Policia tha se s'kishte shpërthim, fotot nga vendi i ngjarjes flasin ndryshe
Një shpërthim tjetër po dyshohet të ketë ndodhur në veri të Kosovës, më konkretisht në “Lagjën e Boshnjakëve”. Derisa policia po thotë se nuk ka nevojë për t’u shqetësuar, “pasi që dyshohet se kanë shpërthyer mjete piroteknike”, fotot nga vendi i ngjarjes flasin ndryshe.
Gazeta Nacionale ka siguruar një fotografi direkt nga udhëkryqi të “Lagja e Boshnjakëve”, ku shihen vetura të policisë dhe shiriti i vendosur në atë hapësirë.

Ndërkaq, edhe mediumi lokal “Mitropol” ka publikuar edhe disa fotografi të tjera ku shihet se vendi i ngjarjes është rrethuar, ndërsa përveç policisë, aty janë edhe Carabinierët italianë.
Por, krejt këto zhvillime, Nacionales ia ka demantuar policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, tha se nuk ka arsye për t’u shqetësuar, pasi që u dëgjuan mjete piroteknike.
"Absolutisht nuk ka asgjë shqetësuese. Janë dëgjuar zhurma të mjeteve piroteknike", na tha ai.
Edhe një qytetar me emrin Arbër Peci, ka publikuar foto nga atje, duke thënë se në hapësirë ndodhet një granatë dore.

Shënim: Zëdhënësi Hoti ka konfirmuar më vonë, se ka pasur dy shpërthime, në dy lokacione dhe se nuk ka pasur të lëndruar.
Ambasada Amerikane tha se s'ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas këtyre zhvillimeve, vlerësoi se nuk ka kushte të duhura për mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat parashihet të zhvillohen më 18 dhjetor.
Ambasadori në një shkrim në Twitter, dënoi dhunën e shkaktuara gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës, ku u dëgjuan shumë shpërthime pas përpjekjeve të autoriteteve kosovare për të organizuar procesin zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme të 18 dhjetorit.
“Dhuna dhe intimidimi, përfshirë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, dhe rrezikimin e jetëve nuk është asnjëherë metodë e duhur e protestës,”- u shpreh ai.
Hovenier më tej ka thënë se ShBA-të janë të shqetësuara se kushtet “nuk janë të duhurat që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë."
The United States condemns those who employed violence during yesterday’s incidents in northern Kosovo. Resorting to violence and intimidation, including use of an explosive device, and endangering lives is never an appropriate method of protest, under any circumstances. 1/2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 7, 2022
Sveçla: Kemi informacione se ishin të përfshirë ish-pjesëtarët e policisë që u dorëhoqën
Në një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se sipas informacioneve që kanë, pjesë e grupeve të përfshira në situatën e mbrëmshme, ishin edhe ish-policët e Kosovës që kanë dhënë dorëheqje.
“Policia e Kosovës është duke bërë hetime intensive në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Tashmë siç e thashë edhe më herët kemi informacionet e para që janë duke u verifikuara me më shumë se një kanal. Po mbledhen dëshmitë, filmimet apo dëshmitarët okularë për këto aktivitete dhe për këta persona të cilët kanë qenë pjesë e kësaj veprimtarie terroriste. Sipas disa informatave që kemi, disa nga pjesëtarët e grupeve janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë dhënë dorëheqje kohëve të fundit”, tha Sveçla.
“Policia e Kosovës po angazhohet që të gjithë kriminelët e përfshirë në këtë sulm terrorist të sillen para drejtësisë. Kemi të dhënat e para nga terreni, qoftë nga Policia e rendit apo edhe nga Inteligjenca, e cila thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Edhe një herë u dëshmua ajo që kemi thënë se konflikti në këto komuna nuk është mes etnive. Por qytetarët pa dallim etnie dhe bandat kriminale ekstremiste. Pavarësisht kërcënimeve e sirenave të alarmit, qytetarët e Kosovës që jetojn atje nuk dolën të mbështesin kriminelët. Në ballafaqimin e shtetit ligjor me krimin, u dëshmua se qytetarët nuk përkrahën krimin. Institucionet e Kosovës janë në anën e së drejtës. Qëndrueshmëria jonë do të jetë garancë e triumfit të drejtësisë”, theksoi ministri.
Ai paralajmëroi hetime të detajuara edhe nga institucionet e inteligjencës për të zbardhur sa më shpejt këto raste.
Çfarë ndodhi mbrëmë në veri?
Të martën, disa grupe kriminale në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut e penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Fillimisht u dëmtuan zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut e pastaj u dëgjuan për disa herë krisma e granta, për të cilat zyrtarë të Policisë së Kosovës deklaruan se ishin prodhim jugosllav.
Policia e Kosovës tha se "persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës", duke përdorur "mjete të rrezikshme".
“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”- deklaruan zyrtarët e Policisë së Kosovës të martën në orët e mbrëmjes.

