Dështim në Nju Jork? Osmani e Gërvalla mbajtën pak mbi 30 takime, ministri i Jashtëm i Serbisë veç vetë 100 - NACIONALE

Dështim në Nju Jork? Osmani e Gërvalla mbajtën pak mbi 30 takime, ministri i Jashtëm i Serbisë veç vetë 100

4 muaj më parë

nga Mirlind Behluli

Java e Asamblesë së Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara (OKB), që mbahet në javën e tretë të shtatorit, është moment i mirë për takime diplomatike. Atje qëndroi Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, dhe ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, që mbajtën disa takime. Megjithatë, në krahasim me politikanët serbë, Osmani e Gërvalla nuk qëndrojnë mirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, që qëndruan në Nju Jork të ShBA-së ku mbahet Asambleja e OKB-së, kanë pasur shumë takime. Së paku nga takimet e publikuara, ata janë treguar më efikas në krahasim me liderët e Kosovës.

Megjithatë, Osmani në një postim në Facebook, u tregua optimiste, duke shkruar se "Kosova është në rrugë të drejtë".

Përderisa Osmani e Gërvalla takuan në takime bileterale pak mbi 20 shtete, vetëm ministri i Jashtëm serb realizoi 79 takime, shumica nga të cilat me shtete, dhe në total 100 takime.

Madje, Osmani e Gërvalla nuk treguan nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje me ndonjërin nga vendet që takuan, gjersa Serbia nënshkroi 12 marrëveshje, e memorandume, përfshirë atë me Rusinë, që ngjalli reagime të shumta.

Liderët e Kosovës takuan kryesisht homologët e tyre evropianë, ndërsa delegacioni serb realizoi takime edhe me përfaqësues politikë të Afrikës, Amerikës Latine e Azisë.

Takimet e Osmanit e Gërvallës

Zonja Osmani pati disa takime, përfshirë atë me ministrin e Jashtëm të Haitit, kryeministren e Bangladeshit, homologun e saj të Latvisë, ministrin e Jashtëm të Palaus, presidentin e Estonisë, kryeministrin e Saint Kitts dhe Nevis.

Ajo në takime të përbashkëta (darka ose pritje solemne) takoi edhe kryeministren e Zelandës së Re, sekretarin e shtetit amerikan, Anthony Blinken, dhe doli në fotografi me presidentin amerikan, Joe Biden.

Njëkohësisht, zonja Presidente takoi edhe sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.

Tutje, presidentja Osmani realizoi një takim edhe me Miroslav Lajçakun, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, dhe sekretarin e NATO-s.

Osmani mbajti fjalim edhe një universitet të SHBA-së, ndërsa vizitoi edhe memorialin në nderim të viktmave të 11 shtatorit.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ministrja Gërvalla ka takuar 17 delegacione shtetërore në takime bilaterale. Në fakt, shumica e takimeve që realizoi zonja Gërvalla qenë me vende evropiane, duke anashkaluar takimet me shtetet nga regjione si Afrika, Azia dhe Amerika Latine, vende të cilat nuk kanë njohur shtetin e Kosovës.

Në magjina të samitit, Gërvalla ka takuar homologun e saj të Emirateve të Bashkuara, atë të Timor-Lestes, Norvegjisë, Danimarkës, Lituanisë, Polonisë, Monakos, Hungarisë, Mauritania, Luksemburgut, Malavit, Kuvajtit dhe zv.ministrin e Jashtëm të Republikës Dominikane.

Ajo mori pjesë në një takim të realizuar nga Mali i Zi në Nju Jork.

Ndërsa, zonja Gërvalla takoi edhe dy vende mos njohëse, duke realizuar takime me ministrin e Jashtëm të Armenisë, Ararat Mirzoyan, dhe atë të Sllovakisë, Rastislav Kacer.

Përveç tyre, Gërvalla pati edhe një takim me asistent-sekretaren e Byrosë për Çështje politiko-ushtarake të ShBA-së, Jessica Leëis dhe mori pjesë në dy darka (takime) të ministrave të Jashtëm.

Takimet e Vuçiqit e Selakoviqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi liderët politikë (presidentë, kryeministra dhe ministra të Jashtëm) të Maldiveve, Sllovenisë, Rusisë, Greqisë Qipros e Maqedonisë së Veriut. Ai realizoi një takim edhe me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.

Shumë më aktiv ishte Selakoviq, duke bërë, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë në Tëitter, saktësisht 100 takime.

Pra, i pari i diplomacisë serbe, bëri në total realizoi 100 takime, duke nënshkruar 12 marrëveshje, protokolle dhe momorandume.

Më saktësisht, më 20 shtator, ministri i Jashtëm i Serbisë takoi, sipas postimit zyrtar në Twitterin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë, saktësisht 20 ministra të Jashtëm të shteteve të ndryshme.

Ndërsa me 21 shtator, ai ka takuar 27 ministra të Jashtëm të shteteve të ndryshme.

Në ditën e tretë, pra me 22 shtator, Selakoviq takoi 18 shtete, duke shkruar se ka zhvilluar lidhjet politike dhe ekonomike me ato vende. Ndërsa, në ditën e katërt, ai ka takuar 20 vende.

Selakoviq takoi ministrin e Jashtëm të Sierra Leone, Maldives, Algjerisë, Uzbekistanit, Venezuelës, Eritresë, Sait Lucisë, Maltës, Jordanisë, Armenisë, Somalisë, Kuvajtit, Gjeorgjisë, Kosta Rikës, Laos, Katarit, Singaporit, Hungarisë, Barbadosit, Liteshtajnit, Estonisë, Kazakistanit, Andorës, Egjipt, Kape Verdes, Nigerit, Moldavisë, Holandës, Samoas, Azerbejxhanit, Bjellorusisë, Filipineve, Sirisë, Taxhikistanit, Brazilit, Saint Kitts dhe Nevisit, Malavit, Sllovakisë, Kirgistanit, San Marinos, Kolombisë etj.

Takimet e Selakoviqit kryesisht u fokusuan në shtetet mosnjohëse të Kosovës si Armenia, Uzbekistani, Taxhikistani, Filipinet, Bjellorusia, Siria, Eritrea, Sllovaka etj.

Madje, ai falënderoi ministrin e Jashtëm të Eritresë dhe atë të Armenisë për qëndrimin parimor mbi çështjen e Kosovës.

Lajme të ngjashme