Projektbuxheti mund të përfundojë në Kushtetuese, komunat s`heqin dorë prej pavarësisë financiare - NACIONALE

Projektbuxheti mund të përfundojë në Kushtetuese, komunat s`heqin dorë prej pavarësisë financiare

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me Projektligjin e buxhetit për vitin 2023, qeveria ka befasuar për të keq komunat e Kosovës. Përmes këtij projektligji, i cili është miratuar dje në Kuvend, qeveria po tenton të ua marrë komunave të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara.

Kjo po konsiderohet si antiligjore dhe antikushtetuese.

Përfaqësuesit e komunave dhe ata të partive opozitare kanë vlerësuar se në këtë mënyrë ekzekutivi po cenon funksionimin e pushtetit lokal.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se një veprimi tillë është antiligjor.

Ky veprim është antiligjor, sepse që të bëhet një gjë e tillë duhet të ndryshohet Ligji i Financave Lokale dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike. Kjo është edhe një surprizë e Qeverisë ndaj komunave. Ne si asociacion, gjatë këtij viti jemi mësuar me surpriza nga qeveria. Ne kemi dërguar kërkesë që të jemi pjesë e takimit të komisionit, ku do të shqyrtohet për herë dytë projektbuxheti. Ne edhe aty do të tentojmë t`i tregojmë nivelit qendror që këto të hyra janë të komunave, se këto të hyra janë taksa të qytetarëve të komunave përkatëse, të cilat përkthehen në investime kapitale. Nuk ka nevojë që qeveria t`i shtrijë duart në komuna edhe në këtë rast, ashtu siç ka bërë me çështjen e arsimit në komunën e Kamenicës”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka vlerësuar se kjo tregon se Qeveria nuk ka komunikim me komunat e Kosovës.

Kjo tregon se niveli qendror nuk ka një qasje ndaj komunave, nuk ka asnjë bashkëpunim dhe koordinim me nivelin lokal. Këto veprime i bën në mënyrë arbitrare, pa konsulta me komunat. Edhe në këtë rast, kjo është bërë pa asnjë njoftim paraprak me komunat”, ka thënë ai, duke shprehur çudinë e tij me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila ka për detyrë komunikimin me komunat.

Po na vije çudi prej ministri së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila thirret se kinse i mbron interesat e komunave, ndërsa nuk bënë asgjë në këto çështje. Pra, qeveria vazhdon me avazin e vjetër që te ndërmerr veprime pa asnjë koordinim me komunat, ani pse i prek dhe cenon kompetencat e komunave në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka thënë ai

Ibrahimi ka paralajmëruar se nëse nuk merret parasysh ankesa e tyre në leximin e dytë të projektligjit, komunat do të ndërmarrin veprime adekuate.

Ne do të shohim kur të shkojmë komisionin parlamentar, ku do të shqyrtohet për lexim të dytë buxhet. Nëse nuk merren për bazë shqetësimet tona, atëherë do të shohim me komunat se cilat do të jenë veprimet tona. Këtu ka të bëj me dhjetëra miliona euro. Madje, qeveria nuk po e jep grantin e katërt që është 100 milionë euro. Po të ishin efektiv dhe efikas, Qeveria do t`i harxhonte parat e veta. Mirëpo, qeveria nuk po është në gjendje me i harxhu parat e veta në nivel qendror dhe po dëshiron me ua marrë komunave”, ka thënë Ibrahimi.

Opozita paralajmëron dërgimin e Projektbuxhetit në Kushtetuese

Partitë opozitare e kanë kundërshtuar projektligjin për buxhetin për arsye të ndryshme.
Kritika kryesore ka pasur të bëj me nenin 9 të këtij projektligji, ku specifikohet marrja e të hyrave vetanake të komunave që nuk janë shpenzuar.

Zyrtarët opozitarë kanë thënë se kjo prekë drejtpërdrejt autonominë financiare të komunave.

Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me këtë projektligj Qeveria po tenton t`i grabit të hyrat vetanake të komunave të Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se neni 9 i këtij projektligji nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria po grabit të hyrat vetanake të Komunave të Kosovës. Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2023, me nenin 9, pika 6, ka cenuar autonominë financiare të komunave, ku theksohet se të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit 2022 dhe të pa shpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar. Kushtetuta e Kosovës, neni 124, organizimi dhe funksionimi i vetëqeverisjes lokale, në pikën 5 përcakton ‘Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin.’ Ky provizion është bartur edhe në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, më saktësisht tek neni 2 Pavarësia Financiare e Komunave, pika 2.1 për të mirë të popullsisë së komunës, Kuvendi komunal dhe zyrtarët ekzekutiv kanë të drejtën dhe autorizimin që në mënyrë të pavarur t’i rregullojnë dhe menaxhojnë burimet financiare të cilat rrjedhin nga të hyrat vetanake komunale”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, kjo qasje dëmton rëndë komunat e Kosovës.

Në vend se të sigurohet financimi, saktësisht investimet e ministrive të linjës, me parime dhe kritere të qarta, nga vizioni politik i prezantuar me grantin e katërt për komunat, apo sipas Draft Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ku vendosen parime dhe kritere në grantin për investimet kapitale në komuna, ligj ky që për motive politike është tërhequr nga agjenda legjislative. Ky veprim i Qeverisë dëmton dhe pamundëson, jo vetëm financimin e qëndrueshëm, por në veçanti financimin e shërbimeve sociale në komuna”, ka thënë Tahiri.

Kurse, shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se Projektbuxheti për vitin 2023 mund ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Në adresimin e tij para deputetëve, ai ka thënë se projektligj aktual ia mundëson qeverisë marrjen e të hyrave vetanike të komunave.

Këto janë të hyra të qytetarëve që mblidhen nga komunat dhe në fund të ditës edhe nëse nuk arrin të shpenzohen barten në vitin tjetër. Pra, janë fonde që nuk u mohohet e drejta e shfrytëzimit, sepse janë taksa të qytetarëve”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo është antikushtetuese.

Është kundërkushtetuese që tash i bije se qyteti të Prishtinës, që i ka diku 35 milionë euro të pashpenzuara të vitit 2021, me i marrë dhe me i shpërnda nëpër qytete tjera. Kjo është e pa tolerueshme, sepse janë taksa të Prishtinës dhe duhet te shpenzohen në Prishtinë”, ka thënë ai.

Tahiri ka treguar se për këtë çështje do ta bëjnë një amendament të veçantë.

Ne do të bëjmë një amendament që këtë pjesë ta heqin nga Projektbuxheti dhe nëse nuk do ta na përkrahni ne padyshim se do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese këtë buxhet, sepse është buxhet në kundërshtim me nenin 124, pika 5 e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së.

Në neni 9 të Projektligjit për buxhetin 2023, në paragrafin 6 është futur heshturazi një pasus i cili thotë: “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.

Një ditë me parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 64 vota “për” kanë miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023.

Lajme të ngjashme