'Bozhidari famëkeq' që vdiq sot - Rrëfimet e dëshmitarëve për rolin e Deliqit në masakrat e Kosovës - NACIONALE

'Bozhidari famëkeq' që vdiq sot - Rrëfimet e dëshmitarëve për rolin e Deliqit në masakrat e Kosovës

1 vit më parë

nga Besian Beha

Vetëm pak javë më parë, për herën e dytë Bozhidar Deliq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Serbisë. Megjithatë këtë post nuk arriti ta ushtrojë për gjatë kohë, pasi ish-gjenerali serb vdiq sot. Kështu njoftuan edhe mediat serbe, pas konfirmimit nga partia e tij në Beograd.

Bozhidar Deliq ishte një nga gjeneralët më famëkeq të ushtrisë jugosllave. Ai udhëhoqi Brigadën 549, e cila njihet në Kosovë për kryerjen e krimeve makabre në zonën e Suharekës e Prizrenit.

Ndaj Deliqit ishte ngritur kallëzim penal për masakrën në fshatin Tërnje të Suharekës. Kallëzim penal kishte ngritur edhe Fondi për të Drejtën Humanitare, e së fundmi në institucionet e Kosovës njëjtë vepruan Shoqata për Krimet e Luftës në Gjakovë.

Por, pavarësisht gjithë këtyre kallëzimeve penale, Deliq ishte gjithmonë imun nga institucionet e drejtësisë. Ai asnjëherë nuk u akuzua, përderisa në rastin e maskarës së fshatit Tërnje ai ishte ftuar si dëshmitar.

Ish-gjenerali ushtarak, Bozhidar Deliq, ishte komandant i një brigade të Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës në Kosovë.

Ai ishte lider i koalicionit të së djathtës, NADA (Shpresa) para zgjedhjeve në Serbi, që u mbajtën më 3 prill të këtij viti.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Bozhidar Deliq ishte komandant i Brigadës së 549 të Ushtrisë Jugosllave.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, që heton krimet e luftës, ka ngritur dy kallëzime penale kundër tij për ato që ata thanë se ishin krime në Kosovë, por asnjë proces penal nuk është nisur kurrë kundër Deliqit.

Si dëshmitar mbrojtës, ai u paraqit para Tribunalit të Hagës në gjykimet kundër ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq, dhe Vladimir Lazareviq, i cili ishte dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë.

Deliq vazhdimisht ka thënë se nuk do ta dorëzonte në Gjykatën e Hagës Ratko Mlladiqin, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë.

Rrëfimet e dëshmitarëve

Bekim Gashi është i mbijetuar i masakrës në fshatin Tërnje të Suharekës. Ai javë më parë kishte dhënë një rrëfim për gazetën Nacionale, lidhur me zgjedhjen e Deliqit si nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Për masakrën në fshatin Tërnje, Bekim Gashi kishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Serbisë ndaj komplet zinxhirit komandues të kësaj brigade. Përfshirë tash Nënkryetarin e Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq. Megjithatë, i njëjti u largua nga aktakuza e Prokurorisë së Serbisë.

“Bozhidar Deliqi ka qenë komandant i Brigadës 549 në Ushtrinë Jugosllave. Pra për komplet regjionin e Gjakovës dhe Prizrenit e ka udhëhequr, ai ka qenë komandant kryesor. Kur është kryer masakra nuk ka qenë prezent, por është normale që është kryer me urdhër të tij”, e nis Bekim Gashi rrëfimin e tij për gazetën Nacionale.

“Kur e kemi pasë bërë padinë në vitin 2008 e kemi përfshirë komplet zinxhirin komandues në krye me Bozhidar Deliqin. Prokurori që e ka hetuar, e ka hekë Deliqin, e ka bërë të pafajshëm, kinse nuk ka dëshmi të mjaftueshme. Ka qenë edhe i ftuar i Hagës”, deklaron Bekim Gashi për Nacionalen.

Në gjykimin që u mbajt në Serbi për masakrën e Tërnjes, Deliq ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Aty u gjykuan dy shokët e tij, Rajko Kozlina e Pavle Gavriloviq.

