Marrëdhëniet me Kosovën dhe zgjedhjet në Mal të Zi, Pavloviq: Do të ketë fushatë të nxehtë për çnjohje, Kurti pati të drejtë - NACIONALE

Marrëdhëniet me Kosovën dhe zgjedhjet në Mal të Zi, Pavloviq: Do të ketë fushatë të nxehtë për çnjohje, Kurti pati të drejtë

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Që nga rënia prej pushteti ekzekutiv në gusht të 2020’ës dhe humbja e zgjedhjeve presidenciale nga Millo Gjukanoviq në Mal të Zi kohëve të fundit, ka “shenja shqetësuese” të një ndryshimi dhe rënie në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, thotë profesori, historiani dhe hulumtuesi malazez në Universitetin e Albertës në Kanada, Srxha Pavloviq në një intervistë me Nacionalen. Se ka ndërruar krejtësisht peizazhi politik atje me ardhjen e formacioneve politike pro-serbe në relacion me Kosovën, ai e ka më se të qartë. Ndaj këtij ndryshimi ai ka edhe paralajmërimet dhe shqetësimet e tij.

Në lidhje me iniciativën e fundit të Komunës së Zetës në Mal të Zi, ku Fronti Demokratik pro-serb inicoi një deklaratë për tërheqjen e njohjes së Kosovës brenda territorit të asaj komune, profesori Pavoviq ka një shpjegim. “Kjo mund të duket disi politike dhe një marifet publiciteti i orkestruar nga një nacionalist serb i ndezur e i etur për vëmendje, por ama mesazhi përnjëmend është drithërues. Është testi fillestar i një SAO*-izimi (shkurtesë për Srpska autnomna oblast) të Malit të Zi. Është gjithashtu shenjë e qartë se qeveria e Dritan Abazoviq ose është e pafuqishme ose nuk ka gatishmëri që të shtrijë autoritetin e saj në këtë zonë”.

Pyetur se si e ka lexuar deklaratën e presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, se sa i përket mundësisë së tërheqjes së njohje së Kosovës kjo gjë “është jo realiste”, bashkëbiseduesi ynë ka arsye për të dyshuar në sinqeritetin e tij. Megjithatë, ai thotë se kjo gjë mund të vlerësohet më mirë pas konkludimit të zgjedhjeve parlamentare në qershor.

Mandati i tij në ardhje si president me pushtete disi të kufizuara për të ndikuar në vendime specifike politike do të testohet prej Frontit Demokratik pro-serb të etur për pushtet dhe agresiv. Gjer më tash, presidenti i zgjedhur duket i mirëkuptueshëm dhe dashamirës në çështje që aktorët politikë pro-serbë në Mal të Zi dhe sponzorët e tyre në Beograd i konsiderojnë të rëndësishme”, na tha ai.

Në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, Pavloviq për një gjë është i sigurt – se grupimet e forcave pro-serbe atje do të shfrytëzojnë kartën e Kosovës për të shënuar poena politike dhe për t’i brenduar kundërshtarët e tyre si “tradhtarë proverbial të Serbësisë dhe ‘fjalës më të shenjtë serbe: Kosovës’”.

Duhet të mbajmë mend që jashtë retorikës së mbushur nacionaliste, partitë pro-serbe në Mal të Zi, nuk kanë tjetër bazë tjetër politike mbi ku të qëndrojnë. Nuk kanë zgjidhje tjetër përpos t’u ofrojnë votuesve të tyre një dhuratë të mirënjohur: një shportë me fruta të helmuara të klero-nacionalizmit serb. Jashtë këtij peizazhi, parti të këtilla s’kanë as identitet e as rëndësi politike. Duke pasur këtë ndërmend, pres përnjëmend një fushatë të nxehtë”, tha ai.

Gjithashtu në lidhje me shqetësimet që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i artikuloi rreth zgjedheve presidenciale dhe parlamentare në Mal të Zi, me ardhjen e forcave pro-serbe dhe pro-ruse, Pavloviq e ka të njëjtin mendim. Madje ai deklarimin e Kurtit e sheh edhe si mesazh ndaj forcave progresiste dhe jonacionaliste në Mal të Zi.

