e BE.
“Ndërtesat vetëm për një etni janë segregacion, janë apartheid.” – tha tutje ai.
Megjithatë, ai shtoi se Kosova i qëndronte pas ShBA-ve dhe BE-së.
“Është mirë të përkujtojmë që komuniteti serb në Kosovë ka të drejta të zgjeruara.” – tha Kurti.

Ai tutje ka thënë se qytetarët serbë në veri e kanë parë një polici të Kosovës që është shumë profesionale.
Pas përfundimit të fjalimit, përsëri aktivistët u ngritën në këmbë dhe duartrokitën për gati 20 sekonda. Megjithatë, vlen të theksohet që gjatë fjalës së tij - përveç ligjërimit të tij për aktivistin, për fshatin dhe pak ideve të tjera - Kurti foli fare pak për partinë dhe tepër shumë për Qeverinë.

