Hilja 'speciale': Qeveria ia përshtati kohën Institutit për Krime Lufte me Gjykatën Speciale
Instituti që ekzistoi deri në kohën e qeverisë Haradinaj, u themelua sërish. Mirëpo tash qeveria Kurti II, Institutin për Krime të Luftës e bëri për herë të parë me Ligj të veçantë. Ai fillimisht u votua në qeveri, e më pas edhe në Komisionin për Legjislacion.
Në Komisionin për Legjislacion, ky Projektligj u përkrahë edhe nga partitë në opozitë. Kjo, edhe pse nuk dihet nëse opozita e ka parë një detaj që deri më tash nuk ka marrë shumë vëmendje.
Në projektligjin e Institutit për Krime të Luftës, jepet si datë e fundit për grumbullimin e fakteve 31 dhjetori i vitit 2000. Kjo edhe pse lufta ka përfunduar më 12 qershor të vitit 1999.
Zyrtarisht nuk dihet pse afati është shtyrë, pasi në kohën sa ishte në konsultime publike, Ligji parashihte mbledhjen e fakteve deri më 20 qershor 1999.
Si u ndryshua afati në draftin përfundimtar?
Në fakt, “hilja” mund të qëndroj në faktin se, kur doli për konsultime publike ky Projektligj në nenin 2 të tij, ku fliste për fushëveprimin e ligjit thoshte: “Ky ligj zbatohet për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.” Këtu edhe përfundonte neni 2, pa asnjë paragraf tjetër.
Kurse tash, në faqen e Kuvendit, aty ku mund ta gjeni Projektligjin, nëse e hapni, e shihni se neni 2, është plotësuar edhe me dy paragraf të tjerë: i pari i cili e zgjeron kohën e hetimit dhe dokumentimit, pra deri në fund të vitit 2000, dhe tjetri, paksa i çuditshëm, i cili “fton” të mos paragjykohet paragrafi paraprak.
“Dispozitat e këtij ligji zbatohen në qëllim hulumtimi dhe dokumentimi nga par.1 i këtij neni, mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, jo më vonë se me datën 31 dhjetor 2000. Pa paragjykuar paragrafin paraprak, Instituti do dokumentojë dhe hulumtojë edhe krimet e veprimet tjera që kanë shpier te lufta në Kosovë, në qëllim të paraqitjes së plotë të fakteve që ndërlidhen drejtpërdrejt me luftën”, thuhet në Projektligjin përfundimtar.
Ministria e Drejtësisë në një përgjigjje për Gazetën Nacionale, këtë ndryshim e kanë arsyetuar, duke thënë se ka qenë adresim i partnerëve ndërkombëtar si dhe shoqërisë civile.
"Zgjatja e fushëveprimit të Institutit deri në fund të vitit 2000 është bërë pas adresimit të komenteve nga organizatat e përfaqësuesve të viktimave të krimeve të luftës, shoqëria civile, institucionet si dhe partnerët ndërkombëtar.
Qëllimi kryesor është dokumentimi dhe hulumtimi sa më i saktë i humbjeve dhe dëmeve të shkaktuara si pasojë e luftës."
Profesori i të drejtës penale dhe ish-drejtori dikur i Instituti, Ismet Salihu ka thënë se është gabim zgjerimi i kohës me të cilën do të merret ky Institut.
“Është gabim. Unë kam bë vërejtje në atë drejtim. Ne si njohës të fushës, e kemi parapa se ky Institut duhet ta ketë kontencën e hulumtimit të krimeve të luftës, deri më 12 qershor 1999. Domethënë deri në kohën kur ka përfunduar lufta, atëherë kur kanë zbarkuar trupat ndërkombëtare në Kosovë. Nuk e di pse e kanë leju me u shtu këtu kohën”, ka thënë Salihu për gazetën Nacionale.
Tutje profesori Salihu, ka shtuar se kjo datë ndërlidhet me ligjin për Gjykatën Speciale, duke e konsideruar si lëshim, një gjë të tillë.
“Në fakt unë e di pse e kanë marë këtë datë. Kjo ka ndodhë sepse e kanë përshtatë me dispoziten, e cila parashihet në ligjin për Gjykatën Speciale, kjo Gjykatë e ka këtë kompetencë, pra deri me 31 dhjetor të vitit 2000. Është e vërtetë se ka pasë vrasje edhe pas 12 qershorit 99, por krimet e luftës kryhen gjatë luftës, e jo pas luftës. Krimet e kryera pas luftës janë krime ordinere. Unë kam qenë kritik ndaj kësaj, por këta (ministria) po dalin ma të “mençur” se unë që kam 50 vjet përvojë, e merrem me këto. Keq, keq është bë, jam i nervozuar me këto lëshime” përfundon fjalën e tij profesori Salihu, që dikur e kishte udhëhequr Institutin për Krime të Luftës.
Herë themelohej e herë shuhej
Nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës synon të themelojë një institut që do të merret me dokumentimin e krimeve të luftës së viteve 1998-1999.
Ishte viti 2011, kur ministri i Drejtësisë në Qeverinë e drejtuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, me anë të një vendimi qeveritar kishte themeluar një institut për mbledhjen e fakteve mbi krimet e luftës.
Instituti ishte aktiv deri në vitin 2018 duke botuar disa libra, përfshirë kujtimet e rrëfimet e personave të pagjetur e raporte mbi shkatërrimin e pasurisë materiale të shqiptarëve.
Salihu, ish-profesor në Fakultetin Juridik, kujton kohën kur ishte udhëheqës i Institutit të themeluar në kohën e Thaçit.
“Vitin e parë nuk kemi pasur fare zyrë. Kemi bërë punë të madhe, por nuk ka pasur mbështetje aq sa duhet. Në vend që të rritet stafit dhe të përmirësohen kushtet, Instituti është mbyllur”, kujtoi Salihu.
Instituti u mbyll gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Salihu tash është më optimist për mundësinë e suksesit të Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë.
“Ky institut do të dallojë nga parapraku për shkak se do t’i ketë zyrat, objektin dhe buxhetin, dhe do të ketë dyfish më tepër staf. Do të jenë të paktën 15 veta, prej të cilëve 5-6 doktorë shkence, 5-6 me master dhe 5 që do të punojnë në terren”, sqaroi Salihu.
Pjesë e nismës së Qeverisë Kurti për themelimin e Institutit janë edhe institucionet e tjera publike, përfaqësues të OVL-UÇK-së, shoqëria civile, njohës të së drejtës penale, KMLDNJ e të tjerë individë që kanë punuar në dokumentimin e krimeve serbe.