Foli Escobar, por a do t'i hajë Kurti premtimet e tij? - NACIONALE

Foli Escobar, por a do t'i hajë Kurti premtimet e tij?

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Një deklaratë të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për asociacionin, Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron si sukses të Qeverisë së Kosovës. Shefi i kësaj, Albin Kurti, vazhdimisht ka deklaruar se në vend nuk mund të ketë asociacionin një-etnik.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot e riktheu edhe një herë çështjen e Asociacionit, madje, vetëm pak ditë pas takimit të kryeministrit Kurti e presidentes Osmani me sekretarin amerikan, Antony Blinken.

Qëndrimi i tij ishte i qartë se Asociacioni duhet të diskutohet, por se nuk duhet të jetë “shtet brenda shteti”.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

I pari që iu gëzua kësaj deklarate, por s’e përmendi fare kërkesën e Escobar që të diskutohet për Asociacionin, ishte Dimal Basha, i cili e ka një pozitë mjaft interesante në LVV - si kryetar i Grupit të Miqësisë me SHBA-në.

Madje Basha e llogariti këtë si sukses të Qeverisë Kurti, duke thënë se për këta muaj sa kanë qeverisur, ka ndryshuar politika e jashtme.

“Amerikanët veq kërkojnë me i bindë që diçka nuk bën, e kur e sheh që Zajednica që e kanë nënshkru ata hajgarexhitë e krijon një Bosnje të dytë, normal që as amerikanët nuk e dojnë një Kosovë jofunksionale! Për 16 muaj ka ndryshu për 180 shkallë politika e jashtme”, ka thënë ai.

Por çfarë ka për të thënë shefi i tij?

Albin Kurti për Asociacionin më herët ka thënë shumë gjëra, por një premtim e ka përsëritur vazhdimisht. Sot, deri kur u publikua ky tekst nuk ka pasur asnjë reagim nga ai për deklaratën e Escobar.

Kryeministri i vendit është deklaruar se nuk do të ketë asociacion njëetnik, deklaratë kjo që ishte mbështetur më pas edhe nga vartësi i tij, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, kishte thënë Kurti.

Çështjen të cilën po e diskuton emisari i një prej shteteve më të fuqishme në botë dhe aleati më i madh i Kosovës, Bislimi e kishte konsideruar si të palogjikshme.

Ai në shtator të vitit që lamë pas, kishte deklaruar se nuk ka logjikë që të flitet për zbatimin e Asociacionit.

“Për sa mendojmë se Asociacioni është i dëmshëm për institucionet e Kosovës dhe integritetin territorial nuk ka logjikë të flasim për zbatimin e tij. I takon shtyllës së parë të angazhimit të Lajçakut, shtylla tjetër ka të bëjë me dialogun me tema të patrajtuara. Nëse shikojmë marrëveshjet deri tash, nuk ka marrëveshje që Serbia e ka zbatuar. Ka zero kredibilitet për të kërkuar nga pala kosovare zbatim të marrëveshjes”, kishte thënë ai.

Çka duhet të dini për Asociacionin?

Gjatë vitit 2013, mes Kosovës dhe Serbisë ishte arritur Marrëveshja për Asociacionin.

Kjo e kishte nervozuar Vetëvendosjen e atëhershme në opozitë, e cila kishte dalë në protesta dhe sot e asaj dite, e quan “Zajednica”, që nga gjuha serbe do të thotë “bashkësi”.

Dy vite më pas, ishte nënshkruar një tjetër marrëveshje lidhur me parimet e themelimit të Asociacionit, e cila parashihte edhe dërgimin e këtyre në Gjykatën Kushtetuese.

Ky institucion, kishte vlerësuar se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Lajme të ngjashme