Kurti cullak: Dikur pro shamisë, tash e një vit la udhëzimin administrativ kundër shamisë - NACIONALE

Kurti cullak: Dikur pro shamisë, tash e një vit la udhëzimin administrativ kundër shamisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë vite më parë, Albin Kurti, si udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte pjesë e një iftari të organizuar gjatë fushatës së vitit 2017.

Duke qenë në mesin e besimtarëve të fesë Islame, të cilët po agjëronin muajin e Ramazanit, pashmangshëm Kurti foli për punën më të diskutueshme: mbulesën në shkolla.

Duket se kryeministri Kurti, që atëbotë ishte kryeopozitari i Kosovës, ndoshta i ndikuar nga mikpritja e agjëruesve dha një premtim të madh.

“Lëvizja Vetëvendosje është kundër ndalimit të shamisë për vajzat mbi 16 vjeç, duhet ta kenë fytyrën e zbuluar sepse përndryshe është i pamundur identifikimi. Ne insistojmë në atë çfarë ka në kokë e jo mbi kokë”, tha Kurti, shkruan Gazeta Nacionale.

Të ngazëllyer me këtë deklarim të Kurtit, të pranishmit nuk ngurruan të duartrokisnin.

Përpara myslimanëve që po e dëgjonin fjalimin e tij, Kurti e solli në ndihmë të argumentit të tij një thënie të Ervin Hatibit, poetit e shkrimtarit të njohur nga Shqipëria.

“Ervin Hatibi thotë për punën e shamisë e fustaneve që ne nuk do të duhej të bënim punën e rrobaqepësisë. Pra politika nuk merret me rrobaqepësi, as nuk merret me çështje të berberëve kush çfarë mjekre ka e sa e gjatë është ajo. Pra është një farë mendimi totalitar që na duhet me kontrollu edhe dukjen e njerëzve”, theksonte Kurti atëbotë.

Deklarimet në favor të shamisë, Kurti filloi t’i shpeshtonte gjatë viteve 2017-2019, të cilat u etiketuan nga kundërshtarët e tij politik e analistë të shumtë si flirtim elektoral me besimtarët mysliman, të cilët për një kohë relativisht të gjatë votuan Partinë Demokratike të Kosovës.

Madje Kurti u kritikua fortë kur në vitin 2017, prapë për çudi në një iftar në Prishtinë, tha se do ta luftojë islamofobinë.

Do ta luftojë islamofobinë e cila është e pranishme. Do ta luftojë edhe stigmatizimin e Islamit”, tha Kurti në vitin 2017.

“Ne nuk do ta pengojmë një vajzë të shkollohet apo një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor për shkak se në njërën anë është e drejta e mësimit dhe në anën tjetër është bindja jonë se është e rëndësishme se çfarë ke në kokë e jo mbi kokë”, shtoi Kurti atëbotë.

Madje për këtë çështje, në vitin 2016, Lëvizja Vetëvendosje kishte shkruar një komunikatë duke theksuar se nga mosha 16 vjeçe duhej të lejohej mbajtja e shamisë.

Në fund jemi pajtuar që një vajzë e cila ka mbushur moshën 16 vjeç, ka të drejtë të marrë vendim të pavarur individual për mbajtjen e shamisë. Kjo moshë është përcaktuar duke marrë për bazë ligjet aktuale në Kosovë, të cilat ua lejojnë vajzave në këtë moshë edhe vendimin për martesë, si shenjë e pjekurisë dhe moshës madhore. Gjithashtu, qëndrimi ynë është i qartë se fytyra duhet të jetë e zbuluar”, shkruhet në komunikatën e fshirë të Vetëvendosjes.

E ky relacion me temat më preukopuese të praktikantëve të fesë Islame, iu shpërblye gjatë zgjedhjeve të 2017, 2019 e 2021 pasi që mori përkrahjen e shumë personaliteteve publike e hoxhallarëve anembanë Kosovës.

Madje kjo përkrahje u vërejt edhe në përbërjen e Grupit Parlamentar të VV-së në zgjedhjet e shkurtit të 2021. Mbi 10 deputetë që praktikojnë Islamin, arritën të marrin besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar ata në ‘shtëpinë e popullit’.

Çështja e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla u riaktualizua dje pasi që në një shkollë në Gjakovë u vendos një shenjë ku ndalohej hyrja me shami për vajza.

Pasi një gjë e tillë u bë publike, komente të shumta vërshuan rrjetin social Facebook.

Deputetja Duda Balje ishte ndër të parat pushtetare që reagoi kundër një ndalimi të tillë duke nxitur më pastaj edhe reagimin e Florentina Gjergjaj, drejtoreshës së shkollës teknike të Gjakovës.

Edhe Bashkësia Islame e Kosovës u bë pjesë e karvanit të kritikës ndaj Gjergjajt, e cila e denoncoi në Polici deputeten Balje për nxitje të urrejtjes ndaj saj.

Ndërsa Ardian Gjini, kryetar i Gjakovës, paralajmëroi masa ndaj drejtoreshës e cila e vendosi një lajmërim të tillë.

Përkundër që Kurti njihet si politikan që s’përton ta bëjë të qartë mendimin e tij mbi temat e nxehta të shoqërisë, ende nuk ka reaguar.

Madje për këtë çështje nuk ka folur as Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila, siç kupton Nacionale, ka hezituar të shfuqizojë udhëzimin administrativ që ndalon përdorimin e shamive në shkolla.

As presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ende nuk ka marrë qëndrim për këtë çështje, ndonëse gjatë ditës ajo i uroi besimtarët e Islamit për fillimin e muajit të Ramazanit.

Lajme të ngjashme