Unë e ndaj këtë të njëjtin shqetësim me Albin Kurtin. Deklarimi i tij është gjithashtu paralajmërim për të gjitha forcat politike progresiste dhe jonacionaliste në Mal të Zi për të gjetur një terren të përbashkët në mënyrë që të korrin fitore politike dhe të parandalojnë Malin e Zi që të jetë meny proverbiale politike e asaj omnivore*-je të paepur: klero-nacionalizmit serb”.

Inervista e plotë:

Nacionale: Peizazhi politik në Mal të Zi është ndjeshëm ndryshe nga ç’ka qenë këto dy-tri vitet e fundit. Kosova ka gëzuar marrëdhënie të mira ne Podgoricën. Sidoqoftë, çështje të reja kanë dalur në sipërfaqe, madje disa prej tyre janë ngritur edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rastin e humbjes së Presidentit Gjukanoviq. Kjo skenë e re politike në Mal të Zi a përmban diçka për të cilën Kosova ka pse të brengoset, dhe nëse po, çka?

Pavloviq: Ndërrimi i peizazhit politik por edhe shoqëror në Mal të Zi ka qenë i ndjeshëm dhe gjithëpërfshirës përnjëmend. Fitorja zgjedhore në gusht të 2020’ës nga partitë politike pro-serbe, në masë të madhe, qe lehtësuar nga Kisha Ortodokse Serbe dhe qeveria në Beograd. Që atëherë, jemi dëshmitarë të politikave të sponzoruara qeveritare të hakmarrjes vis-a-vis koalicionit qeverisës paraprak, si dhe rritjes së ndikimit të aktorëve politikë që çmojnë diskurset kleriste dhe nacionaliste serbe.

Deri kohëve të fundit, marrëdhëniet me Kosovën kanë pasur karakteristikat më të qëndrueshme të politikës së jashtme malazeze, pas disfatës zgjedhore të presidentit në largim, Millo Gjukanoviq, sidoqoftë, kemi parë shenja shqetësuese të një ndryshimi që nuk është për t’u mirëpritur në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona.

Një nga politikanët më të fuqishëm të Frontit Demokratik pro-serb, Milan Knezheviq, bashkërisht me disa politikanë shumë të zëshëm por ama margjinalë në Mal të Zi, siç janë Vladimir Jokoviq dhe Miodrag Lekiq, kanë ngritur habinë e shumëkujt pas vënies në kundërshtim të mbështetjes së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Për më tepër, në Komunën e Zetës, e cila është në kontroll të Frontit Demokratik, Milan Knezheviq, u dha instruksione lidershipit komunal që të votojnë në favor të tërheqjes së njohjes së Kosovës.

Derisa kjo mund të duket disi politike dhe një marifet publiciteti i orkestruar nga një nacionalist serb i ndezur e i etur për vëmendje, mesazhi përnjëmend është drithërues. Është testi fillestar i një SAO*-izimi të Malit të Zi. Është gjithashtu shenjë e qartë se qeveria e Dritan Abazoviq ose është e pafuqishme ose nuk ka gatishmëri që të shtrijë autoritetin e saj në këtë zonë.

E lidhur me një klerikalizim të thellë të sferës publike dhe mungesës së reagimit nga qeveria malazeze, ky sfidim i drejtpërdrejte i autoritetit të saj duhet të shërbejë si një paralajmërim madhor rreth qëllimeve të njëmendta të elitës së re sunduese. Po bëhet e qartë se nacionalizmi klerik-nacionalist serb është lëshuar në të madhe në Mal të Zi. Do të thotë, pa dyshim, që është një arsye për shqetësim të ndjeshëm rajonal.

