Deputeti i LVV-së ia thotë në sy Hekuran Muratit: Milionerat në Marigona Hill do të paguajnë më pak tatim
Ministri i Financave, Hekuran Murati të premten ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Buxhet, aty ku u përball me një kritikë edhe nga bashkëpartiaku i tij në Lëvizjen Vetëvendosje, deputeti Eman Rrahmani.
Rrahmani ia ka përmendur ministrit Murati faktin se banorët që jetojnë në zonën ku ndodhet edhe lagja Marigona Hill, do të paguajnë më pak për tatim në pronë.
“Në Lagjën Marigona Hill nëse e ki një banesë 200 metër katrorë, ki me pagu 108 euro tatim. Nëse e ki në Tophane, ku janë banorë të vjetër, ki me pagu 415 euro për të njëjtën banesë. Milionerat, që po i quajmë na, janë tu pagu 100 euro, e kta 500 euro. Ky është gabim, nuk po them që e keni bu ju po kta tjerët, dhe na e kemi përgjegjësi me e ndryshu.” – ka thënë ai.
Veç kësaj, deputeti në fjalë ka thënë se ky problem duhet të diskutohet edhe me Komunën, Kuvendin e Qeverinë.
Vlen të theksohet, se Nacionale ka raportuar rreth këtyre dallimeve për pagesën e tatimit në pronë, para disa ditësh.
Kujtojmë se në lagjen Marigona Hill, posedojnë shtëpi edhe presidentja Vjosa Osmani dhe ministri Liburn Aliu.
