Prokuroria po e heton tenderin e Ministrisë së Infrastrukturës, ku dyshohet se u keqpërdorën 191 mijë euro
Mbrëmë gazeta Nacionale raportoi në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në tenderin për sanimin emergjent të rrugës Pejë-Kuqishtë-Çakorr. Në tenderin e fituar nga kompania “Sallahu sh.p.k.” në vitin 2021, puna e planifikuar dyshohet të mos jetë përfunduar sipas kontratës. Në bazë të një ekspertize të urdhëruar nga Prokuroria e Pejës, në këtë projekt dyshohet të jenë keqpërdorur 190 mijë euro.
Pas publikimit të lajmit nga Nacionale, Prokuroria e Pejës ka kthyer përgjigje për dyshimet për keqpërdorim. Në fakt, Prokuroria ka theksuar se rasti është në proces hetimor, duke mos ofruar asnjë informacion tjetër me arsyetimin e “ndjeshmërisë” së rastit.
“Rasti është në proces hetimore dhe për shkak të ndjeshmërisë nuk mund të ndajmë për momentin me shumë informata rreth kësaj çështje penale.” – thuhet në përgjigjen e Shkodran Nikçit, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Çka raportoi Nacionale?
Në dhjetor të vitit 2021, kompania “Sallahu sh.p.k.” nga Kaçaniku, kishte nënshkruar kontratë me Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësionor dhe Infrastrkturës, që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu. Qëllimi i kontratës ishte rehabilitimi i rrugës nacionale që shtrihet në Pejë-Kuqishtë-Çakorr, një fshat i njohur për shkak të demarkacionit me Malin e Zi. Përkundër që sanimi i kësaj rruge ishte klasifikuar si “emergjent”, puna e planifikuar nuk po kryhej sipas kontratës. Në këtë projekt dyshohet të jenë keqpërdorur 190 mijë euro.
Meqenëse puna nuk po kryhej, Prokuroria e Kosovës kishte angazhuar ekspertë për të dalë në terren në përpjekje për të gjetur saktësisht problemin e ngecjes për rehabilitimin “emergjent” të rrugës.
Konstatimet e gjetjet e ekspertëve janë absolutisht shqetësuese. Vlera e punëve të faturuara është 231 mijë e 996 euro, ndërsa vlera e punëve të paguara shënon shifrën e 208 mijë e 797 euro. Por vlera e punëve që janë kryer në të vërtetë në terren është 17 mijë e 557 euro.
Pra, sipas gjetjeve, vlera e punëve që ishin përfunduar ishte vetëm 17 mijë euro, ndërsa të paguara mbi 200 mijë euro. Hendeku ndërmjet parave që Kompania “Sallahu” i mori dhe të punës së papranueshme, sipas ekspertëve, është 191 mijë e 240 euro.
Në raportin e ekspertizës e siguruar nga Nacionale shkruhet se “sa i përket testimit të mostrave të betonit të murit mbrojtës përveç një mostre, mostrat tjera nuk e kanë plotësuar klasën e kërkuar të betonit”.
Tutje, në raport theksohet se “të gjitha bordurat mbrojtëse si dhe pahitë elastike mbi murin mbrojtës janë realizuar në kundërshtim me kërkesën në Paramasën e Autoritetit Kontraktues, andaj të njëjtat nuk i përmbushin kushtet e sigurisë në rrugë”.
Përveç shifrave të paraqitura më lartë, e diferencës në mes punës së paguar dhe punës së kryer, sipas ekspertizës, vonesa e mospërmbushjes siç duhet të kësaj kontrate ka paraqitur rrezik permanent në komunikacion.
“Vonesa e realizimit të kësaj kontrate ka paraqitur rrezik permanent për kohë të gjatë për pjesëmarrësit në komunikacion. Edhe mos sinjalizimi i duhur për zhvillimin e punimeve në rrugë, ka qenë rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion.” – thuhet aty.
Në ekspertizën e përgatitur konstatohet se “Operatori ekonomik nuk e ka përmbushë kontratën “Rehabilitimi i rrugës Nacionale N9-Segmenti, Pejë-Kuqishtë-Qakorr-Sanim Emergjent”.
Tutje në këtë ekspertizë shkruhet se “sa i përket testimit të mostrave të betonit të murit mbrojtës përveç një mostre, mostrat tjera nuk e kanë plotësuar klasën e kërkuar të betonit”.
“..Të gjitha bordurat mbrojtëse si dhe pahitë elastike mbi murin mbrojtës janë realizuar në kundërshtim me kërkesën në Paramasën e Autoritetit Kontraktues, andaj të njëjtat nuk i përmbushin kushtet e sigurisë në rrugë”. – vazdon renditja e gjetjeve në ekspertizë.