Porositë direkte dhe serioze për Kosovën: Çka thanë së fundi ShBA-ja e BE-ja? - NACIONALE

Porositë direkte dhe serioze për Kosovën: Çka thanë së fundi ShBA-ja e BE-ja?

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Qeveria e Kosovës ka marrë porosi direkte këto ditë nga partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Asociacioni, e ardhmja e serbëve në Kosovë, emërimi i ministrit të ri serb, këto ishin disa prej çështjeve më të përfolura. Çka konkretisht porositën aleatët e vendit?

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, në një shkrim të gjatë të publikuar në rrjetin social Twitter, të premten tha se Kosova ka marrë porosi serioze dhe direkte nga ShBA-ja dhe BE-ja.

Fillimisht ishte Escobar që ka deklaruar se ‘zotimi i SHBA për Kosovën (duke përdorur emrin shqip), sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin është i patundshëm.” – ka shkruar ai.

Mes tjerash, Selimi e përmendi edhe deklaratën e emisarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të cilën raportoi Nacionale gjatë ditës së enjte.

“Në çështjen e Asociacionit, Escobar ishte po ashtu i qartë: “Është një obligim ligjërisht i detyrueshëm. Duhet dhe do të implementohet. Qeveria e Kosovës duhet ta shohë si një mundësi dhe duhet të shikojë modelet evropiane. Nëse nuk e zgjidhim këtë pyetje, do të jemi në një cikël të përhershëm krize.” – ka shkruar ai.

Mes këtij postimi të gjatë, Selimi e ka theksuar edhe deklaratën që e dha pikërisht sot, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili tha se emërimi i ministrit të ri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, nuk i plotëson kushtet e Kushtetutës.

“Stano i BE-së @ExtSpoxEU gjithashtu foli disa minuta më parë duke kritikuar Kosovën: “Interpretimi paraprak i emërimit të djeshëm [të një ministri serb nga kryeministri i Kosovës] është se nuk i plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës.” - ka shkruar Selimi.

Escobar – Asociacioni dhe afati për marrëveshje

Në një konferencë online të organizuar nga “Atlantic Council”, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ishte i prerë në përgjigjen e tij për Asociacionin.

Diplomati amerikan u përgjigj qartë: “Asociaconi do të zbatohet.”

"Është një dispozitë ligjërisht e detyrueshme. Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, për Kosovën dhe për BE-në, dhe pikërisht për shkak se ne mbështesim dialogun, është edhe detyrimi ynë. Pra, po, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet.” – tha emisari i ShBA-së.

Escobar u pyet edhe për afatet e një marrëveshje finale mes dy vendeve. Ndonëse kryeministri Albin Kurti e kishte dhënë si datë marsin e vitit 2023 rreth planit franko-gjerman, Escobar la të kuptohen urgjencën e arritjes së saj.

“Sa më shpejt që është e mundur. Mendoj që nuk e ndihmon askënd të ketë një konflikt të ngrirë në rajon, ky është i vetmi konflikt i ngrirë në rajon”, ka thënë ai.

Emërimi i ministrit të ri

Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka emëruar, Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim.

Ky ndryshim, erdhi pas tërheqjes së Listës Serbe nga institucionet, rrjedhimisht, edhe Goran Rakiqit i cili më parë mbante pozitën në të cilën u emërua Nenad Rashiq.

Emërimi shkaktoi një reagim skandaloz të presidentit Aleksandër Vuçiq, gjë për të cilën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media i bëri thirrje të përmbahet nga deklaratat nxitëse.

“Ne si komunitet i 27 vendeve presim nga të gjithë partnerët që të sillen në mënyrë evropiane, e kjo përfshin edhe Serbinë edhe Kosovën. Kjo nënkupton përmbajtje nga deklaratat nxitëse”, ka thënë Stano, kur u pyet për deklaratat e Vuçiqit, i cili e quajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti "një mbeturinë terroriste”.

Sa i përket emërimit të Rashiqit si ministër në Qeverinë e Kosovës, Stano tha se “sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.” - ka thënë ai.

Lajme të ngjashme