Kryetarët e komunave të pakënaqur me Kurtin, Qeveria injoron kërkesat e tyre - NACIONALE

Kryetarët e komunave të pakënaqur me Kurtin, Qeveria injoron kërkesat e tyre

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetarët e Komunave të Kosovës nuk janë të kënaqur me Qeverinë e Kosovës.

Ata kanë kritikuar Qeverinë dhe disa ministri për mungesë bashkëpunimi dhe ndërprerje te projekteve të caktuara.

Gazeta Nacionale ka biseduar me disa kryetarë të komunave, të cilët i kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth bashkëpunimit me Qeverinë Kurti.
Ata kanë thënë se ekzekutivi vazhdimisht po anashkalon kërkesat e tyre dhe po u ndërprenë projektet. Shqetësimi të njëjta ka shprehur edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se qeveria nuk po tregohet bashkëpunuese me këtë komunë.

“Në takimet e rregullta që kemi në Asociacionin e Komunave të Kosovës, ne i kemi paraqitur shqetësimet tona për mënyrën e bashkëpunimit nga niveli qendror me nivelin komunal. Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk është duke u treguar bashkëpunuese dhe korrekte me Komunën e Drenasit në realizimin e projekteve të cilat ishin të planifikuara qysh moti, madje me kode buxhetore”, ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka thënë se qeveria ka anashkaluar në tërësi komunën e Drenasit. “Pra, Qeveria Kurti, ka anashkaluar në mënyrë të plotë Komunën e Drenasit në realizimin e projekteve që janë me interes të përgjithshëm dhe atij qytetarë, këtë mund ta vërtetoni shumë lehtë nëse e analizoni Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022”, ka thënë Lladrovci.

Të njëjtat kritika për qeverinë ka shprehur edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

“Në vazhdimësi kemi ankesa për një marrëdhënie më funksionale, më të qëndrueshme, më proaktive në interes të komunave tona, në këtë rast edhe të komunës së Rahovecit. Është një nevojë e madhe që të rritet dhe forcohet bashkëpunimi midis komunave me Qeverinë e Kosovës. Ka një ngadalësim të projekteve, ka hezitime për të bashkëpunuar dhe komunat kanë nevoja për plotësuar kërkesat e qytetarëve dhe kanë nevojë për një marrëdhënie më të dobishme me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht me ministritë e linjës”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.

Edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, është ankuar për mungesë bashkëpunimi.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale se të gjitha shqetësimet që kanë si komunë në raport me qeverinë i kanë adresuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës. “Ne si komunë i kemi parashtruar disa kërkesa. Për disa kam pasur takime me ministra përkatës. Deri me tani në disa me janë përgjigjur. Ka kërkesa që nuk me janë përgjigjur, por pres që të me përgjigjen”, ka thënë Kastrati.

Ndërpriten projektet e komunave

Kryetarët e komunave kanë treguar për gazetën Nacionale për projektet konkrete, të cilat nuk po përkrahen nga Qeveri e Kosovës.

Ata kanë bërë me dije se mospërkrahje e projekteve të tilla dëmton qytetarët e komunave të tyre.

I pari komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka treguar se për rrugën Gllobar në drejtim të Drenasit dhe Komoranit qeveria ka ndarë shumë pak mjete, ndërsa për Pendën e Vërbocit nuk është ndarë asnjë cent.

“Rruga e papërfunduar, e mbetur nga fshati Gllobar në drejtim të Drenasit dhe Komoranit, rrugë me katër korsi që është nisur qe sa vite, këtë vit, Qeveria ka ndarë vetëm 650 mijë euro, mjete këto që nuk mjaftojnë as për një kilometër rrugë, pra Qeveria e ka ruajtur kodin buxhetor për këtë projekt, por ato mjete nuk janë të mjaftueshme, për mos me thënë janë qesharake, kur dihet se është rrugë regjionale me katër korsi. Po ashtu edhe për projektin e Pendës së Vërbocit, të ndara 1.8 milion, tani Qeveria nuk e ka paraparë as vitin e kaluar e as këtë vit realizimin e këtij projekti, i cili i ka pasur mjetet e ndara me kod buxhetor”, ka treguar ai, duke përmendur edhe projektet tjera që janë braktisur nga ekzekutivi.