Përderisa Pavle Gavriloviq ishte liruar si i pafajshëm, Kozlina u dënua me 15 vjet burgim. Por, dënimin nuk e ka vuajtur kurrë, pasi Kozlina është arratisur.

“Ka qenë dëshmitar për gjykimin që është mbajtur për masakrën në Tërnje të Suharekës, dhe aty ka dëshmuar dhe ka thënë se nuk jam në njohuri. Ka thënë se nuk ka dhënë urdhër për masakër, por vetëm për bllokadën në fshatin Tërnje. Ai e ka pranuar se ka qëndruar në Krushë dhe Celinë, ku edhe aty atë ditë është bërë masakra e njëjtë. Është në transkriptin e gjykatës ky fjalim”, tregon Bekim Gashi, i mbijetuar i masakrës në Tërnje të Suharekës.

Edhe pse i ftuar si dëshmitar, Bozhidar Deliq, i dyshuar për krime lufte edhe në shumë lokacione të tjera të Kosovës, ishte i përkëledhur nga Prokuroria e Serbisë.

Bekimi që kishte marrë pjesë në të gjitha seancat e mbajtura në Beograd, tregon detaje interesante si ishte pritur Deliq në Prokurori.

“Me sa jam në njohuri Fondi ka pasur kallëzime penale ndaj Deliqit, por Gjykata ka caktuar prokurorë. Njëherë i ka hetuar, dhe pastaj i ka hedhur ato poshtë si të pabaza. Nuk ka fakte të mjaftueshme kinse. Normalisht, ka fuqi politike ai, edhe në Gjykatë me pa pritjen që iu ka bërë edhe nga prokurorja që e ka udhëhequr rastin ka qenë e çuditshme. Ka qenë i përkëdhelur nga dëshmitarët e tjerë, shumë i përkëdhelur”, shprehet më tutje Gashi për Nacionalen.

Kallëzim penal për krimet në Gjakovë

Shoqata Krimet e Luftës në Gjakovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq. Kallëzimi penal ka të bëjë me pozitën që ky i fundit mbante në ushtrinë serbe, gjatë luftës në Kosovë.

Bozhidar Deliq, tash nënkryetar i kuvendit të Serbisë, ishte komandant i Brigadës 549.

Kallëzimi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në Prishtinë.

Të dhënat nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se në territorin e përgjegjësisë së brigadës që udhëhiqej nga Deliq, e ku përfshihet komuna e Gjakovës, ajo e Suharekës, e komuna të tjera, ishin vrarë rreth dy mijë civilë shqiptarë.

Familjari i viktimave të luftës, Gjokë Sokoli, para mediave ishte shprehur se ka dëshmi të mjaftueshme kundër Deliq, pasi ka njerëz që e njohin dhe e kanë parë të njëjtin kur ai kishte marrë pjesë në masakrën e Mejës.

“Kemi dëshmi sepse njerëzit e kanë njohur këtë person edhe kur i ka ndarë njerëzit nga kolona, edhe kur ka marrë pjesë në masakrën e Mejës dhe Korenicës në qytetin e Gjakovës. Pra kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë kriminel lufte dhe i kemi sjellë të gjitha këtu në Prokurori. Me qindra janë dëshmitë, unë kam besim se ky person do të bjerë në dorë të Hagës”, ka thënë Sokoli.

Tutje Sokoli ka shprehur indinjatën e tij për zgjedhjen e Bozhidar Deliq si numri dy i kuvendit serb.

“Është turpi i botës kjo, të zgjidhet krimineli nënkryetar i parlamentit të Serbisë. Këtu duhet jo vetëm ne banorët e njerëzit që kemi viktima të luftës, por duhet edhe ministria e Drejtësisë të bëjë thirrje në mbarë botën, Evropë e Amerikë, që kryetari i Serbisë e ka marrë atë afër. Kjo tregon që ai edhe vetë i ka duart me gjak. Po barazohemi ne me atë që na i ka vra 15 mijë njerëz”, shprehet ai.

Lajme të ngjashme