Presidente Osmani s’e shkruajti historinë në Nju Jork, pati më pak aktivitete se Thaçi - NACIONALE

Presidente Osmani s’e shkruajti historinë në Nju Jork, pati më pak aktivitete se Thaçi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rreth 60 fotografi arriti t’i sigurojë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimeve që zhvilloi nën margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në SHBA. Krejt këtë, e përfundoi sot me “fotografinë triumfaliste”, duke shikuar nga qielli. Sidoqoftë, kur kthehemi pas disa vite, më konkretisht katër vite, shihet se ish-presidenti Hashim Thaçi kishte zhvilluar më shumë aktivitete, e që rrjedhimisht, presidentja aktuale del të jetë më e dobët sa i përket kësaj vizite.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që u mbajt gjatë kësaj jave, i mundësoi presidentes Vjosa Osmani e kryediplomates Donika Gërvalla që të zhvillojnë disa takime, të dyja bashkë – rreth 30 takime.

Presidenca e Kosovës në llogarinë në Facebook, ka bërë të ditura disa prej takimeve që janë mbajtur gjatë kësaj vizite, që siç shihet në fotografitë e publikuara, kanë qenë kryesisht nëpër evente të ndryshme.

Më dobët se Thaçi

Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani që e shoqëroi në këtë vizitë në SHBA, konsideroi se “po shkruhet historia”.

Këtë konstatim, ai e bëri vetëm përmes dy fotografive të publikuara të Osmanit me presidentin Biden, ku duhet përmendur se njëra ishte bërë në varrimin e mbretëreshës Elizabeth II, në Londër .

Në vitin 2018, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kishte marrë pjesë Hashim Thaçi, atë kohë president.

Nacionale.com ka siguruar një agjendë të takimeve të Thaçit, ku shihet se ka pasur më shumë aktivitete se Osmani nga 22 deri më 28 shtator 2018.

Thaçi me të arritur në SHBA, kishte takuar presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk. Më pas, ai kishte zhvilluar takime të tjera, si me drejtorin e MCC-së, Brock Bierman, presidentin e Kiribatit, Taneti Maamau, presidentin e Jemenit, Abdrabbuh Mansour Hadi, sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Islamike, Yousef Al-Otheimeen.

Më pas, ai kishte marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, ku edhe këtu, kishte zhvilluar takime të ndryshme.

Në agjendën e siguruar nga Nacionale, shihet se Thaçi kishte mbajtur takim me Mbretin e Jordanisë, Mbreti Abdullah II, sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmet Aboul Gheit, kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, presidentin e Zvicrës, Alait Berset, presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, ministrin e jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe takim me presidentin kroat.

Vizitën, Thaçi e kishte përmbyllur në një takim me George Soros.

Përveç pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, Thaçi kishte dhënë edhe intervista, duke përfshirë këtu edhe mediumin e njohur “Washington Post” dhe "Zëri i Amerikës".

"Fotografia triumfaliste"

Shumë prej qytetarëve që përdorin Facebook-un sot mund të jenë “përballur” me një fotografi të publikuar nga presidentja Osmani, që në fakt, dukej sikur të ishte realizuar për kopertinën e ndonjë filmi.

Por jo, ishte presidentja që po paralajmëronte rikthimin në Kosovë.

Kjo siç duket, i ka rënë në sy edhe analistit Imer Mushkolaj, i cili pati kritika për presidenten, duke thënë se takimet e saj ishin krejt të zakonshme – pra, jo diçka për të triumfuar.

“Me këtë fotografi triumfaliste, presidentja po na tregon që po kthehet nga New Yorku. Ta merr menja e ka anëtarësu Kosovën në OKB. Ndërkohë që në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme ka mbajtë takime të zakonshme dhe është fotografu me Bidenin, sikurse të gjithë presidentët tjerë”, Imer Mushkolaj.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, pati kritika për këtë vizitë, duke thënë se u ndërpre tradita e mirë e përfaqësimit të vendit në OKB.

“Nga Presidenti Thaçi, ish Ministrat tonë të Jashtëm e deri te Ambasadorja Çitaku, u përballën drejtpërdrejtë me dinjitet me përfaqësuesit serb. Kurse kësaj radhe Vjosa dhe Donika u mjaftuan me disa takime sa për sy e faqe dhe sa për postime nëpër fcb-at e tyre”, ka thënë deputetja Musliu.

Ajo thotë se për fat të Kosovës, i pranishëm ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një fjalim në OKB, përmendi edhe Kosovën.

“Për fatin tonë të mirë aty ishte Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili ngriti edhe çështjen e Kosovës dhe të hitorisë sonë të lavdishme në formën më brilante; Në fomrën që i ka hije një burrështetasi të vërtetë. Donika Gërvalla po dështon në çdo aspekt si në përfaqësimin e jashtëm si në menaxhimin e brendshëm të MPJD-së duke shkaktuar dëmë vështirë të riparueshme”, ka thënë Musliu tutje.

Në fund, ajo ka kritikuar edhe punën që po bëhet në politikën e Jashtme, duke thënë se Serbia angazhoi dhjetra diplomatë për sesionin vjeshtor të OKB-së, ndërsa Gërvalla u mjaftua me një ambasador e një diplomat.

Lajme të ngjashme