Iniciativa “pa asnjë vlerë” e një komune në Mal të Zi për tërheqjen e njohjes së Kosovës - NACIONALE

Iniciativa “pa asnjë vlerë” e një komune në Mal të Zi për tërheqjen e njohjes së Kosovës

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Nuk i ka as një vit që kur është bërë komunë më vete në Mal të Zi. Komuna e Zetës ditëve të fundit u bë lajm kur një grup këshilltarësh komunalë të mbështetur nga Fronti Demokratik pro-serb që udhëhiqet nga Andrija Mandiq (parti kjo që gëzon “bekimin” e Aleksandar Vuçiqit si “përfaqësuesit legjitimë të serbëve në Mal të Zi") nisi një iniciativë ku kërkuan tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës “brenda territorit të kësaj komune”.

Përkundër faktit se mbi 85 për qind e qytetarëve të Malit të Zi ishin kundër njohjes së të ashtuquajturit shtet i Kosovës dhe përfshirjes së tij në organizatat ndërkombëtare, sepse kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, qeveritë e Zdravko Krivokapiq dhe Dritan Abazoviq ndoqën vazhdimësinë e politikës së jashtme të Milo Gjukanoviqit dhe Dushko Markoviqit, e cila është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe shumicës së qytetarëve të tij”, thuhet në njoftimin e kësaj partie, siç e citoi media serbe “Danas”.

Nacionale ka biseduar me aktivistin nga organizata jo-qeveritare “Alternativa Crna Gora”, Vesko Pejak, si dhe redaktoren për politikë në gazetën e Podgoricës “Vijesti”, Biljana Matijaseviq, për të marrë një koment se a ka në fakt vlerë një gjë e tillë. Që të dy përgjigjen negativisht: Nuk ka kurrfarë vlere në aspekt politik. Por, pse u bë? Në funksion të fushatës para-elektorale për zgjedhjet parlamentare që mbahen në qershor.

Edhe po qe se Komuna e Zetës (e udhëhequr nga Fronti Demokratik) do ta miratonte këtë iniciativë, ajo s’ka kurrfarë vlere ose force ligjore në nivelin shtetëror”, thotë Biljana Matijaseviq në një bisedë me Nacionalen.

Vesko Pejak, madje tregon se as brenda vetë Frontit Demokratik nuk ka unanimitet për (ç)njohjen e Kosovës, përveç asaj që një inciativë e tillë nuk ka kurrfarë peshe e as vlere politike në nivelin shtetëror.

Po, Fronti Demokratik këtë e solli para zgjedhjeve (parlamentare). Kjo është arsyeja e vetme. Për shkak të zgjedhjeve më 11 qershor e nxorrën këtë për gjoja tërheqjen e njohjes, por nuk ka asnjë rëndësi/kuptim kjo as për shtetin e Malit të Zi e as në vendimmarrjen politike të Malit të Zi”, na thotë Pejak.

Bashkëbiseduesit tanë kanë shpjegimet e tyre se pse u inicua një gë e tillë. Frontit Demokratik, sipas Vesko Pejak, i duhen këso temash politike me karakter nacional. “Siç e dini Presidenti i Serbisë, kontrollon Frontin Demokratik. Ai do ta nxehë atmosferën politike në Mal të Zi veç sa për të nxitur disa çështje të kombësisë në Mal të Zi. Kjo i konvenon Serbisë dhe Frontit Demokratik kur flitet për kombësi, sepse duke i mbajtur në këto tema shmangen realitetit dhe çështjet ekonomike”.

Biljana Matijaseviq, gjithashtu e sheh se këto forca politike mund të shfrytëzojnë kartën e Kosovës për të shënuar ndonjë pikë politike aty-këtu.

Kjo iniciativë dëshmon se një pjesë e partive pro-serbe (dy janë tash për tash) në aleancën politike të Frontit Demokratik, ka nisur fushatën parazgjedhore parlamentare për 11 qershor. Kjo gjithashtu konfirmon informacionet jozyrtare që këto parti do të promovojnë fuqishëm nacionalizmin serb në fushatën para-zgjedhore, duke shënjestruar votuesit pro-serbë. Dhe tema kryesore mund të jetë Kosova”, tha Matijaseviq, derisa vlefshmërinë e një iniciative të tillë e përjashton.

I vetmi qëllim është të shënohet ndonjë poenë politike dhe të provojnë të ruajnë elektoratin nga rënia. Për tash, lëvizja qytetare Evropa Tani, ka mbështetje të madhe, dhe nëse ia del të tejkalojë problemet e brendshme, ka një shans të madh për të ardhmen e Malit të Zi bashkërisht me dy partitë e tjera qytetare”, konkludon Matijaseviq.

Presidenti i ri Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pyetur nga mediat serbe se a do të ndërrojë kurs ndaj shtetësisë së Kosovës, ka thënë se një gjë e tillë nuk është fare realiste. Kjo gjë zgjoi debat të ashpër në mesin e serbëve mbështetës të tij dhe i zhgënjeu gjerësisht.

Vesko Pejak pyetur nga Nacionalja se “sa i sinqertë ishte Presidenti Milatoviq në këtë pohim” ka një përgjigje të prerë. “Një qind për qind”, na thotë ai.

100 për qind është e sigurt. Ai është properëndimor. Nuk tërheq asnjë vendim të Malit të Zi në 20 vitet e fundit. Ne jemi shumë kandidat serioz për anëtarësim në BE. Kjo është 100 përqind i sigurt kur ai tha që nuk ka shans që Mali i Zi të tërheq njohjen”, përfundon Pejak në një bisedë me Nacionalen.

Lajme të ngjashme