Projektet e reja: Kryetarët e komunave ankohen për diskriminim në baza partiake nga Qeveria - NACIONALE

Projektet e reja: Kryetarët e komunave ankohen për diskriminim në baza partiake nga Qeveria

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për vitin 2022 janë 20 komuna, të cilat do të përfitojnë projekte të reja në vlerë prej 10.3 milionë eurosh nga ministritë, ose thënë thjesht, nga buxheti i shtetit, të cilin e ka ndarë Qeveria Kurti.

Por, jo secili kryetar i komunës do ta ketë mundësinë ta zhvillojë qytetin që udhëheq me anë të parave të nivelit qendror, të cilat janë paraparë nga Ligji për Buxhet 2022.

Kjo pasi të njëjtit, për këtë vit nuk kanë fituar as edhe një cent të vetëm për investime të reja, madje as vazhdimin e atyre të vjetrave.

Ngjashëm është Kaçaniku, Malisheva, Peja, Suhareka dhe disa qytete tjera, të cilat po e konsiderojnë se janë diskriminuar në masë të madhe nga mospërfitimi i projekteve të reja.

Kryetarët e këtyre komunave kanë thënë për gazetën Nacionale se janë diskriminua nga qeveria Kurti vetëm pse nuk i takojnë partisë së tij.

Kryetari i Kaçanikut, Beslim Ilazi, i cili është nga radhët e PDK-së, ka deklaruar për Nacionalen se qyteti i tij është një nga më të diskriminuarit, pasi që 4 vite nuk ka edhe një projekt të ri nga niveli qendror. Madje, edhe për vetëm një projekt të vjetër të cilin e ka, ia kanë zvogëluar buxhetin.

"Po hyjmë në vitin e katërt që komuna e Kaçanikut nuk ka asnjë projekt të ri. Madje në një projekt të vjetër e të vetmin që e kemi pasë, i është ndërpre kontrata kompanisë për rrugën M2 dhe është zvoglu buxheti nga 176 mijë euro në 50 mijë. Arsyet që një vit nuk i dimë se pse. Është shqetësim që gjithë e kam ngritë, sepse pa një infuzion nga niveli qendror jemi thuajse asgjë. Mbi 20 kërkesa i kemi nëpër ministri që i kemi bë që disa vite për projekte të reja, e ka që 5 vite pa asnjë përgjigje”, tha Ilazi.

Kurse kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili ngjashëm si ai Kaçanikut nuk ka përfituar asnjë projekt të ri, thotë se kur mungon bashkëpunimi me qeverinë, padyshim që mungojnë edhe projektet e reja.

“Ministri i Zhvillimit Rajonal krejt komunave përreth u ka dhënë projekte, e Malishevës 0 projekte, 0 fonde. Këtë ministri ma mirë kisha me e qujtë si ministri e diskriminit rajonal e jo zhvillimit. Dmth jo veç nga kjo ministri, por nga asnjë nuk kemi asnjë projekt. Kësaj here disa komuna janë diskriminu pozitivisht e disa të tjera taman janë diskriminu, negativisht. Kjo është pengesë e madhe sepse na pamundëson përmbushjen e premtimeve që ua kemi dhënë qytetarëve. Përderisa mungon bashkëpunimi me qeveri, pa dyshim që mungojnë edhe projektet e reja”, ka deklaruar Kastrati për Nacionalen.

Kryetari i komunës së Malishevës vjen nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate.

Ndarja e mjeteve financiare vazhdon të praktikohet në baza partiake

Edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës është ankuar në ndarjen e këtyre mjeteve.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se ndarja e mjeteve po vazhdon të bëhet në baza partiake nga secila parti që është në pushtet.

Ai ka treguar se granti IV të cilin e kishin premtuar qeveria Kurti në kohën e zgjedhjeve, do të ishte ideali që të mos ketë privilegje partiake.

“Ky grant të cilin e kishte premtuar qeveria Kurti në kohën e zgjedhjeve, nënkupton që paratë të mos ndahen nga ministritë e linjës, por të gjitha mjetet për investime kapitale nga niveli qendror për komuna të mblidhen në një grant. Këto mjete pastaj ndahen përmes kritereve të caktuara. Nëse aprovohet ky ligj, as ministritë e as komunat nuk mund të sillen me dikë nënë e dikë njerkë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai është ankuar edhe për injorimin që kryeministri po u bën komunave edhe në fusha tjera. Sipas tij, i pari i qeverisë po vazhdon të refuzojë takimet me kryetarët e komunave.

Çfarë thotë raporti i Institutit GAP?

Një ditë me parë, instituti GAP ka publikuar raportin “Ligji për Buxhet 2022: Favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investime kapitale?”, qëllimi i të cilit ishte të analizohet shpërndarja e projekteve kapitale të ministrive nëpër komuna si dhe të tregohet nëse ka pasur favorizim apo diskriminim për komuna në baza partiake.

Sipas këtij raporti, Komuna e Kamenicës në krye me Kadri Rahimaj nga Vetëvendosje, është komuna e cila renditet e para me 27 euro investime për kokë banori.

Pas saj radhitet komuna e Vitisë në krye me Sokol Halitin nga LDK-ja me 15.65 euro, kurse e treta është Podujeva me kryetarin Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje, me 14.54 euro.

Ndërsa, komunat të cilat do të përfitojnë më shumë për nga mjetet financiare, janë Prizreni me rreth 1.9 milionë euro, Prishtina rreth 1.5 milionë euro, Podujeva rreth 1.2 milionë euro si dhe Gjakova me 1 milion euro.

Mbi 86.6 milionë euro apo 89% e projekteve të ministrive në komuna janë vazhdim i viteve të kaluara, ndërsa rreth 10.3 milionë euro janë projekte të reja.

Lajme të ngjashme