Presidentja Osmani: Ta kesh fqinje Serbinë, gjë e frikshme - NACIONALE

Presidentja Osmani: Ta kesh fqinje Serbinë, gjë e frikshme

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend e rajon, por sërish këtë përmes mediave të huaja.

Në një intervistë dhënë portalit kroat, "vecernji.hr", ajo hodhi kritika ndaj qasjes destruktive të Serbisë, përmendi Asociacionin, teksa foli edhe rreth dialogut, duke shtuar se i njëjti disi ka ngecur.

Por, përkundër kësaj, Osmani pohoi se emisarët Escobar dhe Lajçak po angazhohen, me ç'rast sipas saj edhe konfirmuan raundin e ri të bisedimeve.

“Situata në Kosovë është jashtëzakonisht e tensionuar, negociatat disi kanë ngecur, nuk ka dinamikë. Megjithatë, kohët e fundit Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar mbërritën dhe njoftuan një raund të ri bisedimesh. Është e rrezikshme të kesh një fqinj si Serbia, NATO dhe forcat tona do të parandalojnë skenarët e Vuçiçit”, ka thënë fillimisht Osmani.

Veç kësaj, e parja e vendit ka folur edhe për raportet e mira me Kroacinë, duke deklaruar se është krenare.

Gjithashtu, ajo foli edhe rreth pretentimeve të Vuçiqit përmes skenarëve të ndryshëm.

“Është e rrezikshme të kesh një fqinj si Serbia, NATO dhe forcat tona do të parandalojnë skenarët e Vuçiqit”, tha tutje ajo, me mediumin kroat që këtë frazë e ka vendosur edhe në titull të intervistës.

Ku është dialogu?

Ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i ardhshëm i nivelit të lartë në Bruksel, ani pse kryeministri Kurti e ka pranuar me plot gojë se është i gatshëm të shkojë në të, kurdo që ftohet.

Madje, ai edhe ka kritikuar mosftesat, kur kemi parasysh faktin se me 18 gusht, palët veçse ishin dakorduar që të takohen çdo muaj.

Në anën tjetër, Nacionale, gjatë ditës raportoi se emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet që nesër të qëndrojë në Kosovë.

Në lidhje me këtë vizitë, zëdhënësi Peter Stano i tha Nacionales se nuk mund ta komentojnë.

“Është një pjesë integrale e punës së çdo Përfaqësuesi Special të BE-së për të takuar partnerë dhe për të vizituar kryeqytetet në rajon për të cilat përfaqëusesi është përgjegjës. Ne zakonisht as nuk bëjmë njoftime specifike për vizita të tilla pune dhe as nuk i komentojmë ato.” – theksoi z.Stano.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar për Nacionalen se kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pritet që të zhvillojnë një drekë pune me emisarin evropian.

“Kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi priten të zhvillojnë nesër një drekë pune me emisarin Lajcak.” – konfirmoi ai.

Lajme të ngjashme