Kërcënimet për shaminë – drejtoresha e shkollës në Gjakovë i drejtohet Policisë
Një shenjë e vendosur në korridoret e shkollës ku ndalohej hyrja me shami për vajza, i ka shkaktuar jo pak probleme drejtoreshës së shkollës së mesme teknike në Gjakovë, Florentina Gjergjaj.
Reagime të shumta nëpër rrjete sociale, reagim edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës, e me dhjetëra kërcënime nëpër komente dhe profilin e saj në Facebook.
Si rezultat, drejtoresha Gjergjaj e ka denoncuar rastin në Policinë e Gjakovës për kanosjet dhe kërcënimet që ka marrë. Megjithatë, nuk dihet nëse e ka denoncuar edhe deputeten Duda Balje, e cila kishte nisur e para me reagimet për këtë çështje.

“Me datë 01.03.2022 ankuesja drejtoreshë e shkollës se mesme “Nexhmedin Nixha” është kanosur me fjalë ofenduese nga disa persona në rrjetin social Facebook. E tërë kjo ka ndodhur si pasojë e disa ndalesave në shkollë që janë vendosur sipas rregullave te ministrisë se arsimit”, bëri të ditur për gazetën Nacionale zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.
Kërcënimet për drejtoreshën janë shtuar si pasojë e reagimit të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila është kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.
Balje, në postimin e saj në Facebook (të cilin tashmë e ka fshirë) e ka konsideruar skandaloze dhe ofenduese për qytetarët këtë moslejim.

“Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetar dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetare. Unë nuk mund të jem indiferente dhe gjithashtu kërkoj një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. A. Gjini”, kishte shkruar Balje.
Kjo ka mjaftuar që drejtoresha e kësaj shkolle të bëhet e njohur për opinionin e t’i çelet rrugë kërcënimeve, sharjeve e fyerjeve të njëpasnjëshme.
Gazeta Nacionale ka siguruar disa nga këto kërcënime, të cilat mund t’i gjeni si vijon:

Gjuha e përdorur nga ofenduesit, dëshmon rritjen e ekstremizmit fetar në vend dhe tregon se çfarë mund të sjellë një veprim krejt i pamatur i përfaqësueses së një pjese të popullit në Kuvendin e Kosovës.
Sikur të mos mjaftonte reagimi i deputetes Balje, për këtë çështje ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, duke e dënuar aktin e drejtorisë.
Në udhëzimin administrativ nr. 6/2010 për kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta, thuhet se ndalohet bartja e uniformës fetare.