Porfirije shkarkon esktazë "serbësie" në Podgoricë pak para regjistrimit të popullsisë, ish-ambasadori Hysa shtjellon arsyet - NACIONALE

Porfirije shkarkon esktazë "serbësie" në Podgoricë pak para regjistrimit të popullsisë, ish-ambasadori Hysa shtjellon arsyet

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Me një gjuhë serbësie të stër-romantizuar, krypatriarku ortodoks Porfirije, dje në Podgoricë shkarkoi misticizma të përçudshëm në kokat e audiencës së tij.

Kishte një thirrje specifike ndaj të gjithëve aty që e recitonte si lajtmotiv e që përkthehej në: Deklarohuni dhe ndjehuni serbë.

Kjo në dritën e cenzusit tejet të diskutueshëm që pritet të mbahet në Mal të Zi gjatë muajit nëntor; por edhe formimit të qeverisë së re atje.

Jemi krenar që flasim serbishten më të pastër – të Njegoshit. Çfarë themi ne këtu, dhe kudo që jemi. Jemi krenar që flasim gjuhën e Stefan Ljubishës, Mark Millanit; sepse vetëm në serbishte ne mund të shprehim më të mirën brenda nesh”, tha Patriarku, siç e citoi "Danas".

Kjo “serbësi e pastër”, për Patriarkun, duhej të përkthehej edhe në regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi; teksa e vendoste në kundërpeshë me atë që ai e quante “identitete të konstruktuara”, duke nënkuptuar kombin malazez (komb ky që Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh e as pranon — sepse për ta s'mund të jesh ortodoks dhe jo serb, dhe anasjelltas). Është kohë “sulmesh ndaj serbëve”, ofshau ai.

Porfirije vazhdoi t’i jepte kreshendo toneve të kësaj “serbësie”, ndërsa në audiencë kishte edhe deputetë serbë të ekstremit të djathtë si Boshko Obradoviq i “Dveri”-t dhe Millica Gjurgjeviq e “Zavetnici”-t.

Ju shprehni më së miri identitetin si besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe dhe si folës të gjuhës serbe, që më të mirët ndër nesh e kanë folur dhe e kanë shkruar më së bukuri mendimin, poezitë e tregimet e popullit serb. E kemi obligim krejt ne”, vazhdonte të shkarkonte serbësinë e tij, patriarku.

Çka dhe pse shkoi?

Arsyeja e vizititës së Patriarkut Porfirije në Podgoricë është “për të bekuar qetësisht kolacionin gjithëserb” para formimit të qeverisë së re atje si dhe “për të trimëruar të gjithë” që në regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi që mbahet në nëntor të këtij viti “të regjistrohen si serbë”, thotë ish-ambasadori kosovar Ylber Hysa, në një bisedë me Nacionalen.

Patriarku Porfirije, i ndjekur nga mitropoliti Joanikije, po qëndron ne Mal te Zi për dy arsye të ndërlidhura: njëra për të bekuar ‘qetësisht’ koalicionin gjithëserbë që pati rrëzuar qeverinë e Millo Gjukanoviq, e që tani po krijon qeverinë e re: Ndërsa, e dyta për të trimëruar gjithë ata që do të duhej, sipas tyre, të regjistrohen si serbë në cenzusin e kontestuar që mbahet në fillim të nëntorit”, tha ish-ambasadori Hysa.

Hysa vëren një “përdredhje” në fjalimin e Porfirije teksa ai shkarkon gjithë-serbësinë tek audienca e tij; thotë se nga ata figura serbësie që përmendi Porfirije ka që kanë folur “bukur shqip në Malësi e Ulqin”.

Porfirije, në cilësinë e historiani dhe kritikur letrar mbase është ngutur te cilësimi i Njegoshit dhe Mark Millanin ‘kanë folur serbisht’. Autori i Kurorës së Maleve, lideri malazez Njegosh apo Mark Milani i Kuqit që ka shkruar për trimërinë e burrninë e shqiptarëve ka folur bukur shqip në Malësi e Ulqin”, thotë Hysa.

Diplomati Hysa, që është ndër historianët më të shquar, na thotë se “vetëm nga këto dy raste mjafton të shpjegohet kompleksi identitar në Mal të Zi më ndryshe se ‘historiani’ Porfirije”.

Cenzusi, na thotë Hysa, ka marrë karakter politik; dhe se këtu qëndron çështja.

Cenzusi në Mal të Zi kontestohet për shumë arsye – ato teknike sepse mungon qeveria qendore dhe lokale pro edhe për arsye politike duke ditur që cenzusi në Mal të Zi gjithnjë ka karakter politik ku serbët në më pak se 10 për qind arritën të bëhen 30 e sa për qind mu në kohën kur ankohen se i kanë ‘punët keq’”, thotë Hysa për Nacionalen.

Por, cenzusi është pranuar nga Qeveria e Abazoviqit dhe mund të vazhdojë nën qeverine gjithëserbe ku në të do të jenë vetëm shqiptarët nga pakicat”, përfundon Ylber Hysa.

Lajme të ngjashme