Për tre muaj, nga 5% të mjeteve për investime kapitale u shpenzuan - Ministër Murati me arsyetime "të lodhta" - NACIONALE

Për tre muaj, nga 5% të mjeteve për investime kapitale u shpenzuan - Ministër Murati me arsyetime "të lodhta"

10 muaj më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Mungesa e investimeve kapitale ka qenë ndër kritikat kryesore ndaj punës së Qeverisë Kurti. Tash kjo qeveri po mundohet që t’i mohojë edhe të dhënat nga raportet që publikohen nga vetë ata. Sipas raportit të Thesarit të Kosovës, pesë ministri nuk kanë shpenzuar asnjë centë për shpenzime kapitale gjatë tre muajve. Përveç ministrive edhe komunat nuk qëndrojnë hiç më mirë.

Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nijihet si qeveri që ka lënë pas dore investimet kapitale dhe bllokimin e buxhetit të shtetit.

Kjo gjendje është paraqitur edhe në raportin “Raporti Tremujor Financiar” i Thesarit të Kosovës ku nga mbi 811 milionë euro, janë shpenzuar vetëm 40 milionë euro apo vetëm 5 për qind e buxhetit.

Fatmirësisht krahasuar me vitin e kaluara ka një rritje prej rreth 12 milionë euro.

Shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 40.48 milionë euro, që paraqet një rritje prej 12.49 milionë euro, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 5% krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori, apo 45% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.” – thuhet në këtë raport.

Sipas raportit tremujor financiar del që pesë ministri nuk kanë shpenzuar asnjë shumë nga buxheti i ndarë gjatë tre muajve të parë të vitit 2023.

Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Ministria e Drejtësisë, janë institucionet që nuk kanë realizuar asnjë investim gjatë tre mujorit të parë të vitit 2023.

Gjithashtu një numër i madh i komunave nuk kanë shpenzuar asnjë centë për investime kapitale.

Juniku, Vushtrria, Kamenica, Fushë Kosova, Dragashi, Mamusha, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Mitrovica Veriore, Kaçaniku, Shtërpca, Parteshi, Hani i Elezit, Kllokoti dhe Ranillugu, janë komunat që nuk kanë realizuar investime kapitale gjatë këtij tre mujori.

Arsyetimi i Muratit

Mirëpo, si zakonisht, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është arsyetuar për mungesën e investimeve gjatë muajve të parë të vitit 2023.

Faji sipas Muratit për mungesën e projekteve të reja është të procedurat administrative gjatë nënshkrimit të tenderëve.

Tremujorin e parë nuk ka pasur projekte te reja sepse nuk mund të zhvillohen procedurat. Ka procedura, deri të bëhet tenderi, të nënshkruhet kontrata, shkon tre mujori i parë. Për projekte ekzistuese, sidomos ato infrastrukturore, çështja ka të bëjë më kushtet e kohës. Kushte ambientale të cilët shpeshherë pamundësojnë që të kryhet punë në tre mujorin e parë”. – ka thënë Murati të hënën më 5 qershor.

Murati është shprehur optimist që do të ketë realizim më të mirë të buxhetit dhe projekteve të reja.

Gjithashtu ai pati edhe një arsyetim pasi gjatë qeverisjeve të kaluara investimet kapitale kanë qenë më të larta.

Duhet ta kujtojmë që viteve paraprake, siç edhe e kam sqaruar disa herë, ka qenë një projekt, kryesisht autostrada që ka marrë 200 milionë euro në vit, pjesa tjetër kurrë nuk e kaluar 300 milionëshin, si shpenzim vjetor. Vitin e kaluar kemi pasur 420 milionë euro investime kapitale që përafërsisht i vije diku gati 5% e GDP-së, që besoj që është në linjë në trendin e rajonit që sillet 4 deri 7% e GDP-së.” – ka thënë Murati.

Ndërkohë, partitë opozitare në vazhdimësi kanë kritikuar Qeverinë Kurti për mungesën e investimeve kapitale.

Lajme të ngjashme