Pro-serbët në Mal të Zi mprehin gjuhën ndaj Kosovës: S’ka ambasadë që na bën ta njohim atë shtet - NACIONALE

Pro-serbët në Mal të Zi mprehin gjuhën ndaj Kosovës: S’ka ambasadë që na bën ta njohim atë shtet

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Këtë javë pritet të hedhet në votim në Kuvendin Komunal të Komunës së Zetës në Mal të Zi e ashtuquajtura deklaratë “për tërheqjen e njohjes së Kosovës” brenda territorit të kësaj komune. Ndonëse nuk ka asnjë efekt juridik dhe në tërësi është e pavlefshme në nivelin shtetëror, Fronti Demokratik pro-serb, tashmë e ka funksionalizuar këtë ngjarje në shërbim të kauzës së tyre para-zgjedhore të 11 qershorit në Mal të Zi.

Politikani pro-serb, Millan Knezheviç, Kryetar i Partisë Demokratike Popullore e ka mprehur diskursin anti-Kosovë. “Nuk ka ambasadë që më detyron ta njohë Kosovën dhe gjenocidin e Srebrenicës”, ka thënë ai, siç e citoi portali “Borba”.

As që më vjen ndonjëherë ndërmend të them diçka të tillë”, tha Knezheviq duke u krekosur me mendësinë e tij mohuese edhe ndaj gjenocidit më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Mes tjerash, ai pretendon se sa i përket Kosovës 85 përqind e qytetarëve në Mal të Zi “janë kundër njohjes së Kosovës”.

Kam një numër të madh miqsh mes malsorëve, dhe përkundër atyre që në Malsi shkojnë për të blerë vota, unë i kam thënë vetë Nik Gjeloshajt që në çështjen e Kosovës ne dallojmë. Le të brengosen ata për marrëdhëniet me Tuzin, kjo deklaratë (për tërheqjen e njohjes) do të miratohet në Zetë, do të mbetet e regjistruar që disa njerëz në Zetë patën guximti të zthonë ‘mbreti ka ikur’, do të thotë, që 85 përqind e qytetarëve në Mal të Zi nuk janë në favor të njohjes së shtetit të rremë të Kosovës”, ka thënë Milan Knezheviq.

Duke iu përgjigjur deklarimeve të kryeministrit në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, se Fronti Demokratik duhet të tejkalojë disa gjëra, Knezheviq shprehet se “Abazoviq i cili ka 4 për qind të votave nuk mund të më mësojë mua çfarë të bëj”.

Një muaj para zgjedhjeve parlamentare, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus ka nisur të përdorur kauzën e kahershme nacionaliste për gjoja tërheqjen e njohjes së Kosovës, siç ka raportuar në vazhdimësi Nacionale.

Iniciativa “pa asnjë vlerë” e një komune në Mal të Zi për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Nuk i ka as një vit që kur është bërë komunë më vete në Mal të Zi. Komuna e Zetës ditëve të fundit u bë lajm kur një grup këshilltarësh komunalë të mbështetur nga Fronti Demokratik pro-serb që udhëhiqet nga Andrija Mandiq (parti kjo që gëzon “bekimin” e Aleksandar Vuçiqit si “përfaqësuesit legjitimë të serbëve në Mal të Zi") nisi një iniciativë ku kërkuan tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës “brenda territorit të kësaj komune”.

Përkundër faktit se mbi 85 për qind e qytetarëve të Malit të Zi ishin kundër njohjes së të ashtuquajturit shtet i Kosovës dhe përfshirjes së tij në organizatat ndërkombëtare, sepse kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, qeveritë e Zdravko Krivokapiq dhe Dritan Abazoviq ndoqën vazhdimësinë e politikës së jashtme të Milo Gjukanoviqit dhe Dushko Markoviqit, e cila është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe shumicës së qytetarëve të tij”, thuhet në njoftimin e kësaj partie, siç e citoi media serbe “Danas”.

