Price: Sekretari Blinken nuk do të ngurrojë që të angazhohet drejtpërdrejt në bisedimet Kosovë – Serbi
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Ned Price, ka thënë se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nuk do të ngurrojë që të angazhohet drejtpërdrejt në biseda me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
“Ne jemi të angazhuar në këtë. Kemi qenë thellësisht të angazhuar si vëzhgues në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. Siç thashë javën e kaluar, të kuptuarit tonë është se bisedimet janë duke vazhduar. Ne po shikojmë. Po e bëjmë këtë në bashkëpunim me BE-në dhe po i inkurajojmë të dyja palët që ta shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive”, tha Price, kur u pyet nëse mund të pritet organizimi i ndonjë takimi fizik ose telefonate nga sekretari Blinken para 1 shtatorit.
“Është një dialog që ne e përkrahim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi plotësisht për t’i avancuar diskutimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve, të përqenderuara edhe në njohjen reciproke”, shtoi ai.
Price e përmendi edhe vizitën e zëvendësndihmëssekretarit Gabriel Escobar në Prishtinë dhe Beograd, e cila, sipas tij, do të bëhet për ta përkrahur dialogun dhe për ta dëshmuar interesimin e lartë të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje.
Sa i përket mundësisë që kryediplomati amerikan të zhvillojë bisedë telefonike ose takim me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi Price tha: “Nëse ndihemi se angazhimi i sekretarit përmes telefonit ose me takime fizike është përbërës i domosdoshëm për të arritur diçka si ajo përtej vijës së finish-it, sekretari Blinken nuk ngurron që ta kapë telefonin dhe t’i zhvillojë ato biseda.”
Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Daniel Escobar, pritet që sot ta vizitojë Kosovën dhe të takohet me figura të larta politike të vendit, së bashku me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak./Nacionale