Nacionale: Presidenti Milatoviq duke folur për mediat serbe e përjashtoi se mund të jetë realiste të pritet që Mali i Zi të tërheq njohjen ndaj Kosovës. Si e lexuat ju deklarimin e tij, dhe a ishte e sinqertë?

Pavloviq: Deklaratës që ju referuat ju ishte njëra prej komenteve më të hershme që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të presidentit të zgjedhur të ri, Jakov Milatoviq. Që nga atëherë, ai provoi të qëndrojë i pastër sa i përket çështjeve të ndjeshme në politikën e jashtme dhe recitoi atë që mbështetësit perëndimorë të tij duan të dëgjojnë, siç është vazhdimësia e përkushtimit ndaj anëtarësisë në NATO dhe të ardhmes së Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Por, megjithatë, ai e pa të nevojshme që edhe të advokojë që Mali i Zi të bashkohet në Ballkanin e Hapur.

Lëkundja politike e Milatoviqit nuk është se saktësisht na lindë besim në dorën e tij të qëndrueshme udhëheqëse, dhe lidershipi i Kosovës duhet të ushtrojë kujdes rreth kësaj çështje të rëndësishme. Mandati i tij në ardhje si president me pushtete disi të kufizuara për të ndikuar në vendime specifike politike do të testohet prej Frontit Demokratik pro-serb të etur për pushtet dhe agresiv. Gjer më tash, presidenti i zgjedhur duket i mirëkuptueshëm dhe dashamirës në çështje që aktorët politikë pro-serbë në Mal të Zi dhe sponzorët e tyre në Beograd i konsiderojnë të rëndësishme.

Vetëm pas zgjedhjeve parlamentare të caktuara më 11 qershor do të mund të vlerësojmë më mirë se sa jorealiste do të jetë për koalicionin qeverisës në Mal të Zi rishikimi i çështjes së revokimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Nacionale: Mali i Zi do të mbajë zgjedhjet parlamentare në qershor dhe tashmë vetëm janë shpërfaqur indikacione që disa parti (pro-serbe) do ta përdorim temën e Kosovës për të shënuar ndonjë pikë politike aty-këtu në fushatat zgjedhore të tyre, sikur ajo në Komunën e Zetës që nxori njëfarë deklarate për zhbërjen e njohjes së Kosovës. A do të shohim atmosferë të nxehur në këtë aspekt?

Pavloviq: Nuk ka dyshim që partitë politike pro-serbe në Mal të Zi do të shfrytëzojnë në avantazhin më të plotë të tyre një minierë ari të tillë për të shënuar ca pikë te votuesit e tyre. E kam të vështirë të paramendoj se si Fronti Demokratik të mos vulosë kundërshtarët më të mëdhenj zgjedhor të saj, siç është koalicioni i mundëshëm i Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjes Evropa Tani, si tradhtarë proverbialë të Serbësisë dhe “fjalës më të shenjtë serbe: Kosovës”. Rasti më i fundit që përmenda në komentin tim paraprak – vota në Komunën e Zetës – është pjesë dhe mbështjellës i një brendimi të tillë të armiqve.

Duhet të mbajmë mend që jashtë retorikës së mbushur nacionaliste, partitë pro-serbe në Mal të Zi, nuk kanë tjetër bazë tjetër politike mbi ku të qëndrojnë. Nuk kanë zgjidhje tjetër përpos t’u ofrojnë votuesve të tyre një dhuratë të mirënjohur: një shportë me fruta të helmuara të klero-nacionalizmit serb. Jashtë këtij peizazhi, parti të këtilla s’kanë as identitet e as rëndësi politike. Duke pasur këtë ndërmend, pres përnjëmend një fushatë të nxehtë.

Nacionale: Kryeministri Abazoviq kohëve të fundit udhëtoi në Kosovë ku foli gjëra të shumta. Një gjë që ishte tejet e çuditshme të dëgjohet ishte sugjerimi i tij që Kosova të ndjek modelin e Malit të Zi për zgjidhjen e çështjeve me Kishën Ortodokse Serbe (Marrëveshja Themeltare). A i vjen kjo afër një këshilleje të mirë apo sugjerimi?

