Prej kryeministrit në detyrë, partitë politike e deri te ish-deputetët: Kush reagoi e çfarë tha pas sulmit në Skënderaj?
Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka sulmuar fizikisht sot zv/ministrin në detyrë dhe kryetarin e degës së VV-së në këtë komunë, Hysni Mehani.
Lushtaku tha se ishte ai që u tentua të sulmohej, përderisa Lëvizja Vetëvendosje reagoi ashpër duke kërkuar distancim nga PDK-ja.
Për këtë rast, deri më tash ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ish-deputetë.
“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistët tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që e shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet. U bëjmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit e drejtësisë që me urgjencë të marrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, tha Kurti.
Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Arjeta Fejza, duke folur nga Spitali i Mitrovicës, tha se ishin duke biseduar krejt zakonshëm kur kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, sulmoi bashkëpartiakun e saj, kryetar të degës së VV’së në këtë komunë, Hysni Mehani, i cili është edhe zëvendësministër.
“Fare të shpërqendruar në muhabetin tonë pa asnjë vëmendje të asaj se ka po ndodhte përreth dhe pa asnjë lloj komunikimi paraprak me z. Lushtaku, ai u afrua dhe e sulmoi zëvendësministrin Mehani. Fillimisht me telefon, pastaj me dorë, pastaj edhe me gotë si keni pasë mundësinë me pa edhe dëmin që e ka në fytyrë. Kur sekretari i qendrës tonë, Bahri Zabeli, tentoi të ndërhyjë për të e qetësuar situatën, me i nda pak, mos me vazhdu ajo përplasja fizike, ai u sulmua nga personat të tjerë që ishin bashkë me Lushtakun në atë moment”., tha ajo.
Fejza e mohoi se ka pasur thirrje “Sami Serbia”.
“Unë po ju siguroj. Unë kam qenë aty dhe besoj ka edhe të tjerë dëshmitarë okularë aty. Ne kemi qenë duke biseduar për një çështje s’ka të bëjë me Skenderajn as çështjen për të cilën po flasim. As fare s’është përmendur emri i tij, kemi qenë duke folur për një çështje të punës kur ai ka ardhur dhe e ka sulmuar zëvendësministrin”., tha më tutje ajo.
Një reagim e pati edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Deliu tha se “dhuna nuk është zgjidhje”, por “as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk janë”.
“Sepse kur për vite të tëra instalohet gjuha e urrejtjes, e përçarjes dhe e dehumanizimit, pasojat nuk vonojnë. Njëra e sjell tjetrën. Gjithmonë kështu ka qenë. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për përmbajtje dhe respekt në diskursin publik. Për ndalim të gjuhës që prodhon konflikt, e jo për ushqim të saj”, ka shkruar ajo.
LDK në anën tjetër thotë se retorika përçarëse, nxitëse dhe denigruese “që është normalizuar” në hapësirën publike e digjitale nuk mund të trajtohet si fenomen i zakonshëm politik.
“Gjuha e urrejtjes prodhon tension, cenon sigurinë publike dhe krijon ambient ku dhuna rrezikon të shihet si mjet i pranueshëm i përballjes politike. Kjo është e papranueshme për një republikë demokratike. Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se mospajtimet politike duhet të mbeten gjithmonë brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare. Republika jonë ka nevojë për debat politik, për garë të ideve dhe vizioneve, jo për linçim, frikësim apo sulme ndaj kundërshtarit politik”, thuhet në reagim.