Përfundon takimi: Escobar kërkon themelimin e Asociacionit, Lajçak mërzitet nga pyetjet e shumta - NACIONALE

Përfundon takimi: Escobar kërkon themelimin e Asociacionit, Lajçak mërzitet nga pyetjet e shumta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar takimi që kryeministri Albin Kurti pati sot në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak dhe të dërguarin e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Ky takim, vjen vetëm një ditë para atij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Kurti pak më parë në Bruksel ka mbajtur një takim me Escobar dhe Lajçak. Ky i fundit, u prononcua i pari për media.

Lajçak ka thënë se nga takimi i nesërm pret marrëveshje, derisa kur u pyet se cila mund të jetë ajo, tha se nuk do të jetë finalja.

Lajçak u pa shumë i buzëqeshur para gazetarëve, ndërsa kur u pyet për reciproctetin dhe nëse ka mundësi që ky vendim të shtyhet sërish, tha se “po i bëjnë shumë pyetje”.

“Po bëni shumë pyetje...Dhe detyra ime nuk është që t’u përgjigjem atyre”, ka thënë ai.

Përveç Lajçak, ka folur edhe Escobar, i cili njëjtë si para disa ditësh përsëriti qëndrimin e tij se Asociacioni duhet të jetë temë e takimit dhe theksoi qartë, se duhet të themelohet sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Po, mendoj se Asociacioni duhet të jetë temë. Ai duhet të themelohet. Sipas Kushtetutës së Kosovës. Po, edhe evropianët janë për këtë linjë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se shtyrja për reciprocitet është bërë për shkak të fushatës së dezinformimit.

"Nuk do të ketë shtyrje tjetër. Po, ne mund t'i heqim këto dokumente, nëse i heqin edhe serbët", tha Kurti para mediave.

Kurti sot e takoi edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ky i fundit, u takua edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Çfarë i pret nesër Kurtin e Vuçiqin?

Bashkimi Evropian ka bërë publike agjendën e takimit, por nuk janë përmendur tema specifike, si ajo e Asociacionit dhe vendimit për reciprocitet. Fokusi kryesor, është rruga përpara në dialogun Kosovë-Serbi.

Fokus i veçantë edhe në këtë takim, do të vendoset të arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Por përveç këtyre, Kurti e Vuçiq në Bruksel do të bisedojnë edhe për çështjet aktuale si dhe do të synohet zbutja e tensioneve.

“Të enjten, më 18 gusht, do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel. Me në krye Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell, dialogu do të mbështetet nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajčák me pjesëmarrës presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Takimi do të fillojë në orën 10:30 dhe do të ketë në fokus përparimin në Dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Gjithashtu në takim do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensionit aktual në terren”, thuhej në njoftimin e BE-së.

Zhvillimet që sollën takimin

Më 31 korrik pati tensione në veri të Kosovës,kjo pas vendosjes së reciprocitetit për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Një ditë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, në orën 16:00 në veri u lëshua alarmi, i cili zakonisht shërben si ftesë për grumbullimin e serbëve atje.

Pas kësaj, u vendosën barrikada që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat u bllokuan plotësisht për kalim, derisa udhëtarëve iu rekomandua që të përdorin alternativa të tjera.

Policia, konfirmoi se gjatë kësaj kohe, pati edhe të shtëna me armë, ndërkaq, 11 persona mbetën të lënduar si pasojë e tensioneve atje.

Pak para mesnatës, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, zhvilloi takim me krerët e shtetit, të cilëve u kërkoi që ta shtyjnë këtë vendim, e që këta më pas u pajtuan që i njëjti të mos hyjë në fuqi deri më 1 shtator.

Deri në atë kohë, mbi 1 mijë dokumente u lëshuan për serbët që kishin pasaporta e letërnjoftime të Serbisë.

Lajme të ngjashme