Premtimi për shamitë, ish-këshilltari i Kurtit i kërkon Nagavcit lejimin e tyre në shkolla - NACIONALE

Premtimi për shamitë, ish-këshilltari i Kurtit i kërkon Nagavcit lejimin e tyre në shkolla

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Çështja e bartjes së shamisë në shkolla publike gjithmonë ngjall reagime të shumta, kurdo që diskutohet. Aq të ashpra janë reagimet, sa shpesh përfundojnë në kërcënime e linçime publike, siç ishte rasti ndaj drejtoreshës së një shkolle në Gjakovë.

Një nen në udhëzimin administrativ të miratuar në vitin 2014 është ende në fuqi, duke ndaluar bartjen e uniformës fetare në objektet arsimore.

Por, vazhdimisht është debatuar nëse ky udhëzim duhet të ndryshohet.

Madje kryeministri Albin Kurti, kishte premtuar publikisht se do të lejonte bartjen e shamisë në shkolla nga vajzat 16-vjeçare. Por, deri tash, nuk është marrë asnjë hap në këtë drejtim.

Kërkesa për anulim të nenit

Durim Berisha, ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, i ka dërguar një kërkesë Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, me të cilën i ka kërkuar anulimin e nenit të udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e uniformës në shkollat publike.

Në kërkesën që e ka siguruar gazeta Nacionale, Berisha ka kërkuar që anulimi të bëhet për shkak të pavlefshmërisë absolute të këtij neni.

“Formulimi i përdorur në dispozitën e kontestuar ka pasur për rezultat mohimin e të drejtave themelore të garantuara me nenin 47 të Kushtetutës së Kosovës [E Drejta për Arsimin] për të gjitha nxënëset të cilat kanë bartur mbulesë të kokës për shkak të bindjeve fetare”, thuhet në kërkesë.

Tutje, në kërkesën e tij, Berisha, që është jurist i së drejtës kushtetuese, ka theksuar se një kufizim i tillë është anti-kushtetues.

“Për më tepër, kufizimi arbitrar i lirive dhe të drejtave themelore përmes një akti administrativ është i ndaluar në Republikën e Kosovës. Në bazë të nenit 55 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës „të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj””, shkruan në shkresën e tij ish-këshilltari i Kurtit.

Sipas Berishës, dispozita që ai e konteston, paraqet një akt absolutisht të pavlefshëm, duke theksuar se është obligim i MASHTI-t që të anulojë të njëjtin.

Për këtë çështje, Nacionale e ka kontaktuar edhe ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci. Ajo është pyetur nga Nacionale, nëse do ta trajtojnë këtë çështje dhe nëse do ta lejojë bartjen e shamive në shkolla. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Çfarë thotë udhëzimi administrativ?

I miratuar në vitin 2014, ai rregullon kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta.

Në qëllimin e tij, udhëzimi administrativ synon të përcaktojë të drejtat, obligimet, veprimet e ndaluara, vijueshmërinë në mësim dhe masat e procedurat disiplinore dhe zbatimin e tyre ndaj nxënësve.

Neni që shpesh është kritikuar, është neni 3, i cili liston veprimet e ndaluara në shkollë.

Në mesin e veprimeve të ndaluara, krahas mbajtjes së armëve të ftohta dhe të zjarrta, vandalizmit, fyerjes, është edhe bartja e uniformës fetare.

Premtimet e Kurtit

Shumë vite më parë, Albin Kurti, si udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte pjesë e një iftari të organizuar gjatë fushatës së vitit 2017.

Duke qenë në mesin e besimtarëve të fesë islame, të cilët po agjëronin muajin e Ramazanit, pashmangshëm Kurti foli për punën më të diskutueshme: mbulesën në shkolla.

Duket se kryeministri Kurti, që atëbotë ishte kryeopozitari i Kosovës, ndoshta i ndikuar nga mikpritja e agjëruesve dha një premtim të madh.

“Lëvizja Vetëvendosje është kundër ndalimit të shamisë për vajzat mbi 16 vjeç. Duhet ta kenë fytyrën e zbuluar sepse përndryshe është i pamundur identifikimi. Ne insistojmë në atë çfarë ka në kokë e jo mbi kokë”, tha Kurti, shkruan Gazeta Nacionale.

Përpara myslimanëve që po e dëgjonin fjalimin e tij, Kurti e solli në ndihmë të argumentit të tij një thënie të Ervin Hatibit, poetit e shkrimtarit të njohur nga Shqipëria.

“Ervin Hatibi thotë për punën e shamisë e fustaneve që ne nuk do të duhej të bënim punën e rrobaqepësisë. Pra politika nuk merret me rrobaqepësi, as nuk merret me çështje të berberëve, kush çfarë mjekre ka e sa e gjatë është ajo. Pra është njëfarë mendimi totalitar që na duhet me kontrollu edhe dukjen e njerëzve”, theksonte Kurti atëbotë.

Deklarimet në favor të shamisë, Kurti filloi t’i shpeshtonte gjatë viteve 2017-2019, të cilat u etiketuan nga kundërshtarët e tij politikë e analistë të shumtë si flirtim elektoral me besimtarët myslimanë, të cilët për një kohë relativisht të gjatë votuan Partinë Demokratike të Kosovës.

Madje Kurti u kritikua fort kur në vitin 2017, prapë për çudi në një iftar në Prishtinë, tha se do ta luftojë islamofobinë.

“Do ta luftoj islamofobinë e cila është e pranishme. Do ta luftoj edhe stigmatizimin e islamit”, tha Kurti në vitin 2017.

“Ne nuk do ta pengojmë një vajzë të shkollohet apo një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor për shkak se në njërën anë është e drejta e mësimit dhe në anën tjetër është bindja jonë se është e rëndësishme se çfarë ke në kokë e jo mbi kokë”, shtoi atëbotë Kurti.

Madje për këtë çështje, në vitin 2016, Lëvizja Vetëvendosje kishte shkruar një komunikatë duke theksuar se nga mosha 16 vjeçe duhej të lejohej mbajtja e shamisë.

“Në fund jemi pajtuar që një vajzë e cila ka mbushur moshën 16 vjeç, ka të drejtë të marrë vendim të pavarur individual për mbajtjen e shamisë. Kjo moshë është përcaktuar duke marrë për bazë ligjet aktuale në Kosovë, të cilat ua lejojnë vajzave në këtë moshë edhe vendimin për martesë, si shenjë e pjekurisë dhe moshës madhore. Gjithashtu, qëndrimi ynë është i qartë se fytyra duhet të jetë e zbuluar”, shkruhet në komunikatën e fshirë të Vetëvendosjes.

Lajme të ngjashme