Nacionale ka biseduar me aktivistin nga organizata jo-qeveritare “Alternativa Crna Gora”, Vesko Pejak, si dhe redaktoren për politikë në gazetën e Podgoricës “Vijesti”, Biljana Matijaseviq, për të marrë një koment se a ka në fakt vlerë një gjë e tillë. Që të dy përgjigjen negativisht: Nuk ka kurrfarë vlere në aspekt politik. Por, pse u bë? Në funksion të fushatës para-elektorale për zgjedhjet parlamentare që mbahen në qershor.

Edhe po qe se Komuna e Zetës (e udhëhequr nga Fronti Demokratik) do ta miratonte këtë iniciativë, ajo s’ka kurrfarë vlere ose force ligjore në nivelin shtetëror”, thotë Biljana Matijaseviq në një bisedë me Nacionalen.

Vesko Pejak, madje tregon se as brenda vetë Frontit Demokratik nuk ka unanimitet për (ç)njohjen e Kosovës, përveç asaj që një inciativë e tillë nuk ka kurrfarë peshe e as vlere politike në nivelin shtetëror.

Po, Fronti Demokratik këtë e solli para zgjedhjeve (parlamentare). Kjo është arsyeja e vetme. Për shkak të zgjedhjeve më 11 qershor e nxorrën këtë për gjoja tërheqjen e njohjes, por nuk ka asnjë rëndësi/kuptim kjo as për shtetin e Malit të Zi e as në vendimmarrjen politike të Malit të Zi”, na thotë Pejak.

Bashkëbiseduesit tanë kanë shpjegimet e tyre se pse u inicua një gë e tillë. Frontit Demokratik, sipas Vesko Pejak, i duhen këso temash politike me karakter nacional. “Siç e dini Presidenti i Serbisë, kontrollon Frontin Demokratik. Ai do ta nxehë atmosferën politike në Mal të Zi veç sa për të nxitur disa çështje të kombësisë në Mal të Zi. Kjo i konvenon Serbisë dhe Frontit Demokratik kur flitet për kombësi, sepse duke i mbajtur në këto tema shmangen realitetit dhe çështjet ekonomike”.

Biljana Matijaseviq, gjithashtu e sheh se këto forca politike mund të shfrytëzojnë kartën e Kosovës për të shënuar ndonjë pikë politike aty-këtu.

Kjo iniciativë dëshmon se një pjesë e partive pro-serbe (dy janë tash për tash) në aleancën politike të Frontit Demokratik, ka nisur fushatën parazgjedhore parlamentare për 11 qershor. Kjo gjithashtu konfirmon informacionet jozyrtare që këto parti do të promovojnë fuqishëm nacionalizmin serb në fushatën para-zgjedhore, duke shënjestruar votuesit pro-serbë. Dhe tema kryesore mund të jetë Kosova”, tha Matijaseviq, derisa vlefshmërinë e një iniciative të tillë e përjashton.

I vetmi qëllim është të shënohet ndonjë poenë politike dhe të provojnë të ruajnë elektoratin nga rënia. Për tash, lëvizja qytetare Evropa Tani, ka mbështetje të madhe, dhe nëse ia del të tejkalojë problemet e brendshme, ka një shans të madh për të ardhmen e Malit të Zi bashkërisht me dy partitë e tjera qytetare”, konkludon Matijaseviq.

Presidenti i ri Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pyetur nga mediat serbe se a do të ndërrojë kurs ndaj shtetësisë së Kosovës, ka thënë se një gjë e tillë nuk është fare realiste. Kjo gjë zgjoi debat të ashpër në mesin e serbëve mbështetës të tij dhe i zhgënjeu gjerësisht.

Vesko Pejak pyetur nga Nacionalja se “sa i sinqertë ishte Presidenti Milatoviq në këtë pohim” ka një përgjigje të prerë. “Një qind për qind”, na thotë ai.

100 për qind është e sigurt. Ai është properëndimor. Nuk tërheq asnjë vendim të Malit të Zi në 20 vitet e fundit. Ne jemi shumë kandidat serioz për anëtarësim në BE. Kjo është 100 përqind i sigurt kur ai tha që nuk ka shans që Mali i Zi të tërheq njohjen”, përfundon Pejak në një bisedë me Nacionalen.

Lajme të ngjashme