“Mos zhvillimi ose vonesa e procedurave të ndërtimit të QKMF-së, Pishinës gjysmë- olimpike në Komoran, ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës Bregu i Qyqavicës që lidhë katër komuna, ndërtimi i rrugës dhe kubëzimi brenda pishave në Gllobar, mos zhvillimin infrastrukturës në Parkun e Biznesit Drenasi II, projekti i Impiantit rë ujërave të zeza, mos ndarjen e mjeteve të mjaftueshme për përfundimin e stadiumit “Rexhep Rexhepi” në Drenas, janë projekte në mesin e dhjetëra projekteve të cilat presin realizim”, është shprehur Lladrovci.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka adresuar kritika në drejtim të Ministrinë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. “Ne kemi një marrëdhënie jo shumë të kënaqshme me ministrin e Bujqësisë. Ne kemi rastin me pagesat direkte, ose subvencionet e bujqve. Ne nuk kemi noter në komunën tonë dhe kjo po shkakton shqetësim jashtëzakonisht të madh, sepse bujqit e Rahovecit për të aplikuar duhet të shkojnë në Prizren të noteri për ta nënshkruar deklaratën nën betim, i cili është kriter për të aplikua për subvencione. E dimë që këtë çështje ministria e Bujqësisë nuk mund të na rregullojë, por ministria e Drejtësi mund të emëroj një noter përkohësisht dhe me i plotësu nevojat e bujqve dhe qytetarëve të Rahovecit që po maltretohen duke shku në Prizren. Ata nuk po ofrojnë shërbime, madje njeri nga noterët atje është në pushim vjetor”, ka thënë Latifi.

Kurse, kryetari i komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, është ankuar në vendimin e qeverisë për të shfuqizuar vendimi i ish-qeverisë Haradinaj për dhënien e tokave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit disa komunave.

Sipas tij, ky vendim është bërë pa konsultime me komunat. “Deri me tani ne kemi pasur bashkëpunim. Por ky vendimi i fundit i qeverisë për tërheqjen e tokave të cilat ua kanë dhënë komunave në vitin 2018 është bërë pa konsultimeve. Ne nuk kemi pasur konsultime paraprake për këtë çështje. Ne në ato toka kemi bërë plane dhe investime në ato toka të cilat do të ndikonin në zhvillimin dhe ndërtimin e zonave ekonomike industriale”, ka thënë ai, duke treguar shumat që kanë investuar në ato toka. “Ne kemi bërë investim rreth 800 mijë euro. Është objekt i agro-turizmit që e kemi ndërtuar, i cili ende nuk është përuruar, por është në përfundim e sipër. Ky objekt është ndërtuar pikërisht në atë parcelë, duke u bazuar në vendimin e qeverisë që në vitin 2018, i cili ua ka kthyer tokat disa komunave, dhe ne kemi qenë përfitues në këtë drejtim. Ne jemi të dëmtuar në këtë drejti, sepse kemi bërë investime dhe plane për disa parcela që i kemi pasur të kthyera për nevoja të zhvillimit ekonomik lokal”, ka thënë ai.

Kryeministri nuk takon kryetarët e komunave

Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit te Komunave te Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka treguar se kryeministri nuk po iu përgjigjet kërkesave të kryetarëve të komunave për takime.

Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se është hera e parë që një gjë e tillë ndodh.

“Është hera e parë që kryetarët e komunave nuk takohen me kryeministrin e Kosovës për t’i shfaqur brengat e tyre, për t’a lehtësuar jetën e qytetarëve dhe ne si Asociacion i Komunave të Kosovës këto shqetësime i kemi ngritur në nivelin qendror. Kemi kërkuar që të kemi takime të përbashkëta mirëpo deri më sot nuk kemi takime të tilla, për këtë arsye kryetarët e komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës konstatojnë se bashkëpunimi me nivelin qendror kurrë nuk ka qenë më i dobët se tani”, ka deklaruar Ibrahimi.

Sipas tij, kryetarët e komunave kanë shqetësime sa i përket zhvillimit ekonomik lokal.

Ai ka thënë se kryetarët e komunave kanë disa projekte që kanë qenë të parapara të zbatohen në nivel lokal, të cilat do të ndikonin në përmirësonin jetës së qytetarëve. “Ka pasur marrëveshje bashkëpunimi me ministri të ndryshme mirëpo këto marrëveshje kryetarët ankohen se nuk janë zbatuar. Po ashtu ka probleme me nivelin qendror lidhur me zbatimin e kontratave kolektive. Kontratat kolektive po zbatohen duke i marr mjetet financiare komunave dhe nuk po zbatohen me buxhetet e nivelit qendror. Kjo po shkon në dëm të investimeve në nivelin lokal sepse në disa raste projektet kapitale nuk po mund të zbatohen sepse ato mjete financiare po i merren komunave përmes përmbaruesve”, është shprehur Ibrahimi.

Gazeta Nacionale për disa ditë ka provuar të marrë edhe opinionin e kryetarëve të komunave të Gjilanit dhe Podujevës për këtë çështje, por komunikimi me ta ka qenë i pamundur.

Asociacioni i Komunave të Kosova ka pasur ankesa në drejtim të Qeverisë edhe gjatë pandemisë Covid-19. Aso kohe Qeveria nuk merrte parasysh kërkesat e komunave për lehtësimin e disa masave ant-Covid.

Lajme të ngjashme