Prokuroria Speciale intensifikon punën: Dy aktakuza për Krime lufte brenda pak ditëve
Prokuroria Speciale, tashmë ka filluar ngritjen e aktakuzave në mungesë, për Krimet e luftës në Kosovë. Për pak më shumë se dy javë, Prokuroria Speciale i ka ngritur dy aktakuza, të cilat i ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga PSRK, për aktakuzën e parë thuhet se një pjesëtar i ushtrisë serbe, ka dhunuar seksualisht një grua shqiptare. Kurse në njoftimin për aktakuzën e dytë, thuhet se një reservist i policisë, nacionalitetit serb, ka dhunuar seksualisht një burrë të nacionalitetit shqiptar, kështu duke u akuzuar për Krime lufte, sipas legjislacionit të ish Jugosllavisë, e Krime kundër njerëzimit, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Aktakuzat e Prokurorisë
Për aktakuzën e 2 majit,që ishte e para e tillë. Pra në mungesë, për krimet gjatë luftës, thuhet se Prokuroria ka prova se i akuzuari D.R si pjestar i forcave rezerë ushtarake, kishte dhunuar seksualisht një grua të nacionalitetit shqiptar.
“Prokuroria Speciale njofton se ndaj të akuzuarit D.R. ka siguruar prova se, si pjesëtarë i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar, e cila pësoj lëndime fizike në trup si dhe trauma të rënda të përhershme psikike”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të premtën e 19 majit, ka ngritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special, një tjetër aktakuzë në mungesë ndaj të akuzuarit me iniciale G.P. për vepër penale të dhunimit gjatë luftës në Kosovë.
"Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar.
Me këtë veprim i akuzuari ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, ju njoftojmë se kjo është aktakuzë e dytë në mungesë që ka të bëjë me dhunim gjatë luftës në Kosovë, e ngritur pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet e prokurorisë për të siguruar pranin fizike të pandehurit në procedurë, andaj, Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj të njëjtit të mbahet gjykimi në mungesë.” Thuhet aty.
Reagimet
Në lidhje me ngritjen e aktakuzave për Krime lufte, si dhe mundësinë e gjykimit në mungersë për ato krime, ka reaguar Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të tortures.
Sipas saj, aktakuza e dytë në mungesë, rritë shpresat për të mbijetuarit e dhunës seksuale, për drejtësi.
“Aktakuza e dytë në mungesë që ka të bëjë me dhunim gjatë luftës në Kosovë! Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, mirëpret ngritjen e aktakuzës së dytë në mungesë nga Prokuroria Speciale lidhur me dhunim gjatë luftës në Kosovë.
Rriten shpresat për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Po ashtu, edhe ky rast është mbështetur nga KRCT drejt arritjes së drejtësisë.” - ka shkruar Rushiti.
Sipas Ehat Miftarajt, Drejtor i Institutit për Drejtësi në Kosovë, ngritja e këtyre aktakuzave, krijon efekte të shumëta drejt dokumentimit të krimeve. Miftaraj për Nacionalen, ka thënë se me këto hapa, do të marrë fund kultura e mosndëshkimit të krimeve të rënda.
“Ngritja e aktakuzave në mungesë për krime lufte në Kosovë krijon efekte të shumta drejtë dokumentimit të krimeve të luftës. Kështu, në drejtim të sigurimit të llogaridhënies dhe luftimit të mosndëshkueshmërisë, aktakuzat në mungesë sigurojnë grumbullimin e provave dhe gjykimin drejtë nxjerrjes së një aktgjykimi dënues. Tradicionalisht, një gjykim në mungesë është një hap drejt përgjegjësisë, por nuk është qëllim në vetvete. Në këtë drejtim, përveç aspektit ndëshkues do të përmbushen qëllimet tjera të dënimit si sjellja e drejtësisë ndaj viktimave dhe kompensimi i tyre, si dhe dhënia fund e kulturës së mosndëshkimit të krimeve të rënda”.- është shprehur Miftaraj.
Tutje Miftaraj ka thënë se zbatimi i Gjykimit në mungesë do të jetë sfidues, kurse ndër aspektet positive ka përmendur edhe kompenzimin e viktimave të krimit, sipas procedurës së paraparë.
“Në parim, moslejimi i të akuzuarit për të vonuar ose shmangur drejtësinë përmbush të gjitha këto synime. Gjykimi në mungesë ka disa përparësi në raport me krimet e luftës, mirëpo zbatimi i të njejtit do të jetë sfidues. Megjithatë, injorimi i gjykimit të këtyre krimeve dhe mos gjykimi i kryerësve të këtyre veprave, krijon përshtypjen se kryerësi po shpërblehet për arratisjen e tij. Andaj, edhe pse aspekti ndëshkues i dënimit është vështirë i realizueshëm, zbardhja e krimeve dhe e vërteta, është tejet i rëndesishëm për familjarët e viktimave. Në këtë drejtim, të njejtit do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit nga fondi për kompensimin e viktimave të krimit, sipas procedurës së paraparë.”- ka thënë Miftaraj.
Çka thotë Kodi i Procedurës Penale
Kodi i Procedurës Penale, saktësisht neni 303 e rregullon Gjykimin në mungesë. Aty thuhet se gjyatari ose trupi gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar, përse i akuzuari mungon për të vlerësuar çdo sqarim nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungoj në gjykim.
“Për të vendosur nëse do të mbajë gjykimin në mungesë të të akuzuarit, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim. Në veçanti, në marrjen e këtij vendimi, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për të gjetur të akuzuarin” – thuhet ndër të tjera aty.
Tutje në të njejtin nen, në pikën 9, thuhet se në disa kushte, personi i gjykuar, ka të drejt të kërkoj rigjykim.
“Personi i gjykuar sipas paragrafit 7 të këtij neni ka të drejtë në rigjykim të pakushtëzuar, automatik e të plotë sipas kërkesës.” – thuhet aty.