Pavloviq: Vërtetë, kryeministri në largim Abazoviq, kohëve të fundit flet gjëra të shumta përnjëherë. Disa prej këtyre gjërave nuk janë relevante dhe i ngjasojnë fare pak realitetit në të cilin gjendemi, derisa tjetër projektojnë cilësi më pak të favorshme të karakterit të tij si lider politik dhe si zyrtar qeveritar.

Mendoj se madje edhe mbrojtësit më të ndezur të regjistrit politik të tij tashmë pajtohen se, në masë të madhe, ai po i kryen favore autokratit serb, Aleksandar Vuçiq. Gjithashtu, ai po provon të mbetet relevant si aktor politik dhe është mëse i gatshëm të performojë çfarëdo salto morale* politike për të siguruar të ardhmen e tij në zyrë.

Kur sugjeron që Kosova të ndjek shembullin e Malit të Zi në zgjidhjen e çështjeve që ka Kishën Ortodokse Serbe, Abazoviq në mënyrë flagrante po e paraqet ndryshe nga ç’është, thënë butë, natyrën e vërtetë të aktit politik që ai ka nënshkruar: Marrëveshjen Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe.

Besoj fuqishëm se ai nënshkroi emrin e vet mbi një dokument që historianët e së ardhmes do ta studiojnë si një shembull se si dobësohet një shtet sekular dhe se si të thellohen edhe më tej linjat prishëse në shoqërinë malaziase. Krekosja e Abazoviqit rreth kësaj pune të caktuar që ka bërë dhe ofrimi i saj si diçka që duhet kopjuar nga të tjerët flet shumë rreth pikëpamjeve problematike të tij për politikën dhe edhe më shumë rreth pikëpamjes së tij të brishtë dhe të shtrembëruar të realitetit. Kam besim në aftësinë e liderëve politik në Kosovë për të parë përtej mirazhit që Abazoviq ua ofron.

Nacionale: Kryeministri i Kosovës, në një intervistë kohëve të fundit, ngriti disa shqetësime se në rast që humbet Presidenti Gjukanoiq në zgjedhje, atëherë malaziasit mund të bëhen një pakicë e dominuar brenda Malit të Zi, dhe se kjo do të shtronte rrugën për një dominim keqdashës nga Serbia dhe Kisha Serbe. Si e lexuat ju deklaratën e Albin Kurtit?

Pavloviq: Ka pak dyshime se dizajni i madh i Serbisë së Madhe për Malin e Zi ka ndryshuar pak në këto dyqind vitet e fundit. Sot, ata Malin e Zi të pavarur dhe sovran e shohin thjesht si një frenues të përkohshëm në rrugën mitike të atij versionit serb parajsor klero-nacionalist: një kopsht i njëtrajtshëm etnik i Shën Savizmit. Pa Malin e Zi, një qëllim i tillë nuk është i arritshëm. Në këtë linjë, nuk mund të arrihet as pa pjesën veriore të Kosovës, së paku.

Inxhinjerimi demografik dhe këmbëngulja në regjistrimin e hershëm të popullsisë janë dy mjete të rëndësishme në duart e Kishës Serbe për t’i përdorur në Mal të Zi. Ka shqetësim real që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë mund të formalizojë rezultatet e inxhinjerimit demografik të dis dekadave dhe politikave me bazë në identitetin religjioz, dhe ata me identitet kombëtar malazias mund të bëhen pakicë brenda vetë vendit të tyre.

Unë e ndaj këtë të njëjtin shqetësim me Albin Kurtin. Deklarimi i tij është gjithashtu paralajmërim për të gjitha forcat politike progresiste dhe jonacionaliste në Mal të Zi për të gjetur një terren të përbashkët në mënyrë që të korrin fitore politike dhe të parandalojnë Malin e Zi që të jetë meny proverbiale politike e asaj omnivore*-je të paepur: klero-nacionalizmit serb./Nacionale/

Lajme të ngjashme