Polonia i jep mësim Kosovës, e përzgjedh ofertën amerikane për projektin e energjisë
Kompania amerikane e energjisë, “Westinghouse Electric Co”, do ta ndërtojë centralin e parë bërthamor të Polonisë, tha të premten kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, duke konfirmuar një vendim të pritur gjatë me të cilin synohet ulja e gazrave të karbonit dhe nxjerrja e thëngjillit nga përdorimi për prodhim të energjisë.
Kur Rusia po zhvillon luftë në Ukrainë, zgjedhja e një partneri nga Shtetet e Bashkuara e vë në dukje peshën që Polonia ua jep raporteve me Uashingtonin në kohën kur siguria e vendit është në qendër të vëmendjes, shkruan agjencia “Reuters”.
“Ne konfirmojmë se projekti ynë për energji bërthamore do ta përdorë teknologjinë e besueshme dhe të sigurt të “Westinghouse Electric”, shkroi kryeministri polak në rrjete sociale.
“Westinghouse” ishte në garë me kompaninë shtetërore të Koresë Jugore, “Korea Hydro Nuclear Power”, e cila kishte paraqitur një ofertë në prill. Varshava ishte në bisedime edhe me disa kompani franceze për këtë projekt.
“Partneriteti me ShBA-në në këtë projekt është i favorshëm për të gjithë ne: mund ta adresojmë krizën klimatike, ta fuqizojmë sigurinë energjetike evropiane dhe ta thellojmë marrëdhënien strategjike ShBA – Poloni”, shkroi në “Twitter” nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.
Numri dy i Shtëpisë së Bardhë ka punuar për ta ndihmuar kompaninë amerikane që ta siguronte këtë kontratë bashkë me sekretaren amerikane të Energjisë, Jennifer Granholm, duke u angazhuar me kryeministrin polak disa herë gjatë vitit të kaluar, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Ky zyrtar shtoi se projekti polak do të krijojë mijëra vende pune për amerikanët.
Përzgjedhja e kompanisë “Westinghouse” dhe e Shteteve të Bashkuara i ka dërguar një mesazh presidentit rus, Vladimir Putin, “për fuqinë dhe lidhjen e aleancës ShBA – Poloni”, tha një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane.
Varshava ka qenë në kërkim të një partneri për të ndërtuar kapacitet të energjisë bërthamore prej gjashtë deri në nëntë gigavatësh dhe për të ofruar financim prej 49 për qind për projektin. Polonia ka planifikuar që ta përzgjedhë këtë teknologji për tre reaktorët e parë deri në fund të vitit 2022, ndërsa reaktori i parë pritet ta fillojë punën më 2033.
Në Kosovë, në shtator të vitit të kaluar, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte bërë të ditur se Kosova nuk do ta vazhdojë projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazsjellësin e financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara.
““Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”, kishte thënë ministrja Rizvanolli./Nacionale

