Mori para pa e kryer punën, dyshime se u keqpërdorën mbi 190 mijë euro nga kompania “Sallahu” në një tender të ministrisë së Liburn Aliut - NACIONALE

Mori para pa e kryer punën, dyshime se u keqpërdorën mbi 190 mijë euro nga kompania “Sallahu” në një tender të ministrisë së Liburn Aliut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruajnë: Arbër Ramadani dhe Mirlind Behluli

Në dhjetor të vitit 2021, kompania “Sallahu sh.p.k.” nga Kaçaniku, kishte nënshkruar kontratë me Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësionor dhe Infrastrkturës, që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu. Qëllimi i kontratës ishte rehabilitimi i rrugës nacionale që shtrihet në Pejë-Kuqishtë-Çakorr, një fshat i njohur për shkak të demarkacionit me Malin e Zi. Përkundër që sanimi i kësaj rruge ishte klasifikuar si “emergjent”, puna e planifikuar nuk po kryhej sipas kontratës. Në këtë projekt dyshohet të jenë keqpërdorur 190 mijë euro.

Meqenëse puna nuk po kryhej, Prokuroria e Kosovës kishte angazhuar ekspertë për të dalë në terren në përpjekje për të gjetur saktësisht problemin e ngecjes për rehabilitimin “emergjent” të rrugës.

Konstatimet e gjetjet e ekspertëve janë absolutisht shqetësuese. Vlera e punëve të faturuara është 231 mijë e 996 euro, ndërsa vlera e punëve të paguara shënon shifrën e 208 mijë e 797 euro. Por vlera e punëve që janë kryer në të vërtetë në terren është 17 mijë e 557 euro.

Pra, sipas gjetjeve, vlera e punëve që ishin përfunduar ishte vetëm 17 mijë euro, ndërsa të paguara mbi 200 mijë euro. Hendeku ndërmjet parave që Kompania “Sallahu” i mori dhe të punës së papranueshme, sipas ekspertëve është 191 mijë e 240 euro.

Sipas gjetjeve, kompania “Sallahu sh.p.k” nga 200 mijë eurot e paguara nga shteti, ka përfunduar punë në terren vetëm në vlerën prej 17 mijë euro. 191 mijë euro, sipas ekspertëve, janë punë e papranueshme.

Në raportin e ekspertizës e siguruar nga Nacionale shkruhet se “sa i përket testimit të mostrave të betonit të murit mbrojtës përveç një mostre, mostrat tjera nuk e kanë plotësuar klasën e kërkuar të betonit”.

Tutje, në raport theksohet se “të gjitha bordurat mbrojtëse si dhe pahitë elastike mbi murin mbrojtës janë realizuar në kundërshtim me kërkesën në Paramasën e Autoritetit Kontraktues, andaj të njëjtat nuk i përmbushin kushtet e sigurisë në rrugë”.

Përveç shifrave të paraqitura më lartë, e diferencës në mes punës së paguar dhe punës së kryer, sipas ekspertizës, vonesa e mospërmbushjes siç duhet të kësaj kontrate ka paraqitur rrezik permanent në komunikacion.

Vonesa e realizimit të kësaj kontrate ka paraqitur rrezik permanent për kohë të gjatë për pjesëmarrësit në komunikacion. Edhe mos sinjalizimi i duhur për zhvillimin e punimeve në rrugë, ka qenë rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion.” – thuhet aty.

Në ekspertizën e përgatitur konstatohet se “Operatori ekonomik nuk e ka përmbushë kontratën “Rehabilitimi i rrugës Nacionale N9-Segmenti, Pejë-Kuqishtë-Qakorr-Sanim Emergjent”.

Tutje në këtë ekspertizë shkruhet se “sa i përket testimit të mostrave të betonit të murit mbrojtës përveç një mostre, mostrat tjera nuk e kanë plotësuar klasën e kërkuar të betonit”.

“..Të gjitha bordurat mbrojtëse si dhe pahitë elastike mbi murin mbrojtës janë realizuar në kundërshtim me kërkesën në Paramasën e Autoritetit Kontraktues, andaj të njëjtat nuk i përmbushin kushtet e sigurisë në rrugë”. – vazdon renditja e gjetjeve në ekspertizë.

Në lidhje me këtë rast, gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Infrastrukturës, kompanisë “Sallahu sh.p.k” dhe Prokurorisë Themelore në Pejë. Deri në publikimin e këtij artikulli, asnjëra nga palët e lartëcekura nuk kanë kthyer përgjigje.

Lajme të ngjashme